“ajo nuk bën sikur… ajo thjesht e bën” (“she does not fake it… she just does it”). Kështu emërtohet ekspozita vetjake e artistes Iva Seferi, zhvilluar në galerinë FAB (UA), në datat 16 – 23 dhjetor 2019, kuruar nga Vladimir Myrtezai. Ekspozita zgjedh të flasë përmes videos në pjesën mbizotëruese të saj. Gjashtë video gjithsej: “Koka”, “Zbuluar”/“Detected”, “Rruga”/“The path”, “Baraspesha”/“Equilibrum”, “Vetëportreti”/“The self-portrait” dhe “Përmbyllja”/“Definition” përcjellin përmes pamjes dhe tingullit, por jo përmes fjalës, përjetime gjendjesh dhe rrjedhoja ngjarjesh të paidentifikuara.
Shfaqet më së shumti në videot e artistes nudoja femërore, e cila nuk synon pasqyrimin sensual, ndonëse nudoja është e arrirë estetikisht. E gjithë qenia e gruas nëpër video përcjell mungesën e paqes, tronditjen dhe përpjekjen për shpëtim në beteja të njëpasnjëshme. Iva Seferi paraqet gruan vetmitare, duke përzier në “betejat” e saj brishtësinë dhe forcën, feminitetin dhe maskilitetin brenda së njëjtës qenie, duke mos kursyer nga ana pamore në gjithë këtë pështjellim as pamjen e vrazhdë, përgjakjen. Përplasen në punët e saj botëkuptimi vetjak me botëkuptimin e përgjithshëm shoqëror, duke vënë kështu në dukje papërputhshmëritë e thella midis tyre.
Bota e saj e ëndërrt, pasqyruar përmes videos, është e makthshme, e mundimshme. Veçse shkaqet e mundimit janë të papërcaktuara. Gruaja në qendër të videos dhe hijet që e mundojnë atë janë shumë larg asaj që është e rëndomtë dhe e prekshme. As nuk mund ta dimë nëse bëhet fjalë për kufizim (ushtruar nga shoqëria) apo vetëkufizim (largim prej shoqërisë), por ndiejmë se kjo është mënyra e duhur drejt njohjes së vetvetes.
Zhveshur deri në lakuriqësi, gruaja-personazh e Iva Seferit herë është pre e përqafimit të dhunshëm e ndjellakeq (“The path”) e herë vjen e përfaqësuar nëpërmjet lodrës së fëmijërisë (kukullës, tashmë të gjymtuar e me sy të çakërritur, të cilët mbulohen prej duarve për të mos parë masakrën) (“The self of portrait”). Dukshëm, ajo nuk është e dhënë pas asaj që është lëndore (materiale), porse priret drejt shpirtërores, hapësirë në të cilën shtytjet për frymëmarrje të lirë janë të forta.
Rrëfimi i saj videor dëshmon një realitet paralel me të përditshmin. Nuk kuptojmë nëse gjithë çka paraqitet është parafytyrim apo prodhim i përjetimit; nëse është një udhëtim i së pavetëdijshmes drejt vetëdijes apo e anasjella?
* Iva Seferi ka lindur më 01.07.1983, në Tiranë. Ka ndjekur liceun artistik “Jordan Misja” për pikturë e grafikë (1998-2002) dhe ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura për art konceptual, sot i emërtuar art multimedial (2002-2006). Ka bashkëpunuar me artistë si Cesare Pietroiusti dhe Salvatore Falci për shfaqje të ndryshme artistike (performanca), zhvilluar në Tiranë në vitin 2005. Ka realizuar “Performancë 0+” (dualizëm) në një veprimtari artistike të organizuar nga fondacioni EDS në Tiranë. Ka marrë pjesë në vitin 2006 në panairin e artit “Expoarte – Citta di Montichiari” (Brescia, Itali). Ka qenë pjesëmarrëse në një sërë ekspozitash të përbashkëta, si: “Red art lights”, në galerinë “Zenit” (Tiranë, 2006); “Ëndërrimi i viteve” (retrospektivë), në galerinë “Zenit” (Tiranë, 2007); “In front of” (Durrës, 2008); “In front of 2” (Vlorë, 2008); “profil 042”, në galerinë “042” (Tiranë, 2009); “Open Studios”, organizuar nga Tirana Art Lab (Tiranë, 2010). Ekspozita e parë vetjake e saj, hapur në galerinë FAB (Tiranë, 2019), emërtohet “She does not fake it… She just does it”.