Më 4 deri më 13 nëntor 2019 galeria “Zeta” hapi ekspozitën me punimet e finalistëve të çmimit “Ardhje” 2019: Blerta Hoçia, Endri Dani, Elian Stefa dhe Matilda Odobashi.
Artistja Blerta Hoçia u paraqit me një instalacion, emërtuar “A i kujtohem unë vetes?”. Kjo punë vjen si rrjedhojë e përvojës së saj me fotografinë dhe arkivat fotografikë, duke u përqendruar (në këtë rast) te turmat e mëdha gjatë takimeve zgjedhore prej të cilave artistja shkëput portrete të njerëzve të ndryshëm, duke i paraqitur më vete e duke krijuar përshtypjen se këto portrete i përkasin një tjetër kohe, vendi, gjendjeje nga ajo prej së cilës janë shkëputur. Për arsye se portretet janë shtypur në sipërfaqe të rrafshëta, të tejdukshme dhe të vendosura vertikalisht pingul me murin, ato lejojnë ndërfutjen e pamjes te njëra-tjetra. Përmes kësaj pune Blerta Hoçia rikthen vëmendjen te shtypja nga pushteti si një dukuri gjithëkohore brenda së cilës turma, në mënyrë krejt të pavetëdijshme, luan rolin që i caktohet nga politika.
Ndërkohë, puna e artistit Endri Dani (fitues i çmimit “Ardhje” 2019) përqendrohet te marrëdhënia e njeriut me natyrën, duke e hulumtuar këtë nga bashkëpunimi me disa (22) bujq. Instalacioni i paraqitur prej tij në ekspozitë përmblidhet në 22 pllakëza qelqi laboratorike, vendosur horizontalisht pingul me murin, në çdonjërën prej të cilave është vendosur dhè, përftuar pas larjes së duarve të bujqve çdo ditë pas përfundimit të veprimtarisë bujqësore, para kthimit në shtëpi. Kjo shtresë dheu, e cila përbën shtresën e katërt (për një kohë të caktuar) sipër tri shtresave të lëkurës, i jep edhe emrin punimit të tij artistik, “Shtresa e katërt”.
Elian Stefa përfaqësohet në ekspozitë me një video-instalacion, përbërë prej dy ekranesh, vendosur përballë (në mur) dhe poshtë (në dysheme). Vendosja e ekraneve në këtë mënyrë krijon përfytyrimin e një çasti të përjetuar më herët prej autorit, lundrimin me barkë motorike në drejtim të ishullit të Sazanit. “Kuajt e bardhë”, siç emërtohet vetë punimi i Elian Stefës, sipas mitologjisë greke, formohen prej shkumës së detit nën fuqinë e perëndisë Poseidon. Më tej, sipas kulturave të tjera, simboli i kalit të bardhë është ndjellakeq dhe në punën e Elian Stefës shërben si paralajmërim për rrezikun që i kanoset ishullit të Sazanit prej politikave zhvillimore lidhur me hapësirën në fjalë.
Matilda Odobashi paraqitet me një sërë vizatimesh të cilat qëndrojnë në mur të pakornizuara, pa shkëputje nga njëra-tjetra dhe bashkëngjitur, duke formuar një kënd të drejtë me murin, qëndron gjithashtu një instalacion (sipërfaqe plastike). Vizatimet mbartin në vetvete përpjekjen mbi hulumtimin ndaj marrëdhënieve njerëzore. Nga ana tjetër, perdet e varura plastike përbëjnë një pengesë disashtresore, ndonëse të brishtë. Ajo që bie në sy te të dyja punët e Matilda Odobashit është tipari i turbullirës, duke na nxitur të zbulojmë shtresën e padukshme (nëntekstin) brenda tyre.
Sipas jurisë, artistët i patën vendosur qartë parametrat estetikë dhe konceptualë për praktikat përkatëse dhe patën shtruar pyetje me vlerë mbi jetën dhe artin, mirëpo, sidomos për nga qartësia e artikulimit, Endri Dani ka dëshmuar një thellim në historinë e artit përmes lëndës së zgjedhur dhe mënyrës si kthehet në lëndë të parë për veprën, për t’iu drejtuar çështjeve që lidhen me globalizimin, siç është ajo e marrëdhënies së njeriut me natyrën.
