Piktori Gazmend Leka vjen në galerinë FAB (Universiteti i Arteve, Tiranë), me ekspozitën vijuese “Dhoma e hapave të humbur”. Ekspozita është kuruar nga Ermir Hoxha dhe qëndron hapur për publikun që prej 7 tetorit deri më 3 nëntor 2019.
Ekspozita në fjalë është vijim tematik i ekspozitave të tjera të autorit, i cili përbën njëkohësisht edhe epiqendrën e tyre. Në to ai vetëparaqitet i shumëfishuar, si: ndëshkues e i ndëshkuar; jo vetëm i pranishëm si fëmijë (i pafajshëm), por edhe si vrojtues i vëmendshëm (me përgjegjësinë përkatëse) që shqyrton rrugën e përshkuar deri në këtë farë pikëmbërritjeje: ndotjen e pashmangshme të qenies njerëzore dhe nevojën e domosdoshme të pastrimit prej saj, pastrim të cilin autori e mundëson duke dënuar skajshëm vetveten në tablo, duke u vendosur sa në një vegël mundimi në një tjetër; vegla tipike, përdorur në kohën e inkuizicionit në Mesjetë.
Përgjatë rrugëtimit të vet, njeriu e ka përdorur lëndimin e trupit si një mënyrë për të shpëtuar shpirtin, si një haraç të pashmangshëm për të paguar. Pra, thelbi i ekspozitës në fjalë është vetëpastrimi, i cili assesi nuk kryhet pa shkaktuar dhimbje. Dhe në krijimtarinë e Gazmend Lekës jo veç vetëshqyrtimi, por edhe vetëndëshkimi përbëjnë boshtin rreth të cilit vërtitet gjithçka. Autori kërkon harmoninë brenda shpirtit të tij si fillim përmes lutjes (ekspozita paraardhëse) e më pas duke e thelluar këtë kërkesë në një formë të përgjakshme ndëshkimi (ekspozita e tanishme).
Ngjyra e kuqe mbizotëron krejt ekspozitën. Figurat e përngjashme në kaleidoskopin e Gazmend Lekës mbartin të njëjtin njeri, të stërmunduar në mënyra të ndryshme. Gjuha me të cilën autori zgjedh të shprehet shembëllen mistike; ashtu si në rrathët e ferrit, ku mundimi nuk merr fund, edhe në ekspozitën në fjalë sillet e përsillet e njëjta gjendje, gjendje e cila nuk përjashton as kureshtjen për mënyrën si është krijuar njeriu në brendësi, si lind mëkati brenda tij, aftësinë ndërvepruese me gjithësinë po ashtu.
Në ekspozitë shpërfaqet aty-këtu një fëmijë i mitur me brerore, i cili sheh gati pa kuptuar asgjë. Fëmija në tablo është viktima e ardhshme e vetvetes dhe vetiu lind pyetja: Si mundi të ndodhte gjithë ky shndërrim, nga pafajësia te mëkatimi? Në gjithë shqyrtimin anatomik që piktori i kryen trupit dhe shpirtit jo vetëm të vet, por atij njerëzor në përgjithësi, pavarësisht drejtpërdrejtshmërisë, tragjeditë ngelen të paemërta. Pra, thelbi i dramës së tij është i lexueshëm për mundimin, por i papërcaktueshëm (për atë se prej nga buron). Sidoqoftë, lufta brenda tij ka nevojë të bëhet e dukshme. I denjë për Edenin dikur në fëmijëri dhe i dëbuar prej tij tashmë, njeriu ka nevojë për maskën teksa artisti përpiqet t’ia shkulë atë, për sa kohë që hapat nuk mund të zotërohen.
* Gazmend Leka ka lindur më 11 tetor 1953 në Tiranë. Në vitin 1978 kryen studimet në Akademinë e Arteve dhe një vit më vonë fillon punë si bashkëpunëtor në dizenjimin dhe realizimin e pjesës së brendshme të muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, punë të cilën e mbaron në vitin 1982. Për një periudhë 10-vjeçare, 1981-1991, bëhet udhëheqës artistik i filmave vizatimorë në kinostudion “Shqipëria e Re” duke punuar si regjisor i tyre. Në vitin 1991 nis punë si pedagog në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen 37 vepra të tijat në pikturë dhe grafikë. Mbi 400 vepra të tjera janë shpërndarë në koleksione private në Shqipëri, Amerikë, Francë, Zvicër, Itali, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë, Spanjë, Kanada dhe Japoni.