Gazmend Leka çel ekspozitën vetjake, emërtuar “Noe”, në galerinë FAB, në Tiranë, përgjatë hapësirës kohore 11-30 nëntor 2020. Ekspozita përbëhet nga 24 vepra dhe është kuruar nga Ermir Hoxha. Është kjo ekspozitë pjesa e tretë e një trilogjie që ka nisur dhe vijuar me ekspozitat e mëhershme, përkatësisht: “Lutja” dhe “Dhoma e hapave të humbur”. Është kjo ekspozitë e ciklit të tretë një mënyrë pohimi apo pasqyrimi artistik i prishjes së drejtpeshimit në marrëdhëniet: Krijues-njeri-natyrë. Ajo çka ndryshon në këtë ekspozitë dhe që ndihet dukshëm në krahasim me dy ciklet e tjera, është përmasa njerëzore, tashmë kaq e papërfillshme përballë gjithësisë dhe kaosit që e ka përfshirë botën tonë. Ky cikël vë në pah më së shumti përmbysjen e vetëkënaqësisë njerëzore lidhur me fuqinë dhe madhështinë e vet.

...

Menjëhershëm, nisur nga emërtesa, mendja të shkon te ngjarja e madhe e shumënjohur biblike: përmbytja në kohën e Noes, si dhe shpëtimi i kryer përmes arkës së Noes falë vullnetit të hyjit. Mirëpo drama e njeriut nuk është vetëm një dhe e madhe; njeriu/njerëzimi ka qenë dhe është në përballje të vazhdueshme për shkak të tekave të natyrës apo të paaftësisë së vet për ta mbrojtur natyrën dhe për të përfituar prej saj në dobi të vet. Dhe është pikërisht kjo emërtesë që ngrihet me shenjëzimin e vet shpresëdhënës, gjallërues përkundër gjithë zymtisë që e kaplon ekspozitën. Noeu është ai prej të cilit do të zërë fill bota sërish, pas furtunës së tmerrshme.

Prirja drejt pasqyrimit të errët në ekspozitë është në përputhje gati të plotë edhe me atë çfarë njerëzimi është duke përjetuar sot, me pandeminë botërore; për rrjedhojë, me frikën dhe pasigurinë e qenies njerëzore për të nesërmen, shkaktuar pikërisht prej kësaj dukurie të re gati apokaliptike, paçka se ngjizja e ekspozitës nuk zuri fill prej pandemisë, por, pse jo, duhet të jetë shtytur fort prej saj në rrugë e sipër gjatë kryerjes (realizimit).

Ka një fill mistik kjo ekspozitë: ajo të çon në përsiatjen se, në përballje me dukuritë e fuqishme natyrore, pse jo edhe me ato tronditëse politiko-shoqërore, njeriu fillon e shndërrohet shumë shpejt në besëtyt; ai e harron të gjithë aftësinë e vet zhvilluese dhe zë e gërmon në këndet e fshehura mëkatnore. Përpiqet të gjejë aty shkakun e fatkeqësisë së radhës. Dhe vlen, pa dyshim, çdo fatkeqësi si një kohë vetëpastrimi njerëzor. Mendimi dhe instinkti janë aty, në çdo tablo, por vështirë të thuhet se çfarë çoi deri në përmbytjen e madhe ose në përmbytjen e radhës: mendimi mëkatnor apo instinkti i pafrè. Nga ana tjetër, vështirë të thuhet se çfarë do të ketë përparësi në shpëtimin e njeriut, arsyeja e shëndoshë apo instinkti i mbijetesës?

Pluskimi në ujërat e pamata të përmbytjes, shpërndarë ndjeshëm në galeri përmes tablove, ka vënë shenjën e barazisë (midis qenieve njerëzore, por edhe midis qenies njerëzore dhe asaj shtazore) në një botë që vuan nga dëshira për hierarki, për shkallëzim pushteti deri në sundim. E është pikërisht kjo dëshirë ajo që ka sjellë përmbytjen e pashmangshme.

Për nga vetë mënyra e krijimit, ekspozita e Gazmend Lekës, si një shëmbëllim i së përditshmes, i kapërcen kufijtë vendorë, por, natyrisht, dhimbja e tij njerëzore dhe artistike buron prej vendit ku jeton dhe punon, prej Shqipërisë. Ekspozita është përftim i asaj çka është përjetuar emocionalisht prej tij dhe është është shtresëzuar në kujtesë për të shpërthyer në një çast të tillë paraqitjeje artistike. Përmbytja artistike e Gazmend Lekës mund të jetë një pasqyrim dhe një dëshirë e fshehur për përmbysje: është e domosdoshme të shpërndahet i gjithë kaosi përreth dhe të nisë jeta nga e para. Pikërisht për këtë, lind domosdoshmëria që njeriu (si përfaqësues i arsyes mbi tokë) duhet të shpëtojë kafshën (përfaqësuesen e instinktit).

Trilogjia e Gazmend Lekës është pa mëdyshje një rrugëtim njerëzor, përvoja e të cilit dëshmon shumë; pyetja kokëfortë që lind, është: a i vlejnë dëshmi të atilla shoqërisë apo tisi i harresës dhe moskokëçarjes s’do të bëjë gjë tjetër përveçse do të na çojë drejt përmbytjes së radhës?

*Gazmend Leka ka lindur më 11 tetor 1953 në Tiranë. Ai është një artist me përvojë shumë të gjatë si piktor, grafist, ilustrator, regjisor-piktor i filmit të animuar dhe projektues i sallave muzeale. Në vitin 1978 kryen studimet në Akademinë e Arteve dhe një vit më vonë fillon punë si bashkëpunëtor në dizenjimin dhe realizimin e pjesës së brendshme të muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, punë të cilën e mbaron në vitin 1982. Për një periudhë 10-vjeçare (1981-1991) bëhet udhëheqës artistik i filmave vizatimorë në kinostudion “Shqipëria e Re” duke punuar si regjisor i tyre. Në vitin 1991 nis punë si profesor në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve (profesor i “Pikturës” dhe i “Teorisë së ngjyrës”). Gazmend Leka ka marrë pjesë në 170 ekspozita në grup dhe ka hapur 20 ekspozita vetjake. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen 37 vepra të tijat në pikturë dhe grafikë. Mbi 400 vepra të tjera janë shpërndarë në koleksione private në: Shqipëri, Amerikë, Francë, Zvicër, Itali, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë, Spanjë, Kanada dhe Japoni.