Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë mirëpret në hapësirën e vet, që prej 1 shkurtit deri më 1 prill 2021, ekspozitën “Synime” – fryt i një projekti të zhvilluar në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozitë e cila dallon për autorësinë tërësisht femërore, duke vijuar edhe me kurim femëror po ashtu. Bëhet fjalë për artiste shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, veprat e të cilave vijnë në këtë ekspozitë nën kujdesin e kuratoreve: Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi. Ekspozita e nis rrugëtimin e saj në Tiranë e më pas e përmbyll atë në Prishtinë.
Ekspozita “Synime” është një shembull se si vetjakja, e mëvetshmja – në këndvështrim dhe pasqyrim (praktikisht) – mund të qëndrojë në harmoni me të tërën, duke krijuar kështu një zë më kumbues, e më grishës njëherazi. Veçoria njëgjinore (femërore) e kësaj ekspozite, në njëfarë mënyre, duket sikur përpiqet të thellojë në sytë e vizitorëve spikatjen e rolit të gruas në art (artin pamor, në këtë rast); përkundër përshtypjes së gjithëhershme se gruaja ka qenë kryesisht e pasqyruar, e rrallëherë pasqyruese, kur, në të vërtetë, arsyet e qenësishme të nënpërfaqësimit të saj mund të ketë qenë: mungesa e vëmendjes ndaj saj dhe veprës së saj, si dhe mungesa e lirisë së gjithkahshme të saj.
Përjetimi artistik i secilës prej autoreve, pjesë e mozaikut rrëfyes, është njëkohësisht pjesëz pasqyruese kohësh të caktuara politiko-shoqërore, mbartëse e një mendësie dhe përvoje të caktuar të një kombi: në hapësirën shqiptare kryesisht, përkatësisht që pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, ndonëse ekspozita nuk ndjek rrjedhën kohore. Veprat në fjalë pasqyrojnë tërthorazi kushtet gjithëpërfshirëse në të cilat janë ngjizur e më pas kanë marrë jetë, pse jo edhe ato rrethana kundrejt të cilave veprat u janë nënshtruar apo u kanë dalë përmbì. Dhe do të ishim të pasaktë, nëse leximi i ekspozitës do të përqendrohej në këndvështrimin feminist. Një numër i caktuar autoresh dhe veprash mund të kenë synuar përballjen e patriarkalizmit, por në tërësinë e tyre ato ngërthejnë llojshmëri temash, çka i jep ekspozitës nota universaliteti.
Ekspozita “Synime” bazohet në katër boshte:
a) Arkivat e trupit (bosht, i cili përqendrohet në shqyrtimin e trupit, i cili është parë nga artistet përkatëse si pritës dhe përcjellës kumtesh, dhe është përdorur si një mjet/armë për të pasqyruar botëkuptimin/qëndrimin vetjak ndaj botës, në kuptimin politik dhe shoqëror të saj). Autoret që i përmbahen këtij boshti:
Silva Agostini (“(A) Current State”, video); Alma Bakiaj (“Kam qëndruar shumë brenda kokës”, akuarel në letër; “Ariel”, video); HAVEIT (“Baby blues”, performancë); Blerta Hoçia (“Kam shumë sy, sy të bukur”, fotografi në pllakë alumini); Shpresa Faqi (“Gratë vizatojnë gratë”, punëtorì); Fitore Isufi – Koja (“Japonia”, video); Shelbatra Jashari (“Hello Shelly”, performancë); Silvi Naçi (“Fort”, fasule qeramike); Edit Pula(j) (“Metrat e fundit”, bojë shtypi, litografi në letër muri); Anila Rubiku (“Ëndrrat e qepura”, qëndisje në lino); Alketa Xhafa Mripa (“Mum, Am I a Barbarian?”, fotografi me ngjyra).
