Ekspozita vetjake e artistit Lek M. Gjeloshi, “N’jerm”, hapet në galerinë “Zeta” përgjatë datave 14 dhjetor 2018 – 10 janar 2019. Kjo ekspozitë zë fill nga përballja rastësore e më pas nga dëshira për hulumtim e artistit ndaj një pajisjeje të vjetër zmadhimi negativësh (35mm). Vënia në punë e saj për një tërësi fotografike shkrepur nga një fotograf i panjohur tashmë, për ngjarje të papërcaktuara qartësisht, sjellin në ekspozitë frymën e tyre të mistershme, si rrjedhojë e të dhënave të mjegullta që gjenden për to.
Pamjet e paraqitura përmes fotografive në ekspozitë, ecur në dy kalime negativësh, veshur me një lloj kaltërsie të dendur, krijojnë ndjesi ëndërrore, ca më tepër duke paraqitur trajta të paqarta e fantazmagorike: murgesha veshur në të zeza, prani të dendur portretesh fëminore, vargane njerëzore gjatë riteve fetare.
Fotografimi me celular i këtyre fotografive prej autorit të ekspozitës, duke djegur shumë etapa teknike të zhvillimit të fotografive, duke përdorur mbi to një filtër negativ programi celulari, përbën rrugëtimin deri në ekspozitë. Mbivendosja e negativit mbi negativë, duke u shmangur ndjeshëm nga qëllimi i parë i shkrepjes fotografike, përfton një ndjesi të re në këtë seri me pozitiva hibridë, mveshur krejtësisht nga ngjyresa blu.
Ekspozita sjell pamje që pasqyrojnë gjendje dhe lëvizje, ku larmia e ngjyrave nuk përbën parazgjedhje të artistit, përkundrazi, njëngjyrshmëria është ajo që mbizotëron, duke i mëshuar më së shumti marrëdhënies që njeriu krijon me forcat e së panjohurës, përpjekjes që ai ndërmerr sidomos mbi vetëdijësimin njerëzor lidhur me paracaktimin e fatit.
Gjuha shprehëse është e kursyer. Përmes ngjarjesh të paqta, çasteve të së përditshmes dhe atyre të ritualeve katolike, në mjedise të jashtme apo të brendshme, ku figura e fëmijës është kaq shumë e pranishme, lind shqetësimi: sa e thellë duhet të jetë gjurma, në mënyrë që koha të mos e shformojë? Gjithsesi, më shumë se përmbajtja, në ekspozitë, është e rëndësishme ndjesia që autori kërkon të përcjellë përmes mjegullnajës së kaltër, e cila shpërhapet në skaje ashtu si përhapen rrathët në ujë, si dallgë që ndërrohen paprerë teksa kushdo përmbush ciklin e vet të përpjekjes.
* Lek M. Gjeloshi ka lindur në vitin 1987 në Shkodër ku edhe jeton e punon. Ai ka studiuar artin pamor në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence (diplomuar në vitin 2010). Ekspozitat e tij vetjake përfshijnë: “All My Colours Turn to Clouds”, Villa Romana, Firence (2016) dhe “Off-Cells”, Galeria e Arteve, Shkodër (2016). Në vitin 2015 ai ka qenë fitues i çmimit “Idromeno”, dhënë nga Galeria e Arteve të Shkodrës. Një vit më pas (2016), ai ka fituar çmimin “Ardhje” për artistët e rinj pamorë shqiptarë. Që prej vitit 2017 punon si përgjegjës i arkivit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Të shumta kanë qenë edhe ekspozitat e përbashkëta në të cilat ka marrë pjesë që prej vitit 2007, si: “Ex Gratia” në Koleksionin Iannaccone në Milano (2018); “A time for dreams” në Muzeun e Artit Modern të Moskës (2014); “Nuovo Cinema Masaccio” (2014), “Fuori posto” (2013) dhe “Lontano da dove” (2012) në Casa Masaccio dhe në fondacionin “Lanfranco Baldi”, në Itali.