Bazament Art Space paraqet projektin e fundit të artistit Lek M. Gjeloshi, titulluar Dramamine, kuruar nga Zef Paci. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët gjatë periudhës 3 shtator deri më 10 tetor 2021.

...

Titulli i ekspozitës përkon me emrin e një ilaçi kundër pështjellimit që shkaktohet prej udhëtimit ose lartësisë. Por ajo çka paraqitet në Bazament sipas kuratorit, vepron më shumë si një terapi ushtrimesh rrokulluese që përgatit pilotët për fluturimet e tyre duke qëndruar në tokë, e ku i fton vizitorët të zbresin shkallët për të hyrë në katin e nëndheshëm të kësaj ndërtese në zonën e ish bllokut. Ky projekt artistik është realizuar posaçërisht për mjediset e kësaj hapësire.

Vepra e artistit në këtë ekspozitë vjen si strukturë e vetë hapësirës së galerisë, që do të thotë se vepra në këtë rast bëhet një me ambientin e Bazament-it. Ndërhyrja me anë të veprës artistike vjen nga artisti në bashkëpunim me kuratorin në formën e katër vitrazheve të instaluara në strukturën e dritareve ekzistuese.

Duke përshkuar korridorin e ngushtë dhe të errët, i vetmi burim që sjell dritën natyrore në këtë hapësirë vjen nga vetë vepra, në këtë rast prej dritareve dritaret në teknikën e vitrazhit. Në hapësirën e parë është një dhomë e vogël ku në të, vizitorët prezantohen me veprën e parë. Ndërsa në vijim në një hapësirë më të madhe, në një linjë horizontale, janë të ekspozuara tri vitrazhe.

Në dy prej këtyre vitrazheve vërehet simboli i një Kryqi. Simbol i cili merr referencat nga realiteti, të bëra nga dora e njeriut, siç janë planimetritë e dy ndërtesave. Njëra prej tyre është ngrehina e Kinostudios “Shqipëria e re” (sot Ministria e Kulturës) dhe tjetra e  një spitali psikiatrik, në qytetin e Shkodrës.

Duke iu referuar planimetrive që shfaqin vitrazhet, vërehet që elementi i

vitrazhit në qendër të hapësirës së dytë, i cili merr referenca nga një godinë institucionale që gjendet në qendër, ka trajta statike dhe racionale, ndërsa vitrazhi i dhomës së parë, i spitalit psikiatrik në periferi, ka trajta dinamike e irracionale. Ndërsa në dy vitrazhet të vendosura në kahet anësore, vërehet elementi i një ylli, që këtë herë e merr referencën nga elementet dekorative të pllakave në dyshemenë e galerisë. Duket se yjet tashmë ngrihen nga toka dhe zhvendosen në dritaren prej vitrazhi.

Për Lek M. Gjeloshin zbulimi i siluetës së Psikiatrikut qe shtysë për kërkimin dhe krijimin e kësaj ngjarjeje artistike, e më pas i bën bashkë këto dy planimetri godinash laike duke i vendosur po prapë në një godinë laike, si konfigurime që evokojnë të njëjtin simbol.

Lek M. Gjeloshi ka lindur në vitin 1987 në Shkodër, ku edhe jeton e punon. Ai ka studiuar artin pamor në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence (diplomuar në vitin 2010). Ekspozitat e tij vetjake përfshijnë: All My Colours Turn to Clouds (2016); Off-Cells (2016); N’jerm (2018 – 2019). Në vitin 2015 ai ka qenë fitues i çmimit “Idromeno”, dhënë nga Galeria e Arteve të Shkodrës. Një vit më pas (2016), ai ka fituar çmimin “Ardhje” për artistët e rinj pamorë shqiptarë. Që prej vitit 2017 punon si përgjegjës i arkivit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Të shumta kanë qenë edhe ekspozitat e përbashkëta në të cilat ka marrë pjesë që prej vitit 2007, si: Pa titull (2008); Nuovo Cinema Masaccio (2014); Fuori posto (2013); Proiezioni 2013; Lontano da dove (2012); A time for dreams (2014); Terranauti (2015) Kreuzung der Vögel (2015);  Pa titull 2  (2016); Me fjalë të tjera  (2016).

Zef Paci ka lindur në vitin 1963 në Shkodër. Ka kryer studimet për Pikturë Monumentale në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (diplomuar në vitin 1984 – 1988). Aktualisht punon si profesor i Historisë së Artit dhe i Pikturës në Fakultetin e Arteve Pamore, Universiteti i Arteve, Tiranë. Krahas veprimtarisë didaktike e studimore ka marrë pjesë në ekspozita, gjithashtu ka realizuar disa skenografi teatri (2008 – 2009) dhe disa afreske (1995) e vitrazhe për katedralen e Shkodrës dhe atë të Vaut të Dejës. Ka përvoja të ndryshme kuratoriale si jashtë vendit ashtu dhe në Shqipëri. Disa prej projekteve të tij kuratoriale janë: Mbi jetën politike dhe atë të përditshme (2015); Persona (2017 – 2018); ARDHJE (2009 – 2010 – 2011 – 2012); IDROMENO (2008 – 2010 – 2013 – 2015 – 2017); Marubi, objektivi i lëvizshëm i një arkivi (2014); Marubi (2015 – 2016); Marubi, Life in images (2017); MARUBI Il rituale fotografico (2018); Pjetër Rraboshta (2021).