Kundër titullohet ekspozita vetjake e artistes Marina Sula, me tekst kuratorial të Maximilian Geymüller. Ekspozita përmban fotografi të dimensioneve të ndryshme të vendosura në të gjithë hapësirën e Bazament Art Space dhe do jetë e hapur për publikun nga data 30 qershor deri më datën 7 gusht 2022, Tiranë.
E gjithë puna e artistes në këtë ekspozitë përqendrohet në mediumin e fotografisë, duke pasqyruar përmes saj imazhe që ndërlidhen me rrethanat e një hapësire. Ato shfaqen në dy situata të ndryshme: aktive dhe pasive, të cilat ekspozohen si zgjatim i njëra-tjetrës.
Përgjatë gjithë hapësirës së Bazament Art Space janc ekspozuar fotografi me përmasa të mëdha të një studioje xhirimi në tonalitetet e blusë, tek shfaqen disa aktorë dhe një staf filmik gjatë xhirimeve. Anëtarët e ndodhur në atë hapësirë, shfaqen në hije dhe të paidentifikueshëm teksa janë të pozicionuar në vendet përkatëse.
Këtyre fragmenteve u bashkëvendosen disa fotografi në përmasa të vogla, të kompozuara brenda në kuadër. Situatat e pasqyruara në to janë pjesë e filmit Wag the Dog, teksa shfaqin skena vendimtare nga filmi i 90-ave. Një pjesë e këtyre fotografive është e shkrepur në ambientet e një dhome hoteli, të cilat kanë fokusuar detaje të pajisjeve telefonike dhe shtëpiake.
Ndërlidhja e këtyre dy situatave krijon një paqartësi midis metafizikes së ekranit blu, që mbulon pjesën më të madhe të fotografisë, dhe shkrepjet e detajuara që rezultojnë të jenë të pamjaftueshme për të rrëfyer diçka.
*Marina Sula lindur në 1991 në Lezhë, Shqipëri. Aktualisht jeton dhe punon në Vjenë, Austri. Marina u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë, pas studimeve për Histori Arti në Universitetin e Vjenës. Artistjaka marrë pjesë në tetë ekspozita që prej vitit 2014, ndër të cilat katër prej tyre janë vetjake, të ekspozuara në: Shqipëri, Austri dhe Itali. Puna e saj fokusohet në mediume të ndryshme duke përfshirë: instalime hapësinore, fotografi, skulptura dhe vizatime abstrakte digjitale, të bëra me majat e gishtave të dorës së artistes në pajisjen e saj celulare dhe të përkthyera në vizatime abstrakte. Gjithashtu praktika e saj artistike eksploron dinamikën, ndikimet dhe ndjenjën që ndodhin brenda përvojave dhe komunikimit të ndërmjetësuar teknologjikisht për të zbuluar çarjet dhe këputjet e vetvetes. Ekspozita e saj Soft Power, në Galerie Gabriele Senn në Vjenë në fund të vitit 2016, u vlerësua për përdorimin e strategjive të reklamimit, performancës së mediave sociale dhe afërsisë së dashur në rituale të tilla të mirëqenies si pastrimi i trupit për të shpërndarë dallimet midis së brendshmes dhe së jashtmes apo privatësisë dhe ekspozimit.