Ekspozita “Edi Hila, Piktori i Transformimit” në Galerinë Kombëtare të Arteve përgjatë datave 24 maj– 29 korrik 2018, është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë. Kjo është ekspozita e parë retrospektive e piktorit Edi Hila në Shqipëri. “Mbjellja e pemëve”, piktura e kritikuar si shprehëse e prirjeve estetike perëndimore të kohës, piktura së cilës i mungonte optimizmi revolucionar, është tabloja hapëse e ekspozitës së piktorit Edi Hila.
E gjithë ekspozita, e cila përmban rreth 100 krijime, ndahet në cikle, ndër të cilat përmendim:
*“Kërcënimi”, i cili ndonëse përfshin tematika lirike si dasma apo panorama mbrëmjesore përshkohet nga fije të dukshme të lirisë kërcënuese apo së frikës së shtrirë kudo.
*“Marrëdhëniet”. Nga vetë emërtesa ky cikël trajton bashkëveprimin mes njerëzve piketa të të cilit janë dëshira për afrim mes tyre dhe dyshimi që lind nga ky bashkëveprim; largësia e padëshiruar dhe nënshtrimi ndaj rrethanave social-politike apo emocionale.
*“Penthouse” (Penthauz) është një tjetër cikël i cili pasqyron shndërrime arkitekturore në fortesa, ndërtesa imagjinare, të cilat duket se dëshmojnë nevojën e mbrojtjes si rrjedhojë e pasigurisë, ndonëse në një realitet bashkëkohor.
*Cikli “Tenda mbi çatinë e makinës” përshkohet nga zymtësia dhe problematika shoqërore.
*Triptiku “Njerëzit e së ardhmes” dhe tabloja “Zjarri i zi” përbëjnë krijimet më të forta të ekspozitës për sa i përket ciklit “Emigrimi”. Ndër shqetësimet e autorit renditen arsyet e emigrimit, vazhdimësia e tij dhe ç’është më e rëndësishmja: pasojat e emigrimit për Shqipërinë. Për vetë autorin Edi Hila: “Drama e migrimit masiv dhe mungesa e strategjive të qarta për zgjidhjen e këtij problemi veç se e vështirësojnë krijimin e një vizioni për një të ardhme më të mirë. …Shpesh demokracia bëhet pengesë për vetveten”. (Teksti kuratorial)
*“Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’”, një tjetër cikël i rëndësishëm. Renditen përmes tij institucione të cilat përfaqësojnë pushtete ndikuese në rrugëtimin e këtij vendi. Një bulevard i cili ka përjetuar si marshimet gjatë regjimeve autoritare, ashtu edhe protestat kundër këtyre regjimeve.
*“Ndërtimi është një mënyrë për të shfaqur pushtetin”, shprehet Edi Hila në tekstin kuratorial. Ndërsa në tablo ai zgjedh forma arkitekturore groteske për t’i dhënë formë pamore idesë së mësipërme në ciklin “Pasqyra e tretë”.
*Cikli “Periferitë” pasqyron pikërisht një zonë gjeografike e cila dëshmon nivelin e ulët jetësor dhe intelektual të shoqërisë shqiptare: mungesë organizimi urban dhe shijeje estetike arkitekturore. Vetë autori në tekstin kuratorial i cilëson pamjet “të rënduara dhe primitive”.
*“Paradoks”, cikli i cili vërteton se nuk është e vështirë ta hasësh këtë dukuri në mjedisin shqiptar. Si një tregues mbijetese ndoshta…
Një sërë ciklesh, tashmë jo në pikturë, por grafite, vizatime, skica dhe akuarele në letër titulluar: “Pularia”, “Propaganda”, “Fshati”, “Dinjiteti i njeriut” dhe “Deti i Jugut” janë krijime të cilat u përkasin periudhave të ndryshme si, për shembull, asaj së riedukimit të autorit në mjedisin e klasës punëtore. Nuk mungojnë në ekspozitë as temat vetmitare si autoportreti apo temat lirike që paraqesin çaste intime apo gëzimi, sigurisht të pakta në krahasim me temat e mëdha që paraqesin shqetësimin njerëzor dhe artistik për shoqërinë shqiptare. Nëse mund të flitet për anë njerëzore poshtë regjimeve shtypëse…
Ekspozita është kuruar nga: Joanna Mytkowska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkololli.
Arkitektura e ekspozitës: Büro Meyer-Grohbrügge
*Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ai jeton dhe punon në Tiranë. Është diplomuar në Institutin e Arteve në Tiranë. Ka punuar si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Largimi nga realizmi socialist solli edhe për artistin Hila ndëshkimet përkatëse nga regjimi në fjalë.