Galeria Zeta zhvilloi për herë të trembëdhjetë edicionin e çmimit “Ardhje” për artistët e rinj deri në moshën 35-vjeçare. Kjo ekspozitë u mbajt e hapur gjatë periudhës 14 – 24 shtator 2021, me pjesëmarrjen e artistëve: Abi Shehu, Matilda Odobashi, Sead Kazanxhiu dhe Fatlum Doçi. Pjesëtarët e jurisë së këtij viti ishin: Lilia Kudelia, Markus Waitschacher, Olson Lamaj. Fitues i çmimit “Ardhje” u emërua artisti Fatlum Doçi, i cili u prezantua me instalacionin Lule e Lot. Ky çmim përfshin një përvojë dymujore në programin e rezidencave në Residency Unlimited, New York, që do të zhvillohet gjatë vitit 2022. Kjo ekspozitë u kurua nga Alban Hajdinaj.
Abi Shehu sjell video-instalacion me titullin Saharaja, i cili përbëhet prej dymbëdhjetë ekrane televizorësh të vjetër, të cilët janë të vendosur njëri mbi tjetrin duke formuar kështu tre rreshta. Në këto ekrane shfaqen animacione në lëvizje të cilat burojnë nga imazhe të fotografuara të disa prej grafiteve të gdhendura në muret e ish-burgut dhe kampit të punës, Spaç (1968 – 1990). Abi Shehu i sjell këto imazhe si pjesë përbërëse të godinës ku paraqiten të realizuara si copëza imazhesh arkeologjike. Ato sot mbeten si prova të historisë së kësaj ndërtese dhe ekzistencës së njerëzve që vuanin dënimin brenda mureve të saj.
Matilda Odobashi vjen me projektin Linja të gënjeshtërta, realizuar në letër muri me përmasat 190×270. Kjo vepër zë një sipërfaqe të madhe në murin e majtë, në hyrje të galerisë. Puna e artistes është e përbërë nga disa vizatime të vogla në formë skicash, që kanë të bëjnë me përshtypjet që lë qyteti dhe situatat urbane tek artistja. Këto vizatime më pas kalojnë në procesin e digjitalizimit. Fillimisht duke u fotografuar dhe më pas përpunohen në kompjuter duke shumëfishuar dhe përsëritur elemente të këtij kompozimi.
Sead Kazanxhiu paraqet punën me titull Baltosje, një video me ngjyra, 8’22. Në video shfaqen tre gra të moshuara rome që shoqërohen nga një vajzë e vogël, të cilat shkojnë të mbledhin dhe, në një terren natyror. Në film tregohen të detajuara veprimet e tyre duke filluar nga procesi i mbledhjes së dheut, rruga e kthimit për në shtëpi, përpunimi i materialit që kanë mbledhur, e më pas përgatitja e dheut në një masë të hollë dhe në ngjyrë të errët. Më pas kamera fokusohet te duart e grave që lyejnë me këtë baltë forma dhe objekte të ndryshme, derisa në një plan më të gjerë vërejmë trupin e artistit që i nënshtrohet këtij procesi. Kjo situatë ndodh në një ambient zyre ku shtresa e baltës që mbulon çdo gjë në të, shërben si një cipë ndarëse mes dy botësh. Puna përpiqet të zbërthejë marrëdhënien mes Sead Kazanxhiut si artist dhe atij zyrtar në krye të një organizimi qeveritar për të drejtat e komunitetit rom, ku ai punon prej disa kohësh.
Fatlum Doçi prezanton për këtë ekspozitë një instalacion të realizuar me materiale të ndryshme që titullohet Lule e Lot. Kjo vepër përbëhet nga një seri objektesh apo skulpturash të realizuara nga artisti me materiale me të cilat zakonisht prodhohen bizhuteri apo elementë zbukurues. Këto elementë të realizuara prej artistit në forma objektesh të stilizuara me motive thuajse floreale, janë të ekspozuara në një pjesë të madhe të hapësirës së galerisë ku në tërësi të saj qëndrojnë dhe si një punë e vetme. Materialet që kryesisht përdoren prej artizanëve siç janë: argjendi, bakri, gurët natyral, rezina etj., vijnë në këtë punë të sjella ndryshe nga artisti, në forma të çliruara prej funksionit të tyre të zakonshëm. Artisti është i njohur me zejen dhe e aplikon atë në aktivitetin e tij të përditshëm. Puna e Fatlum Doçit rikthen debatin e vjetër mbi artin dhe zejen, ku duke se kjo e fundit ka rezultuar si diçka që e tërhiqte artin pas në kohë. Sot aplikimi i saj është i zyrtarizuar dhe i pranuar gjerësisht.
Çmimi “Ardhje” 2021, është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, The Trust for Mutual Understanding, Residency Unlimited dhe Young Visual Artists Awards.
Matilda Odobashi lindi në Tiranë më 1988. Studimet i kreu në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006 – 2010), ku jeton dhe punon. Ajo është anëtare e Rrethit Lakanian në Tiranë që prej vitit 2012. Ka punuar si zv/profesoreshë në Universitetin e Arteve (2012 – 2015). Veprat e Odobashit janë paraqitur në galeri dhe muze, jashtë dhe brenda vendit.
Sead Kazanxhiu ka lindur më 1987 në Fier; dhe është vendosur në Tiranë që prej vitit 2012. Familja e Kazanxhiut është pjesë e komunitetit rom, gjë që ndikoi në fëmijërinë e tij në Baltëz, një fshat pranë Fierit. Ai është diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006 – 2010). Ai ka hapur tetë ekspozita vetjake që prej 2012-s në Tiranë, Budapest dhe Bruksel. Po ashtu, ka marrë pjesë në ekspozita të shumta të përbashkëta në Tiranë dhe në vende të ndryshme të Europës.
Abi Shehu lindi në Lezhë në vitin 1993. Shehu ka ndjekur studimet për fotografi në Universitetin Europian të Shkencave të Aplikuara (BTK) Berlin, aktualisht jeton dhe punon ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë. Veprat e Abi Shehut janë ekspozuar në disa ekspozita të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit.
Fatlum Doçi lindi në Shkodër në vitin 1991. Ai ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë (2010–2015), aktualisht jeton dhe punon në Shkodër. Ai eksperimenton në mediume të ndryshme si pikturë, vizatim, skulpturë, video, instalime apo bizhuteri. Veprat e Fatlum Doçit janë ekspozuar në galeri të ndryshme në Europë. Gjithashtu artisti ka zhvilluar dhe disa ekspozita vetjake.