Çmimi “Ardhje” 2019 është mbështetur nga Ministria e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, The Trust for Mutual Understanding – New York, YVVA – The Young Visual Artists Awards dhe Residency Unlimited – New York.
*Blerta Hoçia lindi në Tiranë më 1984. Studimet i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence (2003 – 2008). Sot jeton dhe punon në Tiranë e Prishtinë. Ajo është një nga bashkëthemeluesit e galerisë “Miza” (Tiranë). Veprat e saj janë paraqitur në: Dokufest (Prizren, 2019); Galerinë Kombëtare të Kosovës (Prishtinë, 2018); Qendrën Zeta (Tiranë, 2016); Galerinë e Arteve (Shkodër, 2015); Muzeun Tornieli, Ameno (Novara, 2015); Galerinë Magma (Firence, 2013); Galerinë “Miza” (Tiranë, 2013); Qendrën Pächterhaus (Kreuzberg Berlin, 2013). Hoçia ka qenë kuratore në ekspozita dhe ngjarje të ndryshme artistike brenda e jashtë vendit.
*Endri Dani lindi në Shkodër më 1987. Studimet i kreu në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006 – 2010), ku jeton e punon. Ai është një nga bashkëthemeluesit e galerisë “Miza” (Tiranë). Veprat e tij janë paraqitur në bienalen “Kochi-Muziris” (Indi, 2016); bienalen “Fin del Mundo” (Argjentinë, 2015); Bienalen e Marrakech-it (Marrakech, 2014), apo në muze të ndryshme, si: The Israel Museum (Jeruzalem, 2019); Qendra “Georges Pompidou” (Paris, 2016); MuCEM (Marsejë, 2016); Muzeu i Artit Bashkëkohor – Ludwig Museum (Budapest, 2016); Fondacioni “Pino Pascali” (Itali, 2015) dhe Galeria Kombëtare e Arteve (Tiranë) etj.
*Elian Stefa lindi në Vlorë më 1985. Studimet i kreu në Universitetin Politeknik të Milanos (2003 – 2009) dhe sot jeton në Tiranë e Vlorë. Ai është themelues i hapësirës së pavarur kushtuar artit bashkëkohor, “Galeria e Bregdetit”, në Radhimë (Vlorë). Veprat e tij janë paraqitur në: Galerinë Arup Phase2 (Londër, 2011); Kunst Raum Riehen (Bazel, 2012); Tulla Culture Center (Tiranë, 2015); LimeWharf (Londër, 2017); Galeria e Bregdetit (Vlorë, 2019), apo në muze të ndryshme, si: Muzeu i Kulturës (Helsinki, 2010); MAO (Ljubljanë, 2019) apo në bienale të ndryshme, si: EXD’11 Experimenta Biennale (Lisbonë, 2011); edicioni i 13-të i Bienales së Arkitekturës (Venecia, 2012); edicioni i 1-rë i Bienales së Dizajnit (Stamboll, 2012); Culturescapes Balkan Edition 2013 (Bazel, 2013); edicioni i 14-të i Bienales së Arkitekturës (Venecia, 2014). Stefa ka qenë kurator në ngjarje të ndryshme artistike brenda dhe jashtë vendit.
*Matilda Odobashi lindi në Tiranë më 1988. Studimet i kreu në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006 – 2010), ku jeton dhe punon. Ajo është anëtare e Rrethit Lakanian në Tiranë që prej vitit 2012. Ka punuar si zv/profesoreshë në Universitetin e Arteve (2012 – 2015). Veprat e Odobashit janë paraqitur në: çmimin “Muslim Mulliqi”, Galerinë Kombëtare të Kosovës (Prishtinë, 2018); Size Matters (Vjenë, 2018); Traklhaus auf der Festung (Salzburg, 2016); Qendrën Zeta (Tiranë); FLUC (Vjenë, 2017); Sammulung der Nationalen Kunstgalerie und Zietgenossische Kunstler (Düsseldorf, 2015); Qendrën për Art Bashkëkohor – Tirana Art Lab (Tiranë), apo në muze të ndryshme, si: Muzeu i Artit Bashkëkohor – Ludwig Museum (Budapest, 2016); Galeria Kombëtare e Arteve (Tiranë) etj.