Gallery70 në Tiranë, gjatë periudhës 25 mars – 9 maj 2021, ekspozoi projektin e fundit nga Ardian Isufi, titulluar “You act like mortals in all that you fear, and like immortals in all that you desire” (Ju silleni si vdekatarë ndaj gjithçkaje së cilës i frikoheni, e si të pavdekshëm në gjithçka që dëshironi). Gallery70-a, një hapësirë trekëndore me një dritare murale xhami, integrohet me qytetin dhe si vizitorët, ashtu edhe kalimtarët rastësorë shohin nga jashtë galerisë një kolazh prej gjashtë pikturash dhe një ujk të balsamosur, të cilët i bashkon një element: Spiderman-i (Njeriu Merimangë), ose më saktë, copëza të tij. Dikur një ikonë e sigurisë për njerëzimin, një mit kapitalist i ngritur në qiell nga njeriu, tashmë Njeriu Merimangë dergjet nën këmbët e ujkut, i mbathur nga ai si këpucë.
Ardian Isufi artikulon konceptin e “mitit kapitalist”, një ideje të gjeneruar nga krijimtaria njerëzore gjatë shekullit XXI dhe periudhës post-moderniste. Për vite me radhë Njeriu Merimangë u përshtat nga pop-kultura si një trajtë mbinjerëzore, një fuqi që synonte të mbronte njerëzimin nga rreziku. Megjithatë, Ardian Isufi e sheh tashmë si një koncept të ndryshëm nga origjina dhe roli i tij fillestar. Sot, Njeriu Merimangë trajtohet jo më si një mit, por një produkt konsumi. Misticizmi që e karakterizonte natyrën e tij, sipas autorit, është zhdukur gjatë realizmit kapitalist dhe pasigurisë që endet nëpër botë. Njeriu Merimangë ka humbur kontrollin mbi botën, por edhe mbi vetveten. Gjendet i copëzuar e i trupëzuar nëpër pikturat e epokave të ndryshme kohore, në situata shoqërore të palidhura me funksionin e tij.
Ka dy motive që shoqërojnë Njeriun Merimangë në secilën nga gjashtë pikturat e kolazhit: ai nuk është asnjëherë i plotë, kështu në pamundësi për të zotëruar fuqinë e tij. Së dyti, ai shoqërohet gjithmonë nga kamera që e vëzhgojnë, pavarësisht epokës historike ku ndodhet dhe mundësisë teknologjike për të pasur kamera në atë çast.
Njeriu Merimangë i Ardian Isufit shpërndahet në një kolazh me kohështrirje të gjatë, që nis nga antikiteti dhe duket se përfundon diku gjatë Revolucionit Industrial. Në pikturën që duket se i përket periudhës më të hershme, njerëzit mahniten nga një dhomëz që shfaqet nga qielli, qëndron pezull dhe përmban një ekran. Dhomëza është shpërfaqur sporadikisht dhe ndërhyn me dritë të fortë në jetët e njerëzve që e vëzhgojnë dhe reagojnë ndaj kësaj shfaqjeje të parë të teknologjisë.
Në tablotë në të majtë, tregtarët romakë orvaten të shesin copëza të Njeriut Merimangë, i peshojnë dhe i vlerësojnë për konsumatorët, të vëzhguar gjithmonë nga kamerat. Pranë saj, tregtarë mesjetarë vijojnë punën e tyre të pashqetësuar edhe pse fytyra dhe pjesë të tjera të Njeriut Merimangë uzurpojnë pjesërisht hapësirën e tregut, e kamerat vëzhgojnë nga kioskat. Në një pikturë tjetër, punëtorët e asaj çka ngjan si një uzinë po paketojnë copëza të Njeriut Merimangë, ndërsa sipër saj busti i Njeriut Merimangë përshkon kuzhinën e një restoranti, ku puna vijon me ritmin e zakonshëm.
Piktura më e madhe e ekspozitës, pozicionuar përballë dritares së xhamtë, ofron një peizazh blegtoral, të paqtë dhe me kafshë fermash të cilët vijojnë jetën të pashqetësuar nga krahët e Njeriut Merimangë që dalin prej asgjësë dhe përshkojnë jetën e fshatit. Xhami që mbron tablonë është thyer, njëlloj si miti kapitalist. Përballë saj, ujku i balsamosur mbath çizmet me lëkurën e Njeriut Merimangë dhe sheh kërcënueshëm drejt hyrjes.
*Lindur në Tiranë më 1973, autori Ardian Isufi është diplomuar për Arte Grafike pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, ku më pas është punësuar si profesor dhe dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura. Prej vitit 1995 ka qenë aktiv në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor si artist, kurator dhe kritik arti. I ndjeshëm ndaj çështjeve publike e sociale, vepra e tij trajton pozicionin e personit dhe realitetit që e rrethon, shpesh me humor. Ardian Isufi është vlerësuar dy herë me çmimin “Onufri” në Konkursin e Arteve Pamore, përkatësisht me çmimin e dytë më 1996-ën dhe me çmimin e tretë më 2005-ën. Ka fituar çmimin e parë si Artisti më i Mirë nga Fondacioni AIITC më 2006-ën dhe nga Galeria Zenit më 2007-ën, krahas të tjerëve.