“Fidem” (“Besim”), ekspozita e parë personale e artistit Greg Rama qëndron hapur në galerinë “FAB” në Universitetin e Arteve në Tiranë përgjatë datave 13 – 30 të muajit shtator.
Nën përkujdesjejen e kuratorit Vladimir Myrtezai, ekspozita përmban një krijim të segmentuar në të tria hapësirat e galerisë. Përngjashmërisht një vizite në “Rrugën e Qumështit”, galeria krijon përshtypjen e një galaksie ku shigjetat zëvendësojnë yjet.
Ekspozita ka karakter sa të thjeshtë, po aq shumështresor. Ajo paraqet përpjekjen për identifikim të njeriut dhe artistit në rrugëtimin e vet gjithëpërfshirës, në marrëdhënie me veten dhe bashkësinë, pjesë e së cilës është, ku ajo çka spikat është nevoja për të frymëzuar besim. Pikërisht kësaj fryme i shërben mënyra e drejtpërdrejtë e ndërveprimit të autorit përmes veprës me vizitorin në galeri.
Shigjetimi i shumëfishtë në galeri, ngulmues në depërtimin e pengesave (mureve) dhe këmbëngulës në mbërritjen e qëllimit (prekjen e objektit të rruzullt), mund të lexohet ndoshta si një rrugëtim i cili përveçohet nga saktësia, përqendrimi, shpërfillja ndaj tërheqjeve tokësore (gravitetit) dhe së fundmi forca ngulmuese në arritjen e qëllimit.
Në këtë udhëtim të një bote të vogël të madhe, ndriçimi ka ndryshuar kah dhe vjen në formën e hapave që përshkojnë galerinë. Ndriçimi duket sikur udhëheq lëvizjen ajrore të dëshirimeve, pikësynimeve të artistit, të cilat marrin jetë përmes shigjetave të shumta. Ato jepen në të tria kohët: në nisje, në pikën e dendësisë së lartë dhe në përfundim të misionit, gjithnjë pezull, ndërkohë që në vendarritje pakkush mbërrin, në mos vetëm dikush. Gjithçka tjetër e përfshin harresa.
Pakkush apo dikush, nëse paramendojmë rendjen përkrah të përngjashmëve; por pak apo shumë pak prej pikësynimeve, nëse qëndrojmë duke parë vetëm nga këndi i një individi.
Ndjesia e kundërshtisë është e pranishme në galeri: muret marrin kuptimin e pengimit, por nuk janë të padepërtueshme; mistikja, mundësuar edhe prej tiparit ndriçues, nuk e ndërlikon gjuhën e veprës. Ajo është kaq e lexueshme: Besim në përpjekje për të njohur botën dhe për t’u njohur prej saj.
* Greg Rama vjen në FAB me ekspozitën e parë personale me një instalacion. Ai ka lindur në vitin 1990 dhe i përket një familjeje artistësh. Ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë.