ALBE HAMITI / ARTAN HAJRULLAHU / FATMIR MUSTAFA – KARLLO / HAVEIT – EMPFANGSHALLE / JAKUP FERRI / JETON GUSIA / DRITON SELMANI / DRITON HAJREDINI / RRON QENA / SHPËTIM SELMANI

...

Qendra Kulturore TULLA, përgjatë dy muajve ofroi për publikun atë që e quajti Manifesti i Mbijetesës – Ekspozitë Kolektive e Artistëve Kosovarë. Trembëdhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhjetë artistë sjellin veprat e tyre në Tiranë, kuruar nga Alban Nimani, me fokus në festimin e pavarësisë dhe lirisë.

Ekspozita konsistonte në vepra të sjella në një larmi mediumesh, konkretisht: i) pikturë, ii) fotografi, iii) objekte, iv) video dhe v) letërsi, ku:

I) Pikturat përbëjnë pjesën më të madhe të ekspozitës. Artistët pjesëmarrës janë pesë dhe secili ka sjellë minimalisht dy punime, të realizuara kryesisht gjatë dy viteve të fundit. Artan Hajrullahu, artisti i lindur dhe i bazuar në Gjilan, që frymëzohet me jetën e përditshme, ka krijuar gjashtë piktura me laps në letër, të emëruara “Pa Titull”. Me ngjyra arkaike, në stil të thjeshtë e nostalgjik, ato shfaqin herë jetët mondane brenda shtëpisë, herë Supermenin dhe makina fluturuese.

Driton Hajredini, artisti që ka jetuar për vite të tëra jashtë Kosovës, ka sjellë dy zogj të zinj në dy mjedise të ftohta. Tek “Roja e Zhgënjyer”, një korb qëndron mbi një valixhe të mbyllur, ndërsa tek “Wake me up before you go go” një gjel i zi këndon, teksa një larës xhamash bën punën e tij duke qëndruar mbi një pistoletë me tytë të butë e të përdredhur rreth vetes.

Jakup Ferri, artisti i formuar në Hollandë, që hedh ngjyra mbi pëlhura, qelq e mure, vjen me dy piktura që kontrastojnë në bazë, pasi njëra është e zezë dhe tjetra rozë, por përputhen nga ndjesia që përçojnë dhe aktivitetet që marrin jetë në to. Subjektet që popullojnë dy pikturat pa titull, ngjasojnë me personazhet vizatimorë plot ngjyra të viteve ’80 – ‘90. Njëri grup luan muzikë në një instrument të përbashkët dhe një harmoni festive i përshkon të gjithë, ndërsa grupi i dytë, i përbërë nga subjekte njerëzorë dhe jonjerëzorë, ngjason me një cirk ku disa interpretojnë dhe të tjerë argëtohen. Lëvizja, ngjyrat dhe argëtimi shtrihen në dy punimet e Jakup Ferrit.

Jeton Gusia, sjell dy piktura vaji që paraqesin dy peizazhe krejt të ndryshme, por në tonalitete të errëta dhe detaje të shumta. Në “Pa Titull”, një çast urban ndërlidh dy shitës ambulantë ushqimi të shpejtë dhe një syzesh, këmbësorë që enden rrugëve të gurta. Piktura e dytë, e quajtur “Bleta”, paraqet një kultivues bletësh me veshjen karakteristike, që endet mes koshereve në zgjoin e ngjyrosur në një të gjelbërt të panatyrshme, kimike, që duket thuajse e papërshtashme për jetën që rritet përreth.

Së fundmi, artisti i lindur dhe i rritur në Prishtinë, Rron Qena, ka sjellë dy piktura ekspresioniste vaji, të titulluara “Autoportret” dhe “Peshkatari”, e para në ngjyra të spikatura të gjelbërta e të kuqe dhe e dyta në një blu të thellë.

II) Dy fotografitë e ekspozitës janë shkrepur nga e vetmja artiste grua në të, Albe Hamiti dhe titullohen “Djemtë e Zasellës”, sipas fshatit pranë Komunës së Mitrovicës. Në to fotografja nga Mitrovica e bazuar në Berlin, paraqet dy djem akromatikë e para-adoleshentë të zonës, të cilët shfaqen në lëvizje, në lojë dhe afektivë ndaj njëri-tjetrit.

III) Objektet konsistojnë në veprat e dy artistëve konceptualë. Dy të parat janë nga Driton Selmani dhe konsistojnë në një qese plastike dhe në një shishe xhami. Sipër qeses plastike, të quajtur Anais, me akrilik shkruhet “Watercolor With our Present Tears of the Past” (Bojëra uji me lotët e tashëm të së shkuarës). Shishja e riciklueshme e xhamit mbart një letër të riciklueshme, ku me laps qymyri shkruhet “Lorem Ipsum”, togfjalëshi latin i përdorur nga dizenjatorët grafikë për të marketuar modelet e tyre, por me orgjinë nga vepra e Ciceronit “De Finibus Bonorum et Malorum” (Në ekstremet e së mirës dhe së keqes), që daton në vitin 45 PK.

Dy objektet e tjera janë krijuar nga Fatmir Mustafa – Karllo dhe quhen “Cheers” (Gëzuar). Ato janë këpucë të kuqe nr. 37, me taka, të përshkuara nga një puro dhe të pozicionuara larg njëra-tjetrës. Një ndjesi kabareje ndërlidh stilin e këpucëve, puron dhe titullin e veprës.

IV) Një seri videosh që zgjat 21 minuta, me titull “Seeds of Concept” (Farat e Konceptit) projektohet në mes të ambientit të ekspozitës. Aty shfaqet një bisedë mes të rinjve të kolektivit artistik kosovar HAVEIT dhe dyshes artistike gjermane Empfangshalle, në Mynih të Gjermanisë. Pasohet me pamje të qytetit të Prishtinës dhe elementëve identifikues të saj, si ndërtesat e papërfunduara, kishat dhe dyqanet, të cilat kanë ndryshuar funksion dhe pamje gjatë viteve të fundit. Shfaqen njerëzit e Kosovës së pasluftës dhe hapësirat e dedikuara ndaj konsumerizmit. Videoja rrjedh në mënyrë të zhdrejtë dhe prek fusha dhe përjetime të ndryshme, të fokusuara në pozicionin e Kosovës, të rinjve të saj dhe artit, koncepte që ndërlidhen të pandërprera, teksa biseda mes të rinjve ndërpritet nga kujdestari dhe ata dëbohen nga ambienti ku janë rehatuar.

V) Aktori dhe shkrimtari kosovar Shpëtim Selmani, që më 2020-ën u vlerësua me European Union Prize for Literature (çmimi Letrar i Bashkimit Evropian) për librin e tij “Libërthi i Dashurisë”, ka sjellë të vetmen vepër të shkruar në Manifestin e Mbijetesës, apo “manifest anti-politik”, siç e quan ai. Në tetëmbëdhjetë paragrafe shtrihen mendime, poezi dhe konstatime të shkruara nga autori mbi Kosovën, historinë, kohën dhe vetveten.

*Alban Nimani, artisti bashkëkohor nga Kosova, eksperimenton në mediat e reja dhe muzikën elektronike duke krijuar një lidhje mes shumë zhanreve të muzikës dhe artit. Dikur bashkëthemelues i grupit “Asgjë sikur Dielli”, ai drejton tashmë Qendrën Kulturore TULLA, në Tiranë.