Galeria Kombëtare e Arteve hap që prej 20 shtatorit deri më 1 dhjetor 2019 ekspozitën vetjake të artistit Adrian Paci, emërtuar “Prova”, kuruar nga Adam Budak. Emërtimi i ekspozitës është i njëjtë me atë të punës kryesore të saj, një video e cila mbart në vetvete veprimin e ngutshëm në përpjekje e sipër për ndryshimin e domosdoshëm që duhet të ndodhë në hapësirën shoqërore. Një sërë portretesh (njerëz të thjeshtë), vendosur në një skelet ndërtese, natën vonë, i lënë vendin njëri-tjetrit, duke shqiptuar kohë pas kohe fjalën “prova”, paçka se përfundimi i kësaj përpjekjeje nuk varet vetëm nga dëshira a vullneti i tyre i mirë. Përkundrazi, është tërësisht i varur nga kushtet gjithëpërfshirëse politike dhe shoqërore, të cilat janë në ndryshim të përhershëm dhe ky ndryshim ka qenë i thellë për shoqërinë shqiptare që prej rënies së komunizmit në vitin 1991.

...

Të shprehurit përmes performancës dhe videos është një gjuhë të cilën artisti e përdor në mënyrë mbizotëruese, ndonëse ka lëvruar të gjitha teknikat e mundshme gjatë përvojës së tij profesionale (vizatim, pikturë, skulpturë, fotografi, mozaik, instalacion) dhe duket se ajo zë vend parësor në krijimtarinë e tij jo vetëm brenda ekspozitës në fjalë, por edhe jashtë saj, si shprehje jo vetëm e përshkrimit të ngushtë vetjak mbi temën e mërgimit, ndryshimit të vazhdueshëm të rrethanave shoqërore, globalizmit dhe shndërrimit të identiteteve kulturore për pasojë, por edhe e hetimit nga ana e tij (artistit) mbi thellësinë dhe gjerësinë e këtyre lëvizjeve shoqërore.

Personazhet e veprave të tij janë njerëz të marrë nga e përditshmja; ata janë aktorë joprofesionistë; janë gra dhe burra në kushte të vështira jetese dhe pune. Materiali videor “Kolona” (“The column”) paraqet se si njeriu i thjeshtë i shndërron copëzat e natyrës në art, se si një copëz mali shndërrohet në një kolonë tradicionale, e cila përfaqëson tempujt edhe ndërmend njëherazi fuqinë (në madhësinë e madhështinë e kolonës) dhe pafuqinë (teksa “udhëton” e shtrirë nga Lindja (Kina) drejt Perëndimit (Europë)). E njëjta gjë ndodh pak a shumë te vepra “Interregnum”, e cila paraqet njerëz të thjeshtë (të panjohur) në rituale vdekjesh nëpër kultura të ndryshme shoqërore, ekonomike dhe fetare, të bashkuar përmes gjuhës së pikëllimit histerik, pas vdekjes së një diktatori.

Përgjithësisht Adrian Paci shqyrton e shtjellon çështje në thelb të të cilave qëndron humbja në një botë të huaj dhe kërkimi i një identiteti të ri, duke u larguar nga një lloj pasigurie për të rënë në një tjetër pasiguri. “Kthim në shtëpi” (“Back home”) emërtohet një seri fotografish që paraqet familje mërguese (në një kohë të tashme) në sfondin e shtëpive të tyre në vendin e prejardhjes (të një kohe më të hershme). Ndihet lehtas një lloj (mos)përputhshmërie në këto fotografi. Duket sikur ata (njerëzit) edhe i përkasin, edhe nuk i përkasin njëherazi vetvetes brenda kohë-hapësirës së dyfishtë.

Për të njëjtin shqetësim, largimin prej shtëpisë dhe mbartjen e saj me vete kudo ku shkon, vjen e shfaqet skulptura “Shtëpi për të shkuar” (“Home to go”) e cila paraqet vetë artistin, i cili, pothuajse i zhveshur, mban me vështirësi lehtësisht të dallueshme një çati me pllaka qeramike. Copëza e shtëpisë, mbështetur në shpinë, mishëron kujtesën dhe ndjeshmërinë ndaj historisë, kulturës, traditës dhe familjes; të gjitha këto burime prej të cilave artisti u ngjiz, por jo vetëm. Ajo mishëron gjithashtu edhe detyrimin që artisti ka ndaj tyre, si pjesë të formësimit të tij. Marrëdhënia me shtëpinë duket se është e domosdoshme dhe e kundërshtueshme; është dhënëse dhe marrëse njëherazi. Vetë artisti, çatinë e përmbysur e sheh si shenjim të flatrave të cilat të çojnë larg; ndonëse, teksa të nxit në flatrim, të pengon me peshën e rëndë që mbart. Kështu pra, kryesisht artisti, por edhe njeriu në përgjithësi, jeton përherë në kohën mes dy zgjedhjeve: mbajtja fort e lidhjes me rrënjët teksa përjetohet shndërrimi i paprerë të jetës. Ky është çmimi që duhet paguar. Ashtu sikur ndodh edhe te vepra “The column”: mermeri humb në sasi, por pas përpunimit të tij përftohet një vepër artistike.

Gjurmët prej fëmijërisë nuk janë të papranishme në ekspozitë, mirëpo, pa dyshim, vijnë me një prirje shtjelluese psiko-sociale në videon “Per speculum” në të cilën fëmijët janë vendosur në një mjedis natyror. Ata thyejnë pasqyrën për të luajtur/argëtuar me pasqyrimin e diellit, hipur në një pemë; për të përcjellë idenë e njohjes së pjesshme përkundër asaj të plotë, ballë për ballë.

