Flaka Haliti sjell në hapësirën kohore 7 shtator – 9 nëntor 2018 ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Vetë emërtesa “Këtu – apo atje, është më atje” risjell në vëmendje paraprakisht çështjen e kufijve, jo vetëm gjeografikë. Lidhur po me këtë, drejtori i GKA-së Erzen Shkololli shpreh në hapje të ekspozitës kënaqësinë lidhur me mundësinë në rritje të ndërveprimit artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ekspozita merr përsipër të përhapet në ide dhe hapësira përmes eksplorimeve të shumta. Ajo së cilës i ngelet besnike artistja Flaka Haliti gjatë këtij rrugëtimi ekspozues është kundërshtimi i kufijve.

...

Lehtësisht mund të mendojmë se “pengesat e mëdha”, në të vërtetë, nuk janë aspak të tilla, përkundrazi. Pengimi nuk ka pse të ketë rrjedhojë të vetme ndalesën, porse kërkimin e një shtegu tjetër. Sipas tekstit kuratorial, bazuar në ngjarjet e zhvilluara më herët në Kosovë, Haliti përdor estetikën ndërkombëtare të mureve mbrojtëse, për t’i shndërruar këto blloqe memece në objekte të animuara që këshillojnë mënyra të reja të lëvizjes nëpër një hapësirë të pastrukturuar.

Artistja Haliti kërkon rrugë të ndryshme për t’u lidhur me shikuesin apo lexuesin e veprës së saj. Në hyrje, një perde, gati e tejdukshme, e cila pengon fizikisht hyrjen e po ashtu lë diçka të duket dhe lejon shtigje kalimi, përbën veprën e parë në ekspozitë, “Rri varur kot #2”. Për shkak të përbërjes (mëndafsh), (tri) ngjyrave dhe vendosjes (diku në mes), perdja luhatet mes kotësisë dhe pengimit; përkundër kësaj, ajo kërkon vëmendje me këmbëngulje po ashtu.

Shenjëzimi i një bashkësie të caktuar (flamuri) vjen në ekspozitën e Halitit krejt i përveçuar (individualizuar): 25 flamuj të bardhë në forma të ndryshme, në të cilët përvijëzime të çrregullta jo vështirësisht mund të na përngjajnë me silueta njerëzore apo shtazore, përfshihen në veprën me titull: “E shqetësume prej fantazmës pa u brengosë”. Edhe këtë vepër e përveçon tejdukshmëria dhe brishtësia përkundër bazamentit të betontë, i cili premton qëndrueshmërinë e çdo flamuri. E gjithë kjo krijon përshtypjen e bashkëjetesës organike të tipareve të skajshme.

Ndjesia e pengimit dhe shpengimit, për rrjedhojë edhe e befasisë, krijohet teksa vizitori përballet me veprën “Pa titull”; tërësia prej katër pjesësh druri të suvatuara e së cilës lë përshtypjen e betonit, kur nuk është aspak ashtu. Forca dhe palëvizshmëria e tyre, në të vërtetë, janë thjesht iluzion optik.

“Unë shoh një fytyrë. A sheh ti një fytyrë?”, përngjet si lojë fjalësh. Teksa sheh dhjetë punimet (fotografi dixhitale të vijëzuara përmbi), ato përngjasojnë me lojërat fëminore plot fantazi ku dukuritë natyrore shpirtëzohen dhe marrin frymëmarrje njerëzore. Në këtë vepër, retë janë përvijëzuar përsipër me portrete të cilat mbartin larmi shprehshmërie: karakteresh dhe ndjesish.

Hapësira të konsiderueshme zënë të tjera instalacione në ekspozitë si roboti i gjelbër apo seria rreth Joe-së:

Roboti është krijuar nga mbetjet e një kampi të braktisur, përdorur më herët prej ushtarëve të KFOR-it gjatë misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë dhe emërtohet “Urgjenca e vet humbi në kthim mbrapa (duke mbetur gjithmonë me vonesë)”. Ai është një instalacion shumështresor; paraqitet si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja.

Tërësia e kompozimeve antropomorfike nën titullin “A je ti, Joe”, ndërthur dy lëndë krejt të ndryshme në përbërje: mermerin dhe sfungjerin. Ngelet e paqartë kush është Joe e megjithatë ai është portreti i dikujt (i sfungjertë), i cili çuditërisht mbahet fort në një sipërfaqe gati të pamundur (të mermertë). Vetë teksti kuratorial sfungjerin e lidh me përthithjen e sa më shumë përvojave, kurse mermerin e sheh si simbolikë të historisë së artit.

Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.

* Flaka Haliti ka lindur në vitin 1982 në Prishtinë (Kosovë) dhe jeton në Mynih (Gjermani). Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt në Main (Gjermani), puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta të cilat u mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë paraqitur në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare.

* Leonie Radine ka studiuar histori arti në Marburg dhe Berlin. Ajo ka punuar në disa ekspozita në Institutin KW për Artin Bashkëkohor në Berlin, duke përfshirë “Absalon”“Cyprien Gaillard”“Seeing is believing”“You Killed Me First”“Wael Shawky” dhe “One on One”. Aktualisht është duke punuar si asistente kuratore në muzeun “Ludwig”.