Anduela Aliko, Denis Golgota, Ergys Vela, Viktoria Nikolla dhe Zeni Alia janë artistët pjesëmarrës në ekspozitën e përbashkët emërtuar “Kthim mbrapa”/“Flashback”, kuruar nga Edison Çeraj, hapur në galerinë “Zeta”, në Tiranë, në kohëzgjatjen 12 – 25 shkurt 2020. Në thelb të kërkimit të kësaj ekspozite qëndron vërtetimi i dritës që vjen prej së djeshmes, prej së kaluarës, në formën e një ëndërrimi. Në formë të atillë, sepse, përgjithësisht, të gjitha punimet përveçohen nga mjegullnaja e ëndrrës, nga ngjyrat e zbehta, nga dukja dhe zhdukja e sendeve apo njerëzve, nga ngadalësia me të cilën vihet në lëvizje gjithçka. Ajo çka e përveçon ëndërrimin është përjetimi i fortë dhe kohëzgjatja e shkurtër. Në kundërshti me këtë të fundit, këto vepra artistike jetojnë përtej çastit që i ngacmoi.
Kështu, mund të ketë qenë një shkëndijë ajo çka ngacmoi krijimin e veprës së artistes Anduela Aliko, por janë aty e përsëriten e përsëriten vazhdimisht në video pamje e përmbysje pamjesh krejt në gri të fëmijëve që luajnë, po aq të përngjashme me pamje fëmijësh në lojë të çdo vendi e çdo kohe.
E kaluara, në formën e kujtimit të njerëzve të munguar tashmë, bëhet e prekshme në videon e artistes Viktoria Nikolla. Ka një figurë të qëndrueshme femërore në qendër, ka një hije mashkullore që luhatet vijueshmërisht midis qenies dhe mosqenies gjithashtu.
E gjithë kjo na përforcon mendimin se e shkuara dhe e tashmja rrugëtojnë së bashku, pashmangshmërisht, pavarësisht vullnetit tonë, pasi është shumë e rëndësishme për ne, në mënyrë të vetëdijshme e të pavetëdijshme, t’i japim kuptim qenies sonë përmes rrugëtimit tonë gjenetik, gjeografik e më gjerë. E kaluara na ndihmon të kemi forcën e mjaftueshme për të lënë gjurmë në të ardhmen. Në përputhje kjo me atë që ka shprehur edhe vetë kuratori i ekspozitës, E. Çeraj: “Ne jemi e shkuara jonë. Madje, ne mund të jemi edhe një çast i saj, i cili shënon lidhjen tonë mes asaj çfarë ishim dje dhe çfarë jemi apo nuk jemi sot.”
Dukuria e mosqenies ose dukuria e të qenit përtej jetës tokësore nuk është një ngjarje që mbart në vetvete domosdoshmërisht heshtje dhe harresë. Përkundrazi. Mungesa ka peshën e saj e cila, në peizazhin blu (video) të artistit Ergys Vela vjen në formën e një arkëmorti që lundron ngadalë në horizontin blu, kurse në dy pikturat e artistit Denis Golgota mungesa e dikujt, ndoshta, merr formën e sendeve vetjake të personit që nuk është më pranë tyre. Qoftë arkëmorti në ecejakje ujore, qofshin sendet e pasqyruara në dy pikturat e Golgotës, më shumë sesa të tilla (sende), janë kujtime të cilat lidhin kohë dhe njerëz, formësojnë të tashmen.
Instalacioni i artistit Zeni Alia, përmes vërtitjes së një sërë fotografive (fotografi për arsye identifikimi) në një glob të tejdukshëm, krijon një shtjellë joidentifikuese, çoroditëse, në të cilën, po ashtu, fytyrat/emrat përkatës janë edhe s’janë aty.
Sidoqoftë, të gjitha punimet, si copëza shkëndijash drite, kanë të njëjtën vlerë si grimcat e dritës, të cilat udhëtojnë në errësirë, për të na thënë diçka, e cila, assesi, nuk duhet shpërfillur.