Përgjatë një kohe gati të çuditshme për jetën dhe veprimtarinë njerëzore (pandemia Kovid ’19), në hapësirën artistike erdhi një ekspozitë jo fort e zakontë. Nën emërtimin “Ngjyrosje”, ajo përcolli dëshirën e fshehur fëminore të një të rrituri, për të qenë ajo (dëshirë) që është, pa u ndikuar, pa u frikur nga gjykimet, pa shkaktuar ndikim forcërisht. Ngjyrat janë! …dhe bota nuk mund të ishte kaq e bukur pa praninë e tyre: kjo është përmbajtja e ekspozitës; ajo nuk ka qëllime madhore; por ajo këmbëngul të na e kujtojë forcën e ngjyrës në çdo përjetim tonin dhe çdo pasqyrim të tij. Ekspozita erdhi nën autorësinë e artistit Edison Çeraj dhe qëndroi hapur për ndjekësit e artit pamor në Galerinë 70, në Tiranë, mes datave 19 nëntor – 13 dhjetor 2020.
Artist i mënyrave të ndryshme të të shprehurit, Edison Çeraj zgjodhi të përfaqësohej në ekspozitë vetëm përmes pikturës në miniaturë ose më saktë, ngjyrosjes në format të vogël, për sa kohë që çdo pjesëz të kësaj ekspozite ai vetë nuk e ka përcaktuar në gjininë e pikturës; thjesht, gjithë çka paraqitet, përbën një vetëdorëzim në botën e ngjyrave, pa menduar, pa synuar, thjesht një endje drejt çlirimit, për të shkuar drejt dritës dhe për ta pasqyruar forcën e saj për çdo shikues, ndjekës i rregullt i artit ose jo.
Ekspozita “Ngjyrosje” ndërmend botën e përrallave. Në vetëdijen tonë ato janë plot ngjyra e befasi, e ne (fëmijë kohë pas kohe) mrekullohemi pas tyre edhe pa i kuptuar (hera-herës), paçka se në pavetëdijen tonë ato e kanë lënë tashmë gjurmën, për t’u kuptuar, pse jo, në një çast të dytë në jetë, kur vetë jeta të na ketë përballur me gjendjen për të cilën flitet ndërkohë. Pra, e gjithë kjo na sqaron rreth bindjeve të llojeve të ndryshme: për ato që na vijnë forcërisht, kryesisht përmes fjalës dhe veprimit (teorive, ideologjive), si dhe për bindje që na injektohen në gjak përmes ngjyrës (shpirtit) e që rrjedhin vetvetishëm në të. Kjo është ajo, bindja e shëndetshme, e vetmja së cilës duhet t’i “nënshtrohet” njeriu, artisti po e po; ky duket se është mendimi që përcillet përmes llojit të kësaj ekspozite.
Pika më e fortë e ekspozitës ishte pikërisht këmbëngulja për të pasqyruar pjesën e pavetëdijshme dhe të papërpunuar të njeriut dhe artistit njëherazi, dëshira për të bërë të dukshme kohën kur ndjesia e dëbon arsyetimin dhe e lë veten të lëkundet në larminë e ngjyrave, pa u shqetësuar fort nëse vepra apo tërësia e veprave në fjalë janë në përputhje me mendimin që përfaqësuesit e botës së artit (dhe jo vetëm) kanë për artin në fjalë apo jo. Është pikërisht kjo ajo çka e vret veprën apo artistin: përpjekja për të qenë në përputhje me atë çfarë kërkohet; është kjo sfida të cilën duhet ta kapërcejë krijuesi (artisti). Pra, në vend se të sjellë atë që “kërkohet, pritet, duhet” prej të tjerëve, duhet ta lërë vetveten të burojë. Dhe ekspozita i përngjet pikërisht një burimi pa kurrfarë pastrimi (filtri).
Ekspozita mund të tingëllojë, pse jo, edhe si një ftesë jo vetëm ndaj një profesionisti të fushës, por edhe ndaj një profani. Kush mund të thotë se nuk gjallon dëshira për të lundruar shpengueshëm në ngjyra në të parin (profesionistin)? Kush mund të kundërshtojë mendimin se nuk mund të zgjohet diçka e re dhe e papërjetuar më parë tek i dyti (profani) pikërisht falë veprimit të ngjyrosjes, qoftë ajo edhe pa një qëllim largpamës?
Ekspozita në fjalë ishte në vetvete një lojë e paemër (pikturat/ngjyrosjet vinin të paemërtuara), e cila përpiqej të çngurtësonte mendimin artistik, duke u sjellë si fëmijë jo vetëm në zgjedhjen e ngjyrave plot dritë, por edhe në mënyrën/teknikën (më saktë, mungesën e teknikës, pa përzierje ngjyrash, pa stërhollim formësimesh) me të cilën erdhën. Mendimi artistik, nga ana e tij, priret përgjithësisht ta skematizojë veprën, duke e bërë të largët e të ftohtë. Në kundërshtim ndaj kësaj, vetë autori i ekspozitës përpiqet ta çlirojë veten nga vetvetja dhe nga çdo mbikëqyrje e përngjashme me të jashtë tij. Nëse bota natyrore është e bukur për larminë ngjyrore, pse duhet të bëjë përjashtim nga kjo larmia ngjyrore që shpërfaqet përmes karaktereve tona dhe mënyrës sonë të përjetimit? Ekspozita mund të cilësohet fare mirë si një takim me vetveten, më saktë, me vetveten e dikurshme, e cila, sa më tepër rritemi, aq më tepër largohet, pra, aq më tepër lind nevoja ta thërrasim përmes ngjyrës apo çfarëdolloj forme tjetër.
* Edison Çeraj lindi në Shkodër më 28 gusht të vitit 1982. Ka mbaruar Akademinë e Arteve (sot Universiteti i Arteve) dhe më pas edhe një master në filozofi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale. Është autor i katër ekspozitave vetjake: “Në kërkim të ngjyrave të humbura” (2008), “Lëndë me zgjedhje” (2014), “No-thing” (2016) dhe “Ngjyrosje” (2020), si dhe pjesëmarrës në disa të tjera të përbashkëta. Gjithashtu, ai ka kuruar mbi dymbëdhjetë ekspozita, vetjake dhe të përbashkëta. Ai është autor i tre librave: “Arti si mundësi” (Izabel, 2008), “Kërkime në metafizikën e artit” (Logos-A, 2012) dhe “Nyja e harresës” (Logos-A, 2017). Aktualisht është pedagog në Universitetin e Arteve, në Fakultetin e Arteve të Bukura.