Tirana Art Lab (TAL – Qendër për Artin Bashkëkohor) dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë kanë mundësuar ekspozitën “Doublefeature #9”, sjellë nga artistët Gabriele Rendina Cattani dhe Ilir Lluka. Ekspozita – në përmbajtje të së cilës janë instalacioni, videoja, komunikimi elektronik dhe fotografia -është kuruar nga Adela Demetja dhe është shfaqur për herë të parë në hapësirën e TAL-it më 21 prill 2018, për të qëndruar e hapur deri më 2 qershor 2018.
“Doublefeature #9” është një ekspozitë me dy autorë, të cilët u përkasin dy kombeve të ndryshme, që përfaqësohen në ekspozitë me mediume të ndryshme, por që duket se të dy i bashkon shqetësimi i artistit bashkëkohor, shqetësim i cili lidhet më së shumti me problemet urbane.
Artisti italian Gabriele Rendina Cattani (i cili ka lindur dhe punon në Romë, Itali) paraqitet në ekspozitëpërveç të tjerash me një instalacion: 3 pajisje plotësuese të një sheshi ndërtimi janë vendosur në mënyrë të çrregullt në hapësirën kryesore të TAL-it dhe në brendësi tëtyre ka të tjera pajisje qëpërcjellin tinguj të regjistruar nga autori në hapësira urbane në orare të ndryshme të ditë-natës, tinguj të dukurive atmosferike, të zhurmnajës së automjeteve e deri te zëri njerëzor.
Në varësi të pozicionit të brendshëm të pajisjeve zanore, tingujt, ndonëse të njëjtë nga njëra enë në tjetrën, përftohen ndryshëm. E gjithë kjo, zaptimi i hapësirës nga njëra anë dhe kënddëgjimi i ndryshueshëm i tingujve nga ana tjetër, duket se i shërbejnë artistit si mënyra për të përcjellë te vizitori këndvështrimin e vet analitik dhe kritik ndaj aktualitetit.
Nga ana tjetër, në qëndrim krahasimor me të djeshmen, aktualiteti krijon pakuptueshmëri dhe kureshtje tek artisti.
Këndi tjetër në dispozicion të artistit italian paraqet një tërësi fotosh (qëllimisht jo fort cilësore teknikisht) që paraqesin mjedise të brendshme banimi dhe që sot mund të jenë në shërbim të kujtdo në varësi të pagesës. Dje? Dje ato kanë qenë të veshura plot mister, duke qenë pjesë e të ashtuquajturit “Bllok”.
Artisti shqiptar Ilir Lluka (i cili ka lindur dhe punon në Tiranë) paraqitet në ekspozitë përmes dy videosh, të cilat mjegulltazi pasqyrojnë pamje urbane, ana e fortë e të cilave është tingulli, i cili nuk përçon asgjë tjetër përpos ankthit, shqetësimit. Nuk është e qartë ndarja fillim-mbarim në këto video, por është mjaft e qartë që këto video janë në vetvete klithma.
“Të dy artistët mund të cilësohen si kompozitorë të muzikës elektronike bashkëkohore”, përmendet shprehimisht në tekstin kuratorial; kjo pasi në themel të punëve të dy artistëve ngarkesën më të fortë ideore, por pse jo edhe emocionale, e mbart tingulli.
Themi pse jo edhe emocionale, pasi në plan të parë krijimet duken të zhveshura nga ky përjetim, për shkak se ato karakterizohen nga abstraksioni dhe eksperimenti.
Gabriele Rendina Cattani është një artist që punon kryesisht me kolona zanore: kompozime kompjuterike gjithëpërfshirëse të përqendruara mbi kufijtë dhe kufizimet e një mjedisi digjital dhe mbi mënyrën e ndikimit të tyre mbi kujtesën dhe kuptimin e asaj çka na rrethon. Kompozimet e tij dhe instalacionet audio-pamore janë paraqitur në institucione dhe hapësira të ndryshme kulturore, kryesisht në Itali dhe Francë.
Ilir Lluka është një artist audio-vizual dhe kompozitor i muzikës elektronike, aktiv në fushat e muzikës “drone” dhe eksperimentale. Lluka ka studiuar në mënyrë autodidakte teknikat e dizajnit të tingullit dhe sintetizimit në një nivel akademik dhe praktik. Ilir Lluka është autor i disa sintetizatorëvesoftware që tani përdoren prej publikut. Gjithashtu, ai është pjesëmarrës në një sërë ekspozitash kombëtare dhe ndërkombëtare. Ilir Lluka është fitues i çmimit “Onufri XXII”, 2016.