“Premtime perëndimore” (“Western Promises”) emërtohet ekspozita e parë vetjake e skulptorëve italianë Emiliano Perino dhe Luca Vele (Luka Vele), hapur në COD (Qendra për Hapje dhe Dialog, Tiranë) më 19 shtator deri më 31 tetor 2019. Ekspozita përmbledh një përzgjedhje të disa prej veprave më domethënëse të tyre (skulptura, vizatime, instalacione të artistëve; një dokumentar mbi teknikën me të cilën punojnë artistët, nga Antonello Matarazzo – Antonelo Mataraco). Ekspozita është kuruar nga Gaetano Centrone (Gaetano Çentrone) dhe Genti Gjikola.

...

Vepra qendrore, “Pelle d’elefante” (“Lëkura e elefantit”), është një skulpturë instalative e stërmadhe, e cila zë pothuajse krejt dyshemenë e hapësirës në të cilën ndodhet. Ajo është lëkura e një kafshe të madhe (krijuar prej teknikës “papier-mâché”), shndërruar në tapet, mbi të cilin dy kolltukët prej hekuri ftojnë për t’u ulur. Kjo është ironia artistike mbi mirëqenien që njeriu i sotëm i mundëson vetvetes, duke shfaqur epërsi kundrejt të përngjashmit të vet e duke shkelur kështu jo thjesht mbi një lëkurë, por mbi parimet njerëzore dhe ato shoqërore.

Shpresa për ndryshim, në brendësi të ekspozitës, është e zhytur në amforat të cilat përbëjnë një tërësi, të emërtuar prej autorit “Elpis” (“Shpresa”). Vetë amforat (si përfaqësim të objekteve arkeologjike) janë të veshura pjesërisht së jashtmi me shtresa të përgatitura nëpërmjet teknikës “papier-mâché”, shtresa të cilat mbartin (përmes gazetave si element përbërës të lëndës) qëndrimet bashkëkohore, duke përafruar kështu në bashkëjetesë kohë e mendësi të ndryshme.

Kjo tërësi amforash instalative lidhet me tërësinë e vizatimeve të tyre (amforave) në pjesën hyrëse të ekspozitës. Secili prej tyre (vizatimeve), është i lidhur përkatësisht me një shprehje filozofike mbi shpresën si ndjesi, shprehur nga personalitete të ndryshme botërore.

Vepra përmbyllëse e ekspozitës është “Luoghi comuni” (“Vendet e zakonshme”, 2011). Ajo është në vetvete një instalacion i krijuar nga shtylla hekuri të galvanizuara te të cilat janë ngjitur shtresa të përgatitura po me teknikën “papier-mâché” dhe që paraqesin ngjarje të ndryshme politiko-shoqërore të cilat e kanë tronditur jo pak shoqërinë e sotme italiane. Për rrjedhojë, krijimtaria e artistëve në fjalë shërben si një thirrje për vëmendje ndaj dukurive shqetësuese shoqërore, si një zgjim shpirtëror, kaq shumë i domosdoshëm në kohë bjerrjesh morale.

Pa dyshim, zvetënimi moral i shoqërisë njerëzore nuk është i pjesshëm. Pavarësisht llojit të krisjes, thellësisë së saj, ai nuk prek vetëm një kombësi, një hapësirë administrative. Më shumë se kurrë, falë ndërveprimit gjeografik dhe jo vetëm, ndërveprimit internetik po ashtu, shenjat prej të cilave vuan shoqëria njerëzore janë përherë e më tepër të ngjashme dhe të përhapura. Po për këtë arsye edhe krijimtaria e artistëve në fjalë, ndonëse nxitet prej problematikës bashkëkohore italiane, nuk i drejtohet vetëm asaj. “Premtimet perëndimore” janë një akuzë për zotimet e pambajtura të “Perëndimit”.

* Emiliano Perino ka lindur në Nju-Jork (New York), në vitin 1973, kurse Luca Vele ka lindur në Rotondi në vitin 1975. Rrugëtimi i tyre profesional nis rreth fundit të viteve ’90. Ata kanë një stil tërësisht të vetin dhe të mirëpërcaktuar në fushën e artit bashkëkohor. Gjuha e tyre artistike ngërthen hapësirat qytetëse të kohës në të cilën jetojnë me traditën kulturore jo vetëm italiane, por edhe më gjerë, me atë mesdhetare. Ndër tiparet më përveçuese të punës së tyre është aftësia për të njohur, përzgjedhur dhe përpunuar lëndën nga e cila përftohet më pas, në mënyrë artizanale, vepra artistike. Përmes teknikës së “Papier-mâché”-së (papiemashe) krijohen objekte artistike që paraqesin jo vetëm forma dhe objekte të estetikës të zakonshme, por gjithashtu edhe ngjarje e dukuri shoqërore. Emiliano Perino dhe Luca Vele kanë marrë pjesë për çmimin “Onufri” (2017-2018) në vitin e 23-të të zhvillimit të tij në Shqipëri.