Galeria Kombëtare e Arteve zhvilloi në harkun kohor 27 qershor – 8 shtator 2019 ekspozitën “Kolë Idromeno në retrospektivë”, kuruar nga Erzen Shkololli në bashkëpunim me këshilltarët e ekspozitës: Eleni Laperi, Zef Paci dhe Afërdita Onuzi. Risjellja e një artisti të përmasave të Kolë Idromenos ishte një mundësi mjaft e mirë për të parë, riparë e hulumtuar nga afër shkëlqimin e piktorit të parë realist shqiptar. Ai ishte një artist i lëvrimit të shumë gjinive artistike (në ekspozitë përfshihet edhe një pjesë e krijimtarisë së tij fotografike), porse ishte prirja dhe thellimi në pikturë ajo që i siguroi emrin e themeluesit të shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX – XX.
Lidhja e fortë me trashëgiminë popullore përbën një prej shtyllave kryesore të krijimtarisë së tij. Ajo pasqyrohet sidomos në veprën përfaqësuese të artistit, “Motra Tone”. Përcaktuar si vepra e parë laike, si portreti i parë me kostum tradicional, ajo përmban në radhë të parë vlera etnografike. Në dallim nga portretet e tjera, Antonia nuk ndërvepron drejtpërdrejt me shikuesin. Duket sikur ajo meriton dhe pret vetëm të admirohet, në gjithë hijeshinë e saj rinore dhe femërore; artistike, padyshim!
Në tërësinë e pasqyrimit të karaktereve të shumta, tundimit për vetëpasqyrimin nuk i ka shpëtuar as Idromenoja; në thelb, si një përpjekje për të njohur dhe pranuar vetveten. Vetëportreti në hyrje të ekspozitës, ndonëse hijerëndë, ndonëse në prag të ndërrimjetëve (ose edhe më tepër për këtë arsye), në dukje, ka nën zotërim gjithçka, veçse shikimi heton me njëfarë frike, pse jo? Duket sikur një lloj kundërshtie buron prej këtij autoportreti: frika prej “errësirës” dhe epërsia ndaj saj. Pavarësisht brazdave të thella në fytyrë – gjurmë të kohës – tiparet e tjera tregojnë se mbrojtja është gjithmonë e nevojshme, deri në fund. Aspak i shpenguar, portreti i tij del nga errësira me frikën njerëzore se nga çasti në çast mund të zhytet sërish atje. Pas gjithë përballjeve jetësore, duket se kjo tablo shpërfaq përballjen e fundme, atë me veten para Zotit. Pesha e kohës rëndon në çdo hedhje peneli dhe tiparet e mprehta, çdo përvijëzim rreth syve, rrudhja mes tyre apo lartësimi i një vetulle dëshmojnë në mos një prirje për hetim, një dyshim diku thellë. Megjithatë, ka ende jetë, sepse ka ende frikë; ka ende forcë, por nuk ka më iluzione.
Vjen me më tepër dritë, më tepër ngjyra, por me të njëjtën dhimbje portreti i bashkëshortes, dhimbje e cila, në ndryshim nga autoportreti, nuk është filozofike dhe e ashpër, por njerëzore dhe e trishtë. Nëse ky është portreti i parë dhe i fundmë për të prej autorit – bashkëshort, atëherë ky portret, nën petkun e veshjes popullore po ashtu, të ndërmend më së shumti mirënjohjen ndaj saj.
