Haveit paraqesin në Bazament Art Space në datat 4-25 tetor 2018 performancën dhe instalimin e tyre të ri. Haveit është një bashkësi vajzash, mjaft të ndjeshme ndaj çështjeve shoqërore, sidomos ndaj atyre me karakter gjinor.

...

Në këtë dalje publike ato sjellin në vëmendje mënyrën e sjelljes në familjet shqiptare, përkatësisht dukurinë e mallkimit. Në familjet shqiptare përdorimi i mallkimit cilësohet një dukuri e patëkeq, diçka që ndodh natyrshëm dhe që në sipërfaqe duket se nuk lë gjurmë, çka në të vërtetë është një qëndrim i cili mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në psikikën e njeriut.

Të përdorësh të keqen për të përftuar të mirën, pra, të mundësosh tërheqjen e vëmendjes së fëmijës përmes mallkimeve me synim mirëformimin e tij, tingëllon e pakuptimtë dhe jodobiprurëse. E megjithatë, me të njëjtën logjikë veprojnë edhe performanca dhe ekspozimi i grupit Haveit në Bazament. Përmes pasqyrimit të dukurive negative me qëllim edukativ, vajzat Haveit synojnë ndoshta ndalimin e dhunës gjuhësore.

“T’u thafshin krahët!; T’u qërrofshin sytë!; U bofsh me të dhanë ujë me lugë!; Folsh me gishta!; Ta theftë Zoti qafën!; Mos të çeltë sabahu!; 7000 dreqën të hifshin e të dalshin!”. Këto janë shprehjet e përzgjedhura të pasqyruara në ekspozitë të cilat nuk dëshmojnë tjetër pos një mënyrë krejt të dëmshme të përzgjedhur nga shoqëria për të ndërtuar vetveten, duke frymëzuar aktin e sulmit dhe goditjes shumëplanëshe.

Realiteti i pasqyruar përmes ekspozitës prek shumëkënd, porse në mënyrë të fshehtë. Shpalosja publike e shprehjeve mallkuese përmes ekspozitës ndihmon ndoshta shpërhapjen e problemit, duke mos e lënë më nën sipërfaqe. Mjetet përmes të cilave merr jetë ideja e ekspozitës janë pajisjet elektroshtëpiake (të cilat shembëllejnë edhe disi personalizuese), si dhe tabelat elektronike (të cilat japin kumtin në vijueshmëri).

* Haveit (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një bashkësi arti themeluar në Prishtinë (Kosovë) në vitin 2011. Praktika e tyre përfshin performancat, ndërhyrjet në hapësirën publike, si dhe ekspozitat.

Haveit ka zhvilluar veprimtarinë e vet në shumë vende: parësisht dhe më së shumti në Prishtinë (Kosovë); jo pak herë HAVEIT ka zgjedhur edhe Shqipërinë, duke u paraqitur në Shkodër e Tiranë; për të përmendur më pas me radhë vende të tjera si: Maqedonia, Hungaria, Italia, Sllovenia, Suedia etj.