b) Gramatika e kujtesës (ky bosht është një tjetër mënyrë e rrëfimit pamor i cili i përmbahet kujtesës vetjake dhe asaj të përbashkët, duke njohur dhe rritur vetveten përmes përballjes me të kaluarën. Pavarësisht përjetimeve në kohë e vende të ndryshme, tërësia e kësaj nënndarjeje krijon panoramën e problematikave të përbashkëta). Autoret përkatëse:
Lumturi Blloshmi (“Aksionistja”, vaj në kanavacë); Liljana Çefa (“Fatosat në muze”, vaj në kanavacë); Donika Çina (“Ana A”, instalacion); Blerta Hoçia (“Kam shumë sy, sy të bukur”, fotografi në pllakë alumini); Majlinda Hoxha (“N’tandem”, fotografi); Ledia Kostandini (“Aftermoments”, mozaik tekstilesh); Edona Kryeziu (“Përshëndetje nga një tjetërkund”, video); Hyrije Krypa (“Ganimete Tërbeshi”, grafikë); Iva Lulashi (“Outside Underwear”, “Non ti preoccupare cara”, “Senza badare alla verita”, vaj në kanavacë); Greta Pllana (“Pa titull”, vaj në kanavacë); Eli Xoxa (“Demonstrata e grave të Tiranës”, altoreliev, gips); Violeta Xhaferi (“Rrugëtimi”, diptik, akrilik); Androniqi Zengo Antoniu (“Autoportret”, vaj në kanavacë).
c) Anakronizma të vullnetshëm (boshti në fjalë përbën në vetvete një nënndarje brenda ekspozitës e cila shënon një kundërshtim/kundërvënie femëror/e ndaj kushtëzimeve shumëkahëshe, kryesisht me bazë gjininë). Autoret e kësaj ndarjeje:
Flaka Haliti (“My balls”, video); Blerta Hoçia (“Kam shumë sy, sy të bukur”, fotografi në pllakë alumini); Shelbatra Jashari (“Seritë në lëvizje”, fotografi me ngjyra); Matilda Odobashi (“Vija të gënjeshtërta”, letër muri; “Pa titull”, rapid në letër); Nurhan Qehaja (“Flamuri”, video); Alketa Ramaj (“Molla e Adamit”, video); Miradije Ramiqi (“Akt arketip”, “Arketipe ilire”, vaj në pëlhurë); Alije Vokshi (“Kompozicion 5”, “Thyerja e kufirit”, vaj në pëlhurë; “Cikël vizatimesh”, rapid në letër); Rudina Xhaferi (“Rudinizmi”, pikturë mbi thonj artificialë).
d) Përmbledhje poetike (bosht, i cili nuk synon aspak përmbushjen estetike të shikuesit/shijuesit, por fund e krye tërheqjen në shqyrtimin e brendisë nga vepra në vepër). Autoret në vijim:
Brigita Antoni (“Dead End”, adeziv dhe video”; “Sketch Book”, rapidograf në letër); Bora Baboçi (“Triptik”, panele gipsi me ndërhyrje në guash dhe geso me penel); Lirije Buliqi (“Vazo”, “Valle”, “Vazot”, qeramikë); Blerta Hoçia (“Kam shumë sy, sy të bukur”, fotografi në pllakë alumini); Majlinda Hoxha (“Rrëshqitje”, fotografi); Diana Miziri (“Kompozim”, thurje e përzier); Alketa Ramaj (“Papastërti”, tekstil industrial); Merita Selimi (“Fashitje”, teknikë e përzier në letër); Marina Sula (ndërhyrje); Sofia Zengo Papadhimitri (“Autoportret”, vaj në kanavacë); Valbona Zherka (“Heshtja”, endje dhe thurje klasike me vek).
Duke u përveçuar nga një shtrirje e gjatë kohore, si dhe nga një numër i lartë pjesëmarrësesh, ekspozita paraqet: çaste historike (që prej lashtësisë e nga brezi në brez); gjendje apo pasoja regjimesh politike (nuk mungon ndjeshmëria me të cilën këto gra krijuese kanë përjetuar liritë apo kufizimet prej këtyre regjimeve), zhvillime të fundme politiko-ekonomike; problematika të ndryshme njerëzore, shoqërore dhe gjinore, si dhe synim për gjithëpërfshirje të shoqërisë në zgjidhjen e këtyre problematikave.
