Jora Vaso dhe Theo Napoloni vijnë në qendrën e artit bashkëkohor Tirana Art Lab me ekspozitën “(Nuk ka) Shenja në Mur” në hapësirën kohore 29 shtator – 30 tetor 2018, ekspozitë kuruar nga Romeo Kodra.

...

Ekspozita përbën në vetvete një vëzhgim fotografik në kohë, parë në dy këndvështrime ndërthurur, shoqëror dhe politik. Nga njëra anë, paraqitja e realitetit shqiptar në mënyrë groteske përmes stampimeve të pamjeve dixhitale; nga ana tjetër, pasqyrimi i lëvizjeve të rëndësishme shoqërore falë ndërthurjes së fotografisë dhe vizatimit në sfondin e sendeve të rëndomta. Bëhet fjalë për lëvizje të cilat kanë synuar dëshpërimisht kthesën e shoqërisë shqiptare kohë pas kohe.

Stampimet e pamjeve dixhitale vendosen nga artistja Jora Vaso në formën e një merimangëzimi, duke na risjellë në vëmendje kurthin në të cilin është zënë shoqëria prej gjithëpërfshirjes në internet. Kapur në ngërçin e rrjeteve, shoqëria ka shumë të dhëna (informacion) në shërbim tashmë, por ka pak kundërveprim qytetar. Dhe ndoshta edhe alegoria mbështetur në dukurinë e tjerrjes së merimangës synon pikërisht këtë.

Jora Vaso përdor si mjet pune telefonin (smartphone). Të natyrshme dhe si pa të keq vijnë pamjet e përzgjedhura prej saj; në të vërtetë, prapa këtyre pamjeve qëndron një sy i vëmendshëm, analitik, kritik dhe sarkastik. Dendësi dhe mbishtresim pamjesh deri në mbytje dhe apati për të shpërfaqur anën e pashkëlqyeshme të qytetit dhe shoqërisë, të cilën shumëkush e shpërfill. Jora, në të vërtetë, zgjedh të bëjë të kundërtën.

Nëse Jora zgjedh të pasqyrojë shoqërinë sot, Theo Napoloni përzgjedh çaste thelbësore që kulmojnë lëvizje socio-politike. Te ky artist sarkazma shkon deri në skaj. Nga pamjet e shumënjohura tashmë, janë përzgjedhur dhe vizatuar prej tij ato që shfaqin dhunë, përpjekje për fitore, shprehje vetëndikimi për ngadhnjim ndaj së shkuarës, porse të gjitha këto pamje i përshkon filli i keqardhjes dhe ironisë nga këndvështrimi i qytetarit dhe artistit i cili është dëshmitar i asaj se nga ngjarja në ngjarje, pa mbërritur dot në përfundimin e dëshiruar për 27 vjet, shoqëria shqiptare e ka humbur dinjitetin në sytë e bashkëkohësve.

* Jora Vaso është studente e doktoraturës në Universitetin Pomeranian në Slupsk dhe redaktore e platformës turistike intoalbania.com. Ajo ka botuar mbi temat e kthimit, nostalgjisë dhe gjuhës në konferenca e revista lokale dhe ndërkombëtare. Ajo është diplomuar si për Letërsi Krahasuese dhe Reklamim, ashtu edhe në Master për Biznes Ndërkombëtar nga Universiteti i Gjeorgjisë dhe Universiteti Shtetëror i Gjeorgjisë. Pas qëndrimit në SHBA për gjashtëmbëdhjetë vjet, ajo u kthye në atdhe dhe aktualisht banon në Poloni për kohëzgjatjen e studimeve të saj. Jora ka pasur një ekspozitë fotografike në Gdansk, Poloni, në maj të vitit 2018 me titull “Ripërtëritja: Qyteti si kurë”.

* Theo Napoloni është një artist pamor dhe një muzikant profesionist që aktualisht jeton dhe punon mes Durrësit dhe Tiranës. Punimet e tij, kryesisht piktura, kujtime vetjake dhe të përbashkëta – duke u luhatur midis tronditjeve të paharrueshme dhe asgjësimit simptomatik – riprodhohen në tranzicionin e tyre të pasigurt. Lidhur me formimin e tij, nga viti 1995 deri në vitin 1999 ka studiuar në shkollën e lartë artistike “Tefta Tashko Koço” në Korçë dhe prej vitit 1999 deri në 2003 në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku është diplomuar në pikturë. Që nga viti 2003 Theo ka pasur ekspozita të shumta në Shqipëri, SHBA, Holandë dhe Greqi.