Qendra për Hapje dhe Dialog çel sezonin pranveror me ekspozitën vetjake të artistit Ergys Krisiko të titulluar Leviathan, kuruar nga Ajola Xoxa. Veprat e artistit do të mbahen të ekspozuara për vizitorët gjatë periudhës 25 mars – 15 prill 2022.

...

Shkrimi kuratorial:

LEVIATANI MEKANIK

Leviatani është një përbindësh i nënujit i përmendur për herë të parë në Testamentin e Vjetër Biblik, një krijesë mitologjike, por njëkohësisht një metaforë e mirënjohur në Judaizëm e Katolicizëm, simbol i fuqisë së madhe krijuese të Zotit, por edhe një bishë demoniake e aftë të vrasë. Njëkohësisht, Leviatanin askush nuk e ka parë: ai qëndron krejtësisht i vetëm dhe i padukshëm në thellësi të detit.

Jashtë Krishtërimit, Leviatani është risjellë nga filozofi Thomas Hobbes, duke e kthyer në një prej metaforave më të rëndësishme të historisë së njerëzimit: asaj të luftës për pushtet. Hobbes beson se në gjendjen e tij natyrale njeriu është i lig dhe mendon për shkatërrimin e njeriut tjetër, si pasojë lind nevoja e krijimit të kontratës sociale, pra një pakti për krijimin e një pushteti më të lartë, të aftë të vendosë pasoja mbi veprimet e njeriut: shteti. Pra Leviatani, një frikë më e madhe, e cila shuan frikën mes vedit, për ta transferuar atë te kjo qenie e aftë të ndëshkojë.

Ergys Krisiko nuk kërkon të abstragojë nga fakti se kjo ekspozitë është konceptuar për COD, një hapësirë artistike e vendosur brenda mureve të Kryeministrisë; madje përkundrazi, koncepti kuratorial i përdorur e përqafon këtë fakt, duke u frymëzuar në krijimin e kësaj vepre pikërisht nga kjo ndërtesë, mbartëse e kaq shumë historie, hera- herës trajtuar si një trofe në vetvete, a thua se pushteti lind nga vetë ndërtesa. Kështu, Leviatani mbase është kjo ndërtesë apo pushteti që ajo mbart, apo Leviatani është ai që e sjell këtë pushtet, pra populli votues? Është ndërtesa që e ka robëruar Leviatanin e futur në kafaz, apo është vetë Leviatani që e ka mbërthyer atë? Po Leviatani kush është? A duhet druajtur prej tij?

 

Leviatani Mekanik kërkon të pushtojë të gjithë hapësirën e COD, duke lënë pak vend për lëvizje, për të krijuar qëllimisht ndjesinë e ngushtësisë, duke e bërë vizitorin të ndihet i vogël përballë një skulpture kaq të pranishme. E megjithatë, paraqitja e Leviatanit si një krijesë e ngecur mes mureve të COD – pra të Kryeministrisë – sjell pashmangshmërisht një poetikë të veçantë, deri edhe një lloj melankolie: kjo kafshë e madhe, ky përbindësh, është në fakt krejt i vetëm pavarësisht madhështisë së tij; i heshtur, i frikshëm, por i padëmshëm.

Është e qëllimtë që publiku të ndiejë sikur po hyn brenda trupit të përbindëshit mitologjik, kinse të ishte i gjallë, si një virus në barkun e tij ose si Pinoku brenda kraharorit të balenës: observues në pritje.

Gjithçka përreth është e errët, jo më tepër me qëllimin për të krijuar mister sesa me qëllimin për të shuar dimensionet e hapësirës ku ndodhemi. Është sidoqoftë e pashmangshme të ndiejmë se krijesa ka ngecur brenda mureve, pa ditur nëse ka hyrë vetë atje, për ta pushtuar, apo është gjendur aty gabimisht, nën endjen e gjetjes së rrugës së duhur. Qëllimi nuk është që artisti të japë një përgjigje, detyra e tij është të shtrojë pyetjet e duhura, pa kërkuar të pozicionohet.

Skenari është mitologjik, edhe pse simbolik e jo figurativ, pra si pasojë me shumë vend për interpretim, por në çdo rast rëndësi i jepet eksperiencës së publikut rreth veprës e brenda saj, që padyshim është një eksperiencë poetike, sikur të jenë observues të heshtur të një kafshe që është ende në gjumë të thellë, por që mund të zgjohet në çdo çast.

Është një shok estetik dhe fizik, sepse vepra të detyron të ndërveprosh me të dhe ta ndjesh praninë e saj materiale, mes dyshimit nëse kjo fuqi është e errët apo krejtësisht e padëmshme, çka përforcohet edhe më tepër prej pranisë së tre kuajve të vendosur jashtë COD, të cilët fare të qetë hanë bar, si brenda një peizazhi të qetë idilik, të pashqetësuar, të pafrikësuar. E nëse këta mbretër të natyrës së egër nuk kanë frikë përballë Leviatanit të madh, pse duhet të ketë vizitori? Sa fizike, eksperienca është edhe filozofike, në botën politike të vitit 2022, ku asnjë krijesë mitologjike nuk arrin të sfidojë realitetin, ku realiteti e tejkalon fantazinë.

Ajola Xoxa

 

Photo Courtesy: COD