Në kërkim të drejtpeshimit trupor dhe mendor femëror, krijimtaria e kësaj ekspozite, përpos larmisë së gjuhës teknike me të cilën vjen, përcjell përpjekje për hulumtimin e vetvetes, duke ecur në kohë, në marrëdhënie me veten dhe të tjerët. Gjendje të ngarkuara psikologjike sendërtohen në ekspozitë përmes performancash që përcjellin kundërshtì ndaj dukurive të papranueshme shoqërore, çka i shkakton shikuesit natyrshëm pikëpyetje rreth vërtetësisë së përparimit shoqëror; pikëpyetje rreth zhvillimit të karakterit pa humbur feminilitetin. E gjithë kjo përbën një hyrje brenda natyrës njerëzore, duke përdorur artin si një përvojë vetënjohëse, pasqyruese dhe ndërvepruese me tjetrin (shoqërinë), përmes ndërthurjes së delikatesës së teknikës me ashpërsinë e përmbajtjes. Hera-herës, krijimet dëshmojnë hapur lidhjen mes brezave, nevojën për të kujtuar e kuptuar kohë e ngjarje të mëhershme, ku ngre krye ndjeshëm në to rilidhja me rrënjët teksa thelbi i ekspozitës mbetet identiteti njerëzor, kombëtar dhe ai gjinor.
Diku të brishta e diku të ashpra, këto punë janë dëshmi e pamohueshme e ekzistencës së femrës në historinë e njerëzimit dhe artit femëror në historinë e artit (në këtë rast, artit pamor shqiptar). Edhe më e bukur kjo dëshmi, kur gratë (artiste) kanë krijuar për gratë (heroina).
Kjo tërësi veprash thyen mendimin se trashëgimia artistike mban vetëm vulë mashkullore. Veprat në fjalë nuk përveçohen nga boshësia përmbajtësore, as kur ndonjëra prej tyre shëmbëllen thjesht estetike; dhe emëruesi i përbashkët i kësaj ekspozite është ndjeshmëria me të cilën janë krijuar veprat përkatëse, kurse kundërvënia ndaj gjinisë mashkullore? Ajo vjen si një thirrje për bashkëjetesë dhe bashkëpunim.
Rreth kuratoreve:
* Adela Demetja është kuratore dhe autore. Ka lindur më 1984 në Tiranë (Shqipëri) dhe ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë (2002-2006). Ajo ka ndjekur “Studimet kuratoriale dhe kritike”, në nivelin master, në universitetet “Goethe” dhe “Städelschule”, Frankfurt/Main (Gjermani). Adela Demetja e ka nisur karrierën si artiste. Në vijim, ajo ka drejtuar qendrën për art bashkëkohor “Tirana Art Lab”, të cilën e themeloi në vitin 2010. Si kuratore e pavarur, ajo ka organizuar, menaxhuar dhe kuruar një tërësi ekspozitash ndërkombëtare dhe ngjarjesh artistike në shtete të ndryshme të Europës dhe në SHBA. Në vitin 2016, ajo u emërua kuratore e “Focus: Ex-Yugoslavia and Albania” në panairin ndërkombëtar të artit “viennacontemporary” në Vjenë (Austri). Në vitin 2015, ajo ka bashkëkuruar edicionin e tretë të “International Contemporary Project Biennale D-0 Ark Underground”, që u zhvillua në strehimin antiatom të ndërtuar nga Tito në Konjic (Bosnjë dhe Hercegovinë). Ndër ekspozitat e tjera tematike të kuruara nga Adela Demetja, përmendim: “The aesthetic of the small act”, Festivali “Action Field Kodra” në Selanik (Greqi), “Voices of Truth”, Vila Romana në Firence (Itali). Si autore, ajo ka kryer shkrime për ekspozita, shkrime për katalogë dhe shkrime për platforma të ndryshme “on line”, të botuara në Shqipëri dhe Europë.
* Erëmirë Krasniqi është hulumtuese dhe kuratore me qëndrim në Prishtinë. Ajo është diplomuar në Bard College Berlin për estetikë, filozofi dhe letërsi, si dhe ka thelluar studimet në letërsinë krahasuese në Dartmouth College. Në Dartmouth, ajo ka punuar gjithashtu si asistente në disa kurse (Feminizmat islam transnacional, Gruaja virtuale e Kriegerit: Anime japoneze dhe ideja e post-humanizmit, Hyrje në studimin e filmit dhe Filmi noir), si dhe si asistente e hulumtimit në projektin Media Ecology. Në vitin 2017, Krasniqi përfundoi programin “Ekspozimi i historisë bashkëkohore – Riparaqitja e shek. XX”, studim njëvjeçar mbi muzeologjinë dhe praktikat kuratoriale në universitetin “Friedrich Schiller”. Krasniqi është drejtore ekzekutive e Iniciativës për Historinë Gojore, organizatë e pavarur me bazë në Prishtinë.