Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë (TICA), në bashkëpunim me qendrën e artit bashkëkohor ZETA (mbështetur nga Land Steiermark – A9 Kultura, Europa, Außenbeziehungen) paraqesin ekspozitën përmbyllëse të programit të qëndrimit (rezidencës) të artistëve gjatë stinës së vjeshtës (2019). Përgjatë një kohe dymujore, artistët pjesëmarrës: Peter Kutin, Pleurad Xhafa dhe Sandra Wollner kanë zhvilluar kërkimet e tyre artistike, ecuria dhe disa përfundime të të cilave paraqiten në ekspozitën “AIRLAB, Vjeshtë 2019” në datat 25 tetor – 2 nëntor 2019.
Puna (video-instalacion) e artistëve austriakë përqendrohet rreth ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në thelb të veprës së tyre qëndron kundërshtia midis domethënies së fjalës teatër (vend për të parë) me atë që (nuk) ndodh në TK në Tiranë. Skena dhe salla janë të zbrazëta, energjia elektrike është e munguar, pluhuri dhe errësira mbizotërojnë, shfaqjet janë ndalur. Në vend se të prodhojë (tinguj), në vend se të vërë ngjarje në skenë, ai është shndërruar në një ndërtesë të heshtur teksa ngjarjet në lidhje me të zhvillohen kryesisht jashtë tij.
Sandra Wollner dhe Peter Kutin bashkëpunuan për këtë vepër me një grup veprimtarësh kulturorë (Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit) të lidhur ngushtë me teatrin, si ndërtesë dhe institucion. Një palë buzë të ndara (që përfaqësojnë Euridiçen), shfaqur në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës, rrëfejnë me zë të ulët pjesë nga drama “Orfeu dhe Euridiçja” sipas shkrimtares Margaret Atwood. Zëri i saj tingëllon në boshësinë e hapësirës teatrore teksa së jashtmi vijnë zhurmat e gjeneratorit (i cili punon për të sjellë energji elektrike në teatrin e heshtur). Monologu i Euridiçes merr fund me fjalinë përmbyllëse: “Ju nuk mund të besoni, se unë isha më shumë se jehona juaj.”.
“Skulptura më e madhe e bërë ndonjëherë në Shqipëri” është regjistruar ligjërisht së fundmi te Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Kjo vepër, krijuar nga artisti Pleurad Xhafa, është në vetvete skica e një kubi simetrik, i cili formohet nga perspektivat e dy pikave në horizont. Artisti ka arritur ta përcaktojë vëllimin e këtij kubi përmes përllogaritjes së sasisë së kilogramëve të lëndës kanabis sativa (cannabis sativa), të sekuestruar gjatë katër viteve (2015-2019) në Shqipëri, të dhëna këto të cilat u vunë në shërbim të artistit nga autoritetet përkatëse në rrugë jozyrtare (përmes programit WhatsApp) dhe vetëm pas këmbënguljes së tij (artistit).
Ekspozita synon të sjellë në vëmendje ngjarje bashkëkohore që lidhen me çështje të ndryshme dhe të rëndësishme me interes shoqëror. Ajo është e thukët në mjetet e përzgjedhura, porse me një shtrirje të thellë vertikale nga pikëpamja përmbajtësore.
* Peter Kutin (AT) është një artist shumëpërmasor, i cili jeton në Vjenë. Në vitin 2016 ka bashkëpunuar me kompozitoren gjermane Christina Kubisch (Kristina Kubish) dhe bashkëpunëtorin e tij Florian Kindlinger (Florian Kindlinxher) mbi kompozimin e Desert Bloom për të cilin u vlerësuan me çmimin “Karl Szucka”. Në vitin 2019, instrumenti i tij kinetik Torso mori medaljen e artë në festivalin “Ars-electronica”. Ai ka interpretuar në festivale të tilla si: LUFF, 2daysArt, Cafe Oto, Donaufestival, Donaueschinger Musiktage, Darmstädter Musikferienkurse, Impulstanz, Heart-of-Noise, Konfrontationen Nickelsdorf, Wels Unlimited, Transart Bozen, Elevate, SAT Montreal, Tsopo Samo Zagreb, Klubi i Kontrollit Bukuresht, Destroy Vancouver, FNC Montreal e të tjera.
* Pleurad Xhafa ka lindur në vitin 1984 në Lushnjë. Ka përfunduar studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura të Bolonjës (Accademia di Belle Arti di Bologna). Xhafa është fitues i çmimit “Ardhje 2014”. Punët e tij kanë qenë pjesë e një sërë festivalesh filmi dhe ekspozitash ndërkombëtare si: Alternative Film/Video Festival (Beograd, 2018); Les Rencontres Internationales (Paris/Berlin, 2015-16), Teatri i Gjelbërimit (Galeria FAB, Tiranë, 2016), Shame on you, Celje (2015), Bienalja VI e Berlinit (2010), Bienalja IV e Tiranës (2009), çmimi “Onufri” XIV (GKA, Tiranë, 2008). Xhafa është një nga themeluesit e DebatikCenter of Contemporary Art.
* Sandra Wollner ka lindur më 1983 në Styria, Austri. Në vitin 2012 ajo filloi të studiojë për regji në Filmakademie Baden-Württemberg. “The impossible picture” është prodhimi i saj i parë, një projekt trevjeçar me metrazh të shkurtër, që flet për një familje vjeneze në vitet ’50, projekt i cili ka fituar çmime në të gjithë botën: Çmimin e Shoqatës Gjermane të Kritikëve, 2018; “Förderpreis für Filmkunst” nga Galeria Kombëtare, 2017; Çmimin e Debutimit Ndërkombëtar, “Ingmar Bergman”, në Gothenburg, Suedi. Prodhimi i saj i dytë është “The trouble with being born”, i cili është në prodhim sipër.