Artistja gjermane me origjinë shqiptare Anna Ehrenstein zhvillon ekspozitën vetjake “Tregime me virtyt e buzëkuq” në “Bazament Art Space” që prej 24 tetorit deri më 20 dhjetor 2019. Ekspozita zhvillohet në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Tiranë.

...

Për shkak të përkatësisë së dyfishtë etnike ndoshta, tek artistja në fjalë nuk lindi dëshira për të shtjelluar kuptimin e identitetit kombëtar në ekspozitën e saj. Gjithashtu, ajo nuk ka parapëlqyer të përqendrohet tek ajo çka është shumëpërsëritur tashmë, pra, te varfëria, pasojat e komunizmit etj. Ajo vendosi të përqendrohet tek ajo Shqipëri dhe tek ajo shtresë femërore (gra shqiptare), të cilat shembëllejnë të kudondodhshme. Portretet e grave të përzgjedhura nga artistja pohojnë feminitetin e tyre sidomos përmes veshjeve me ngjyra të ndezura. Ajo zgjodhi për këtë ekspozitë gra me një “marrëdhënie të veçantë me kulturën lëndore (materiale)”.

Anna përdor në ekspozitë fotografinë, instalacionin dhe videon, për të përvijëzuar artistikisht çështje bashkëkohore që lidhen me origjinalitetin, gjininë njerëzore, klasën shoqërore, vetëpërfaqësimin, paragjykimet racore, etj., pra, çështje që prekin pjesën mbizotëruese të shoqërisë. Këndvështrimi fotografik përmban kryesisht portrete të grave në Shqipëri; fotografi dokumentare, të modës dhe reklamave; mjete femërore zbukurimi; mallra të lirë apo pasqyrime ballinash (vitrinash) me ulje çmimesh nga dyqanet e Tiranës.

Në pasqyrimin e kësaj estetike të skajshme, hiperfemërore, duket se artistja, ndërsa merr frymëzim nga jeta e përditshme dhe masivja, përpiqet të tregojë këndvështrimin vetjak, i cili mbart kundërshtimin ndaj stereotipeve që rrethojnë gratë shqiptare. Dukshëm, hiperfeminiteti i tyre shembëllen si një akt rebelimi; ku përmes veshjes kundërshtohet zotërimi/sundimi/shtypja që nga njëra gjini kundrejt tjetrës e deri tek ato nga sistemet politiko-shoqërore.

Po ashtu, artistja na “detyron” të kthejmë vëmendjen te shkëlqimi i rremë dhe arsyet që e lindën atë në Shqipëri. Shpërthimi i kapitalizmit të vonë e njëkohshësisht edhe i dukurisë së globalizimit në këtë vend shpjegon prirjet e ashtuquajtura “luksoze” në shoqërinë shqiptare. Pikërisht kjo, prirja ndaj shkëlqimit të rremë (pseudo-luksi), mund të cenojë kulturën shqiptare, duke e paraqitur atë si të prapambetur dhe jozanafillore (joorigjinale).

Në veprimtarinë e saj artistike, Anna Ehrenstein i jep përparësi punës me bashkësi të ndryshme shoqërore. Atë e tërheq kultura popullore dhe mjetet e ndërveprimit masiv. Dhe ajo që mund të tingëllojë a shembëllejë e rëndomtë për gjithkënd, për artisten në fjalë është thjesht e ndryshme dhe jo me më pak vlerë se diçka tjetër. Anna ngre plot pyetje nëpërmjet ekspozitës së saj, duke vënë përballë njëra-tjetrës kulturën elitare me atë popullore, si dhe të vërtetën kundrejt së pavërtetës.

*Anna Ehrenstein është me origjinë shqiptare, por ka lindur në Gjermani në vitin 1993. Ajo është diplomuar për studime në fushën e fotografisë në Universitetin Dortmund. Ndër botimet e saj të përzgjedhura, përmenden: “Tales of lipstick and virtue”- “Tregime me virtyt e buzëkuq” (botimet “Bessard”, Paris, Francë); “Authority can appear as a cosmic nebula” – “Autoriteti mund të paraqitet si një mjegullnajë kozmike” (vetëbotim, Gjermani); n*a*I*l*s (District Berlin & Lothringer 13, Mynih, Gjermani). Ekspozitat e saj vetjake janë zhvilluar në: Bazament Art Space, Tiranë (Shqipëri); Bibliothekswohnung Berlin (Gjermani); Galerie Lichtblick, Cologne (Gjermani); Circulations Museum Centquatre, Paris (Francë); Warte für kunst, Kassel (Gjermani); Landskrona Fotofestival (Suedi); Galerie Sira, Zagreb (Kroaci). Anna Ehrenstein ka marrë pjesë edhe në një sërë ekspozitash të përbashkëta, punëtorìsh dhe takimesh artistike.