“Pezull” emërtohet ekspozita vetjake e artistes Blerta Xhomo, kuruar nga Vladimir Myrtezai, hapur në galerinë “FAB”, në Tiranë, përgjatë datave 6 – 16 janar 2020.
Janë disa ciklet përmes të cilave autorja zgjedh të shpërfaqë botëkuptimin e vet dhe ndjeshmërinë me të cilën ajo përjeton gjithë çka ndodh dhe e rrethon. Filli lidhës, i dukshëm mes cikleve, sendërtohet kryesisht përmes ngjyrave: e bardhë, blu dhe vjollcë – spikatëse për ftohtësinë e tyre, ndoshta kjo si një lloj treguesi i paanshmërisë nga ana e autores në temat që ajo prek, ndoshta si një lloj dëshmie e mosndikimit të arsyes (së shikuesit) përmes ndjenjës.
Në temat që autorja zhvillon, mes të tjerash renditen: mundimi, ikja/qëndresa, vetësakrifikimi dhe ngadhënjimi, në shtjellimin e të cilave rendja nga vetjakja tek e përbashkëta dhe anasjelltas është një prej tipareve që bien më tepër në sy. Spikat në këtë rrugëtim njeriu po aq sa bashkësia, porse me një shtjellim të atillë i cili nuk i jep tipare protagonistit (kryeheroit/kryeheroinës), kështu që, lehtësisht, ai/ajo mund të jetë njëri prej nesh.
Pavarësisht larmisë tematike, fund e krye, qeniet që frymojnë në veprat në fjalë, i bashkon gjendja e pezullt. Ciklet, të cilat e mbartin këtë emërtesë (“Pezull”), janë ato të cilat paraqesin qartazi fillpërshkimin (trajektoren) nga ngritja në rënie dhe anasjellas të përfaqësuesve të gjinisë njerëzore, burrit dhe gruas. Përpos kësaj, siluetat e Blerta Xhomos janë të kthjellëta për sa i përket vetëdijes, ndonëse shpeshherë të mbytura në dëshpërim. Në përkuljen, përgjunjjen, në krejt përthyerjen e tyre trupore ka mundim, me shumë gjasa edhe të tejskajshëm. Sidoqoftë, ato përfaqësojnë njeriun e munduar, kurrsesi njeriun e mundur.
Personazhet e Blerta Xhomos vijnë edhe prej lashtësisë. Mes kaosit bashkëkohor dhe stërmundimit vetjak, Prometeu i sotëm ka betejat e veta, duke përballuar mundimin e përcjelljes së dritës, e cila është jo pak e pranishme në ekspozitë përmes përdorimit të ngjyrës së bardhë; po ashtu, në gjithë shtjellën marramendëse të bashkëkohësisë, një grimcëz femërore përskuq dhe josh si embrion i rinisjes së gjithçkaje nga e para. Por e gjithë kjo vjen si frymë, jo si rrëfim në ekspozitë: artistja e shmang atë (rrëfimin), sepse për të nuk është parësor se kush është subjekti, çfarë pamjeje të jashtme ka, cilës kohë të zhvillimit njerëzor i përket. E rëndësishme është gjendja, ndjesia. Përparësi nuk marrin shkaqet që e bjerrin njeriun. Më e vlerë është gjallëria me të cilën ai vendos të ngrihet e ringrihet pafundësisht, që prej zanafillës.
* Blerta Xhomo ka kryer studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura (Tiranë), dega pikturë, specialiteti grafikë (1987-1991). Është vlerësuar me çmimin e parë si piktore në festivalin e 10-të të filmit shqiptar (“Gjiganti i vetmuar”,1995), si dhe në festivalin e 13-të “International Panorama of Indipendent Filmarker” në Patras, Greqi (“Liria e Madhe”, 2012). Ka marrë çmim në ekspozitën ndërkombëtare WAART Contemporary Award fort Art (2013).
Ekspozitat vetjake: “Java ballkanike”, Apoloni (2009); “Trashendenca si trup i mendjes”, galeria FAB, Tiranë (2015); “Rrugëtim”, Biblioteka Kombëtare, Prishtinë, (2016). Ekspozitat e përbashkëta (Shqipëri): “Onufri”, Tiranë (1991); “Portret”, “Art Space Galeri”, Tiranë (2013); “Expo Art Tirana” (2016, 2018), “Brezat” (2016), “La solitudine dell angelo” (2019), Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë. Ekspozitat e përbashkëta (Itali): “L’identita Albaneze”, Noto (2012); “Award for art”, Casole D’Elsa (2012); “Mediterraneo di WART”, Firence (2013); “International Contemporary di WART”, Firence (2013); “Il labirinto Dell’ipnotista”, Como (2016); “WARD fort Art” Casole D’elsa, Siena (2016), si dhe në galerinë “G. Boccaccio”, Certaldo (1991) dhe në pallatin “Medici Riccardi”, Firence.