Bora Baboçi erdhi në Bazament Art Space me ekspozitën vetjake “Murmur / Murmurim” që prej 31 majit deri më 20 qershor 2019.

...

Ekspozita, shtrirë në dy mjediset e galerisë u bë e prekshme përmes dy teknikave të ndryshme, të dyja gjithaq të lehta, duke përfshirë tri punimet në hyrje, si dhe përvijëzimet dekoruese në panelet e gipsit në mjedisin qendror, duke krijuar kështu një shkrirje me sfondin, si një ftesë e tërthortë, por këmbëngulëse për vëmendjen e vizitorit.

(Sipas shkrimit kuratorial) Muri mbajtës i sallës së parë së galerisë përmban dy vizatime nga Seria Areale teksa një vizatim i tretë i shtohet serisë, duke krijuar idenë e një muri provizor, por në gjendjen e tij të çmontuar në gjashtë panele gipsi.

Bora Baboçi solli një konfigurim të ri ekspozues. Në sallën kryesore, panelet e gipsit u montuan duke u kthyer në një mur. Rozetat u shfaqën mbi të si sprova të një gjeometrie floreale që zgjasin bashkëjetesën me këto sipërfaqe, si dhe shoqërojnë një reflektim mbi natyrën e tyre – skenografike, performative, të njëkohshme e kalimtare, sikur të kishin përvetësuar cilësitë e një projeksioni muri.

* Bora Baboçi, lindur më 1988 në Tiranë (Shqipëri), jeton dhe punon po në Tiranë. Ajo ka studiuar për dizenjim arkitekturor dhe kritik në Universitetin e Torontos, në universitetin “Torcuato Di Tella” në Buenos Aires dhe ka studiuar të njëjtën fushë në nivelin master në Universitetin Politeknik të Katalunjës (Catalunya). Frymëzuar nga kultura popullore, informaliteti qytetës dhe folklori, krahas studimeve të saj ajo u ushtrua në artet pamore dhe performative. Duke filluar që prej vitit 2015 Bora Baboçi punoi si hulumtuese dhe ndihmësakademike në “Technischen Universität” në Berlin, duke u përqendruar në strehimin eksperimental dhe tipologjitë publike në kuptimin e mërgimit ndërkombëtar. Përgjatë vitit 2017 ajo ka marrë pjesë në një sërë vendqëndrimesh dhe ka punuar në drejtim të një ushtrimi të pavarur dhe eksperimental.