“Dasma shkodrane” dhe “Kur hyn dreqi në shtëpi” janë dy tablo që i qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, si në vendosje brenda hapësirës së galerisë, si për sa i përket përmbajtjes. Nga njëra anë pasqyrohet gëzimi jetësor, gjallëria dhe hareja e ngjyrave dhe formave, dëshmi e gjallë e shijes së lartë estetike dhe artistike të trashëgimisë etnografike, kaq shumë të përpunuara në shekuj, për të mbërritur në një shpërfaqje kaq magjike lëndore. Nga ana tjetër, përkundër haresë së saj, qëndrojnë tashmë njerëz, engjëj dhe djaj. Janë mbledhur të gjithë dhe po kryhet “gjyqi i fundmë”. Janë aty familjarët e tmerruar, mëkatari i lidhur në zinxhirë, djajtë formëndryshëm, vdekja me kosë, dhe përfaqësuesit e Zotit në Qiell dhe Tokë. Nëse te “Dasma shkodrane” çasti i shkëputur i lumturisë njerëzore kërkon hapësirën natyrore për sfond, te tabloja “Kur hyn dreqi në shtëpi” mjedisi është i brendshëm, i ngjeshur në figura dhe tejet mbytës për nga ankthi që shkakton.
Mëkatari jepet i tmerruar, por jo i habitur. Lundrojnë në tablo dëshpërimi i nënës së tij (ndoshta), shtangia e gruas dhe fëmijës, gëzimi përlyes i djajve, lutja e priftit dhe mirësia paqtuese e engjëllit, flatrat e të cilit rrinë edhe mbi kosën e vdekjes. Të gjithë djajtë janë duke i përmendur një hua, ndërsa vdekja është duke ndjekur me besnikëri akrepat e orës. Gjithçka është në këtë tablo: e kaluara, e tashmja, e ardhmja. Ka shumë pak dritë në të. Pak qiell duket prej derës së hapur… Kështu, ndëshkimi biblik i mëkatit njerëzor dhe përjetimi familjar ngërthehen duke na përfshirë në vorbullën mistike e duke na shtytur të bëhemi pjesë vetëshqyrtimesh psiko-morale.
Fundi i rrugëtimit të mbyllur: “vetvete – ndërveprim – mëkatim ose jo – rikthim te vetvetja” përkufizohet te tabloja “Dy rrugët”, në të cilën gjarpërojnë e mira dhe e keqja, qiellorja dhe nëntoka, lartësimi dhe mundimi. I gjithë ky përjetim biblik etnografikisht është i veshur shqip. Natyra dhe veshjet popullore, lëvizja e vazhdueshme në tablo frymojnë shqip, por për nga thelbi njerëzor tabloja është kaq gjithëkohore, gjithëpërfshirëse dhe e papërsëritshme njëherazi. Së afërmi, tabloja na fton të rishohim tundimet, grackat, joshjet, përlyerjet morale, por edhe qëndresën, guximin drejt vetëpastrimit për shpërblimin e fundmë. Gjithçka tokësore, e prekshme apo përjetuese pas këtij kundrimi nuk është veçse një urë kalimi; skaji i vendmbërritjes sonë varet vetëm nga ne. Frymojnë në këtë ekspozitë larmi shtresash shoqërore, moshash njerëzore, përjetimesh rinore, bjerrjesh morale e lartësimesh po ashtu. Një tërësi portretesh, një galeri e larmishme njerëzore me shikime depërtuese (përmes tablosh pikture dhe shkrepjesh fotografike), fton shikuesin në labirinte psikologjike e ndjesimore. Kjo sundon pjesën e parë të ekspozitës, për t’ia lënë vendin dalëngadalë rrugëtimit të përbashkët drejt fundit të jetës tokësore dhe përtej saj.
* Nikollë (Kolë) Idromeno lindi më 15 gusht të vitit 1860 në Shkodër dhe u nda nga jeta më 12 dhjetor të vitit 1939. Ai është një prej themeluesve të arkitekturës, pikturës e skulpturës realiste, si dhe fotografisë shqiptare, duke na lënë një trashëgimi me vlerë në këto fusha. Veprat e tij janë shfaqur në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozita ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925, 1936), në Bari (1931) dhe në Nju-Jork (1939).
* Erzen Shkololli ka lindur në Pejë më 1976, është artist dhe kurator shqiptar, bashkëthemelues i Institutit të Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë. Është një nga emrat kosovarë më në zë në arenën ndërkombëtare të arteve pamore. Ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2015. Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Shqipëri në janar 2018.