Ekspozita “Ylli me pesë cepa” në Galerinë Zeta në datat 4 – 22 tetor 2018 përfshin pesë artistë (Fatlum Doçi, Alketa Ramaj, Donika Çina, Dritan Hyska dhe Kosta Koçi), të cilët veprojnë me mediume të ndryshme dhe paraqesin po ashtu tematika të ndryshme. Filli përbashkues i ekspozitës është ndjeshmëria e artistit ndaj mënyrës se si ndërveprohet në shoqëri dhe qëllimi i kuratorit Marko Stamenkovic ka qenë që të vendosë në pah edhe ndërveprimin mes kohëve, duke futur elemente plotësuese në ekspozitë, ardhur nga tjetër kohë artistike (periudha e realizmit socialist).
Nga pikëpamja kuratoriale, punimet nuk i dalin përballë shikuesit, por e kërkojnë tërthorazi vëmendjen e tij.
Ndikimi i një kohe jo fort të largët, plot trysni, ndihet në tablotë gri të Dritan Hyskës, të cilat paraqesin ndërtesa aktuale joestetike (pa frymëmarrje, pa lidhje me natyrën dhe njeriun) dhe ndërtesa në rrënim (nxitur nga ngjarjet e fundme të shkatërrimit të ndërtimeve pa leje).
Prej vitit 1985 vijnë edhe akuarelet e artistit Kosta Koçi. Ato paraqesin ushtarakë në kohën e tyre të lirë dhe argëtuese. Veçse ndjesia e lirisë vështirë se ndihet në to. Është gjithnjë një sy vëzhgues që mbikëqyr.
Një këndvështrim paksa më të lirë dhe jashtë kufijve të shkallëzimeve (hierarkisë) shoqërore që krijon njeriu, e sjell Fatlum Doçi me akuarelet e tij, duke u përqendruar në mënyrë abstrakte sa te natyra, sa te pasqyrimet e elementeve riprodhuese përmes formave të saj (natyrës).
Alketa Ramaj dhe Donika Çina sjellin në ekspozitë instalacione, të cilat paraqesin shqetësime që lidhen me problemet shoqërore. Nëse Alketa Ramaj luan me qëndrimin horizontal dhe vertikal të elementeve të përdorura e për pasojë ndryshon edhe qëllimi veprues i elementeve në punimet e paraqitura prej saj, Donika Çina luan me mendimin se paaftësia (për të kuptuar a vepruar) nuk është një çështje e ndarë kaq qartazi.
Donika ka vendosur një tekst të printuar përshtatur për personat me aftësi të kufizuara pamore. Në këtë rast, ata që kanë pamundësinë apo paaftësinë për ta lexuar dhe kuptuar janë personat me shikim të shëndoshë. Gjithashtu, punimi i Çinës lidhet tërthorazi me punimet e Hyskës, për vetë faktin se teksti i saj vërtitet rreth komunikimit me një kompani ndërtimi.
Ashtu, shkujdesshëm, qëndrojnë në galeri edhe dy elemente të përfshira: një pikturë e periudhës së realizmit socialist (pasqyrim i një marshimi me rastin e 40-vjetorit të çlirimit ndoshta), si dhe një palë shapka femërore. Mënyra se si janë vendosur këto elemente në ekspozitë krijojnë përshtypjen e harresës aty, porse jo. Ato flasin për (mos)ndikimin (dukshëm) e elementit femëror në shoqëri; të së kaluarës së afërt po ashtu.
“Ylli me pesë cepa” fton kështu në pasurimin e këndvështrimeve të dukurive dhe ngjarjeve, duke lidhur e ndërlidhur tematika, mediume, kohë e personazhe nga kohë, hapësira e ndjeshmëri të ndryshme.