Galeria “Zeta” vjen me edicionin e 12-të të çmimit “Ardhje” 2020, në ekspozitën përkatëse të të cilit paraqiten finalistët e këtij çmimi, të cilët janë: Bib Frrokaj, Lori Lako, Floida Skraqi dhe Vangjush Vellahu. Të katër artistët vijnë me video-instalacione që shqyrtojnë tematika të ndryshme dhe të veçanta për sa i përket mënyrës së shqyrtimit. Juria përbëhej nga: Christiane Kada, Leonard Qylafi dhe Francesca Altamura, të cilët zgjodhën fituese, gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës më 12 nëntor, artisten Lori Lako, me veprën e saj “Suspence”.
Instalacioni i saj përfshin një video dhe një pamje fotografike të shtypur në përmasa të mëdha. Në video, çfarë ka mbetur pezull është impianti industrial i periudhës së realizmit socialist. Përgjatë një teleferiku, njëri nga vagonët qëndron në pritje, kapur në kavot metalike, i ngarkuar me gurë gëlqerorë sikur pret të shërbejë me dinjitet tek impianti, por në çastin kur mekanizmat ndalojnë, ai ka përshkuar një rrugë të gjatë nëpër kodra dhe tanimë është shumë larg që të shohë se godina e tij është braktisur. Imazhi i printuar është një mbivendosje e dy çasteve të ngrira të dy videove të ndryshme, pra, një pamje e vagonit të mbetur pezull dhe një personi pranë një punishteje gëlqereje të ditëve të sotme, i “mbytur” në tym nga mënyra ende primitive e djegies. Përsëri dëgjohet sikur motorët ende lëvizin dhe vagonëve vazhdojnë t’u hedhin gurë të ftohtë në metaliken e tyre. Siç komunizmi shkaktoi këtë gjendje të pezullt në Shqipëri, pas rrënimit të industrializimit të premtuar, zhurma e gurëve të thërrmuar mbetet, ndonëse godinat janë braktisur prej kohësh.
Bib Frrokaj vjen me një video-film emërtuar “Pritja e gjatë”; artisti shfaqet si në një etyd plastik teatral, në marrëdhënie me objektin. Ai pret këmbëzbathur, mbështetur mbi një bllok guri, rrotulluar apo shtrirë mbi të, anash tij, në një rrugë të gjerë e të pafund aeroporti të braktisur me blloqe betoni përgjatë gjithë pistës. Në fund të videos, pas lëvizjes përqark vendit të tij të çlodhjes, artisti fshihet i shtrirë pas bllokut, ku të krijohet bindja se pas çdo blloku gjenden të tjerë njerëz, një shoqëri e tërë që pret fluturimin e anuluar të shënojë në ngjyrë të gjelbërt.
Floida Skraqi sjell videon “Mundimi i Sizifit”, ku mbi një gur të ngjeshur, të rrumbullakët e në ngjyrë paksa të kaltër, ajo gërryen me majën e thikës, a të tjera mjete të forta metalike. Fillon ta formësojë me shumë mundim. Çdo herë provon një mënyrë tjetër e si vetë kuptimi figurativ i legjendës “Mundimi i Sizifit”, ajo përpiqet gjatë e mundimshëm, por vazhdon e rrotullon gurin pa arritur asgjë. Nga gërryerja në dukje e papërfillshme, ajo arrin të mbledhë pak pluhur në duart e saj, rënë në tryezë gjatë procesit të copëzimit. Këtë masë të vogël e vendos mbi një aparat celular të përdorur si peshore, e cila nuk tregon asnjë numër. E gjithë puna sfilitëse rezultoi në pak pluhur të shkundur, që vendoset për të matur peshën e tij të pavlerësueshme.
Vangjush Vellahu vjen me video-instalacionin “A tool of resistence” (“Një mjet qëndrese”), ndarë në dy ekrane, ku në dy kanale të ndryshme shfaqen ngjarje nga Bregu Perëndimor, mes popullit izraelit dhe atij palestinez, një përplasje që duket se nuk ka fund. Trajtimi i padrejtë i palestinezëve nga ushtria izraelite është thelbi i kësaj videoje, dukuri e cila njihet, veçse jo mjaftueshëm, për shkak të forcës së popullit izraelit, në krahasim me atë palestinez. Në dokumentar jepen si filmime të artistit, ashtu edhe pjesë të marra nga grupi vendas “Human Right Defenders”, të cilët me anë të botimit të videove kanë gjetur një mënyrë tjetër të kundërluftimit. Guximi dhe rreziku që ndërmarrin, krijojnë një vlerë të pamohueshme të dokumentarëve të tillë, të cilët trajtojnë nga afër këto tema, me qëllim ndërgjegjësimin mbi të drejtat themelore të njeriut.
