“Spring Airlab Exhibition 2019” është ekspozita përmbyllëse e programit të rezidencave të artistëve për periudhën e pranverës, e cila vjen si bashkëpunim midis Institutit të Artit Bashkëkohor në Tiranë (T.I.C.A) dhe Qendrës Zeta, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, hapur për publikun në datat 4 – 17 shtator 2019.

...

Artistët pjesëmarrës: Altin Krasniqi, Blerta Hoçia dhe Donika Çina kanë kryer hulumtimet e tyre përgjatë një kohe dymujore. Ekspozita paraqet si ecurinë e hulumtimeve, si përfundimet në të cilat artistët kanë mbërritur në lidhje me qytetin, botën psikologjike të individit, apo përjetimet kujtesore të asaj çka na rrethon.

Altin Krasniqi paraqitet me një video-instalacion emërtuar “Ende e patitulluar” përmes të cilit përpiqet të shqyrtojë kohën gjatë dhunës, dëbimit dhe paqes. Ajo çka përftohet prej këtij krijimi është mendimi mbi brishtësinë e fijes kufitare që qëndron midis së prekshmes dhe përfytyrueses: një adoleshent rrëfen peripecitë e rrugëtimit të tij luftarak. Përfshihen në të të papritura, rreziqe, eliminime, derisa në fund ti kupton se ky s’është veçse rrëfimi i një ngjarjeje të paqenë, që s’pati qenë tjetër veçse një lojë teknologjike “luftash”. Qeni-lodër, dhuratë për autorin në moshën 5-vjeçare, kohë kur familja e tij dhe shumë familje të Kosovës u larguan nga shtëpitë e tyre për të mbijetuar, lidh ironikisht kundërshtinë brenda video-instalacionit, si një përpjekje për të kuptuar psikikën njerëzore, e cila në kohë lufte kërkon dhimbshëm paqen dhe, me papërgjegjshmëri, në kohë paqeje, argëtohet me idenë e luftës.

Në vijimësi logjike vjen krijimi tjetër, “Manifesti i mbijetesës”, i artistes Blerta Hoçia, e cila ndërthur pamjen dhe fjalën për të sjellë në ekspozitë rrethina ose kënde të mjerueshme qytetëse. Largimi prej qendrës vezulluese përngjet me largimin e Budës nga shkëlqimi jetësor, shoqëruar kjo me kureshtjen këmbëngulëse për njohjen e anës tjetër të jetës njerëzore. Kalim ky që sjell domosdoshmërisht përvojën njohëse përgjatë jetës; pranimin e vetvetes (përfshi këtu prejardhjen); mospranimin ndaj organizimit shoqëror; qetësinë e fituar pas çdo peripecie. Kujtesa (vetjake dhe shoqërore) është e rëndësishme në punën e saj krijuese; ajo e ndihmon të ndërveprojë me të kaluarën për të kuptuar të tashmen.

Në këtë ndërveprim është thelbësor tipari shpirtëror, emocional. Ne themi të njëjtat të vërteta, por jo domosdoshmërisht me të njëjtën zemër dhe kjo ndikon në përfundimin e dëshiruar. Donika Çina e paraqet këtë në ekspozitë duke i dhënë formë nëpërmjet një regjistrimi televiziv të një emisioni ku ajo vetë ka qenë e ftuar. Emisioni përcillet njëherazi nga 2 ekrane dhe një pajisjeje transkriptuese: janë të njëjtët folës, e njëjta tematikë, e njëjta studio dhe pak a shumë e njëjta përmbajtje, veçse pa të njëjtin ngacmim emotiv nga regjistrimi i parë në të dytin. Vepra e saj instalative (“Pepper’s ghost), ardhur përmes formës mediatike, i lë të lirë shikuesit në mbajtjen e qëndrimit vetjak teksa përballen me një këndvështrim të ri.

* Altin Krasniqi (1994, Kosovë) është artist që jeton e punon në Prishtinë, Kosovë. Krijimet e tij lidhen kryesisht me pikturën, vizatimin, videon dhe instalacionin. Ka marrë mësime për arte pamore dhe pikturë në Kolegjin AAB, Prishtinë (2017). Ai është finalist i çmimit “Artistët e së nesërmes” (2018), Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë; është fitues i çmimit të dytë dhe pjesëmarrës në workshop-in “Urgjencat delikate”Cittadellearte, Itali dhe Art House, Shkodër (2017).

* Blerta Hoçia (1984, Tiranë) është artiste dhe kuratore, që jeton midis Tiranës dhe Prishtinës. Ajo mbaroi studimet e saj për teknikat e pikturës në Akademinë e Firences, Itali. Ka punuar si kuratore në galerinë Miza dhe shefe e arkivit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Ekspozitat e saj vetjake përfshijnë “The demiurge”, Sala Rosa, Siena, Itali (2012); “In the absence of external forces do not possess my own form”, Magma Florence, Itali (2013) dhe “I thought of you so hard”, galeria Zeta, Tiranë (2016). Ajo ka marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta dhe panaire arti, ndër të cilat përmendim: “Emergenz”, Berlin (2013); “Supermarket”, Stokholm (2015); “Parallel Vienna” (2017); “Ardhje”, Tiranë (2014) dhe çmimi “Muslim Mulliqi”, Prishtinë (2018).

* Donika Çina (1988, Korçë) zakonisht punon në mediumin e video-artit dhe video-instalacionit. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Arteve Pamore, Atelieri i Multimedias, në Akademinë e Arteve, në Tiranë; më pas vazhdoi të studiojë fotografi dhe video pranë Universitetit të Arteve dhe Dizajnit në Cluj-Napoca të Rumanisë, si dhe në klasën e Candice Breitz në Universitetin e Artit në Braunschweig, Gjermani. Ajo ka qenë pjesë e ekspozitave dhe projekteve të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare si: “Albania is not Cuba”, kuruar nga Amy Zion, Havanë, Kubë (2019); “Dejeuner avec Marubi”, kuruar nga Annmarie Turk, Belvedere 21, Vjenë, Austri; “Ylli me pesë cepa”, galeria Zeta, Tiranë, Shqipëri; “In-Between”, galeria Zeta, Tiranë, Shqipëri; Çmimi “Ardhje” 2016, galeria Zeta, Tiranë, Shqipëri.