Por si duket bota dhe jeta shoqërore në  sytë  e një  fëmije? Vepra “A real game” është një video e cila na njeh me botën shqiptare në një kohë të vështirë të saj, sipas këndvështrimit të një fëmije, vajzës së mitur të vetë autorit, e cila rrëfen në mënyrë prekëse aftësinë qenësore (ekzistenciale) të njeriut për t’u përshtatur me rrethanat më të skajshme ose për të shpëtuar prej tyre. Ajo çka mbetet e pashlyeshme nga kujtesa është buzëqeshja e pafajshme e fëmijës përgjatë rrëfimit dramatik, rrëfim i cili mundësohet përmes një loje ku artisti vihet në vendin e mësuesit, kurse e bija në atë të nxënëses.

E gjithë kjo ekspozitë antologjike, me shumëllojshmëri tematike, teknikash, vendesh e kohësh pasqyruar, me ndërveprim pamjesh lëvizëse (video) me ato të palëvizshme (pikturë, mozaik, instalacion) ka si bosht të vetin përpjekjen e vënies në veprim dhe të rritjes së përgjegjshmërisë qytetare në ritmin e pandalshëm mbarëshoqëror. Në hyrje dhe në ikje prej ekspozitës pret dhe përcjell vepra emërtuar: “Di queste luci si servirà la notte”; stërzgjatime drite varen prej një barke të ngritur lart në ajër e qerthullohen përtokë, si një mënyrë për të thënë se shpëtimi do të vijë prej dritës, pa dyshim. Ai është ankorimi më i sigurt.

* Adrian Paci (lindur në vitin 1969 në Shkodër, Shqipëri) ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1997 ai është vendosur në Milano, ku jeton dhe punon. Gjatë karrierës së tij, Adrian Paci ka pasur shumë ekspozita vetjake në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Muzeu i Artit Bashkëkohor në Montreal (Musée d’Art Contemporain de Montréal) (2014); Pavijoni i Artit Bashkëkohor në Milano, (Padiglione d’Arte Contemporanea – PAC, Milan) (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë (2012); Kunsthaus Zurich, Zyrih (2010); Bloomberg Space, Londër (2010); Qendra e Artit Bashkëkohor (The Center for Contemporary Art – CCA), Tel Aviv (2009); Museum am Ostwall, Dortmund (2007); MoMA PS1, Nju-Jork (New York) (2006) dhe Muzeu i Arteve Bashkëkohore (Contemporary Arts Museum), Hjuston (Houston) (2005).

Ndër ekspozitat e ndryshme të përbashkëta, puna e Adrian Pacit është paraqitur edhe në edicionin e 14-të të Bienales së Venecias, ekspozitë ndërkombëtare e arkitekturës (2014); në edicionin e 48-të dhe 51-të të Bienales së Venecias, ekspozitë ndërkombëtare e artit (përkatësisht në vitet 1999 dhe 2005); në Bienalen e 15-të të Sidneit (2006); në edicionin e 15-të të Quadriennale-s në Romë, ku fitoi edhe çmimin e parë (2008); në Bienalen e Lionit (Lyon) (2009); dhe në edicionin e 4-t të Bienales së Selanikut për Artin Bashkëkohor (2013).

Veprat e tij gjenden në disa koleksione private dhe publike, përfshirë Muzeun Metropolitan në Nju-Jork (New York); Muzeun e Artit Modern në Nju-Jork (New York); Muzeun e Artit Bashkëkohor në Montreal (Musée d’Art Contemporain de Montréal); Qendrën “Pompidu” (Centre Pompidou) në Paris; Muzeun e Izraelit në Jeruzalem; MAXXI në Romë; Fundacio Caixa në Barcelonë; Moderna Museet në Stokholm; Kunsthaus Zürich në Zyrih; UBS Art Collection në Londër; Muzeun e Artit Bashkëkohor (Museum of Contemporary Art) në Majemi (Miami), Shtetet e Bashkuara (USA), Librarinë Publike të Nju-Jorkut (New York Public LibraryNew York), Solomon Guggenheim Foundation, Nju-Jork (New York); Muzeun e Artit në Siatëll (Seattle Art Museum, Seattle).

Adrian Paci është lektor i pikturës pranë Akademisë së Re të Arteve të Bukura (Nuova Accademia di Belle Arti NABA) në Milano. Ai ka dhënë mësim pranë Akademisë Karrara të Arteve të Bukura (Accademia Carrara di Belle Arti) në Bergamo, 2002-2006; IUAV, Venecia 2003-2015, si dhe ka dhënë leksione dhe drejtuar punëtorì në shumë universitete, akademi arti dhe institucione në vende të ndryshme.

*Adam Budak është kuratori kryesor i Galerisë Kombëtare në Pragë (Republika Çeke) që prej vitit 2014. Më herët ai ka qenë kurator për artin bashkëkohor në muzeun Hirshhorn dhe Kopshtin e Skulpturës në Uashington D.C. (Washington D.C.); në Kunsthaus – muzeun multidisiplinor Universalmuseum Joanneum, Graz (Austri) dhe në galerinë publike të artit bashkëkohor Bunkier Sztuki (Bunkier Stuki), Krakov (Poloni). Ai ka kuruar disa ekspozita, përfshirë këtu: Manifesta 7 (Trentino Alto Adige); Bienalen e Venecias (Pavijoni polak i Bienales së Arkitekturës dhe pavijonin estonez të Bienales së Artit); dy edicione të Bienales së Pragës, Bienalen e Gherdwina-s dhe Trienala Ladina. Gjithashtu, ai ka punuar me shumë artistë të shquar si: Louise Bourgeois, John Baldessari, Sharon Lockhart, Monika Sosnowska, Ai Weiwei  dhe Brian Eno.