Mbi artistët
Bib Frrokaj ka lindur në Lezhë më 1992. Ka ndjekur studimet në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër (2011-2014) dhe në Universitetin e Arteve në Tiranë (2014-2016). Frrokaj jeton dhe punon në qytetin e lindjes. Veprat e tij janë ekspozuar në këto hapësira artistike: Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër (Shqipëri, 2019-2020); galeria FAB, Tiranë (Shqipëri, 2019); Galeria e Arteve (finalist i çmimit “Idromeno”, edicioni i 5-të, 2017), Shkodër (Shqipëri); (“View on my Neighbour”), Galeria e Institutit Francez, Beograd (Serbi) dhe Pertovic Krusovci Palace, Podgoricë (Mal i Zi, 2017); Ekspozita Botërore e Bienales së Fotografisë Studentore/“World Biennial Exhibition of Student Photography” (Serbi, 2015); (“Retro Time”), Galeria e Arteve, Pogradec (Shqipëri, 2015); “Bienalja e vizatimit”, Ferizaj (Kosovë, 2016, 2014); “Ditët e kulturës”, Ferizaj (Kosovë, 2015).
Lori Lako ka lindur në Pogradec më 1991 dhe jeton e punon në Itali. Është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence dhe ka studiuar në nivelin master në Mynih (Akademie der Bildenden Künste). Veprat e saj janë ekspozuar në këto hapësira artistike: Muzeu i Nëntëqindës (Museo Novecento) Firence (Itali, 2020); galeria “Zeta”, Tiranë (Shqipëri, 2020); Villa Reale, Monza, (Itali, 2019); Espace Témoin, Gjenevë (Zvicër, 2019); Lo schermo dell’Arte, Firence (Itali, 2019); Casa Testori, Milano (Itali, 2019); Manifattura Tabacchi, Firence (Itali, 2019); Terzopiano Arte Contemporanea, Luka/Lucca (Itali, 2019); Art House, Shkodër (Shqipëri, 2019); Galeria e Artit, Shkodër (Shqipëri, 2018); CENTRO PECCI, Prato (Itali, 2017) dhe Tirana Art Lab, Tiranë (Shqipëri, 2016).
Floida Skraqi ka lindur në Lushnjë më 1989 dhe jeton e punon në Itali. Është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, në Milano (Itali, 2015). Veprat e saj janë ekspozuar në këto hapësira artistike: Espace Moss, Bruksel (Belgjikë, 2019); Muzeu Macro, Romë (Itali, 2019); Festivali i filmit Queer, Bruksel (Belgjikë, 2018); Cunst-link, Bruksel (Belgjikë, 2018); Sofia Underground, Festivali Ndërkombëtar i Artit të Performancës, Sofje (Bullgari, 2018); Millennium Iconoclast Museum of Art, Bruksel (Belgjikë, 2018); CIAC Centro Italiano Arte Contemporanea, Folinjo/Foligno (Itali, 2017); Bienalja e 18-të e Mesdheut për Artistët e Rinj, Projekt Paralel, Tiranë (Shqipëri, 2017); Festivali i Performancës, Fylkingen, Stokholm (Suedi, 2016); Giardini di Pietra, Parco delle Cursi, Leçe/Lecce (Itali, 2016); Bienalja e 17-të e Mesdheut për Artistët e Rinj, Fabbrica del Vapore, Milano (Itali, 2015) dhe Muzeu i Dëshmisë e Kujtesës, Shkodër (Shqipëri, 2015).
Vangjush Vellahu ka lindur në Pogradec më 1987 dhe jeton e punon në Pogradec dhe Berlin. Ai është diplomuar në Universitetin Kombëtar të Arteve në Bukuresht (Rumani), si dhe ka studiuar në nivelin master në universitetin e arteve “Muthesius”, në Këln (Gjermani, 2016). Veprat e Vellahut janë ekspozuar në këto hapësira artistike: Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor, Rijeka (Kroaci, 2019); Kunstquartier Bethanien, Berlin (Gjermani, 2019); Škuc Galeri, Ljubljanë (Slloveni, 2019); Tranzit, Kluzh (Rumani, 2019); Hestia Art Residency & Exhibitions Bureau, Beograd (Serbi, 2018); Alert Studio, Bukuresht (Rumani, 2018); Hamburger Bahnhof, muzeu i artit bashkëkohor, Berlin (Gjermani, 2018); Arthur Boskamp Stiftung, Hohenlockstedt (Gjermani, 2018); Muzeu i Artit Bashkëkohor, Akri/Acri (Itali, 2018); Onufri XXIII, Galeria Kombëtare, Tiranë (Shqipëri, 2017); Bienalja e 18-të e Mesdheut për Artistët e Rinj, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë (Shqipëri, 2017); Galeria Kombëtare, Pragë (Çeki, 2016); Muzeu Fladernbunker, Kiel (Gjermani, 2016); Qendra e Artit “Victoria”, Bukuresht (Rumani, 2016); Atelierhaus im Anscharpark-Haus 8, Kiel (Gjermani, 2016); Brunswiker Pavillion, Kiel (Gjermani, 2015) dhe Anscharpark-Haus 8, Kiel, (Gjermani, 2015).