Ekspozita “Graviteti magjik” sjell për herë të parë në Shqipëri, në COD (Qendra për Hapje dhe Dialog), 180 punime (gravura dhe grafika) të një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, Marc Chagall (Mark Shagall). Ekspozita, e cila qëndron hapur për publikun që prej 19 tetorit 2018 deri më 12 janar 2019, është kuruar nga Vladimir Myrtezaj dhe Genti Gjikola. Përgjithësisht, Shagalli fton në një botë fëminore prej së cilës, me sa duket, ai kurrë nuk u shkëput. Arti i tij naiv dëshmon botën e vet të pastër dhe të papërpunuar. Dhe, pikërisht falë këmbënguljes për të mos u përpunuar prej teknikave të gatshme e të përsëritura, ai mundi të ndërtojë gjeninë, përmes shpërfaqjes të së cilës do të ndriçohen (udhëhiqen) breza artistësh dhe adhuruesish të artit.

...

Rregullat tokësore e ca më tepër ato shoqërore, nuk vlejnë për Shagallin. Ligji gravitacional nuk vepron në përfytyrimet e tij. Gjithçka flatron në ajër. Gjallesat tokësore dhe ujore bashkëjetojnë kaq natyrshëm në veprën e artistit. Spikat harmonia mes gjinive në hapësirën njerëzore po ashtu, aq shpesh e pranishme në vepër. Të dashuruarit dhe engjëjt enden po njësoj. Një botë mes ëndrrës dhe përrallës ku tingujt dhe ngjyrat vallëzojnë në një mjedis sureal, ku logjika përjashtohet dhe përqafohet vetëm ndjenja, artisti kërkon një botë të paqtë, larg ligësisë njerëzore dhe mediokritetit shoqëror, tipare të cilat ai i ndeshi më së shumti përgjatë rrugëtimit të mundimshëm të spikatjes në botën e artit dhe njohjes mbarëbotërore.

Prania e biblikes është një tregues tjetër i botës së tij mistike e të pashpjegueshme, por të magjishme. Sipas tij, përkundër çdo pengese, gjithësia drejtohet nga dashuria. Gjithçka. Deri në grimcën më të papërfillshme. Kjo vlen edhe për fushën në të cilën ai u dha me më tepër pasion se në çdo drejtim tjetër, në art, duke thënë shprehimisht: “Në art, ashtu si kudo, gjithçka është e mundur, po qe se bazohet në dashuri”. Përpos pikturës – ëndrra e parë dhe e fundme e artistit – ai zgjodhi edhe rrugë të tjera përmes të cilave shpërfaqi gjeninë e vet, si: grafika, qeramika dhe vizatimi; vitrazhi, mozaiku, endja në tezgjah, skulptura monumentale dhe skenografia.

Përmes teknikave të litografisë, zinkografisë dhe akuafortes vijnë edhe tri ciklet, pjesë përbërëse të ekspozitës në fjalë, tri ciklet më të njohura ilustrative për libra të artistit, përkatësisht: “Shpirtra të vdekur” të Gògolit, “Stuhia” të Shekspirit dhe “Fabulat” të La Fontenit. Gravurat për romanin “Shpirtra të vdekur” të Gògolit i paraqesin ngjarjet me mjaft mençuri, ndjeshmëri dhe elegancë; dhe, natyrisht, ironia nuk mungon. Ato përbëjnë një nga kryeveprat e artit modern në gravurë.

Seria e gravurave për ilustrimin e “Fabulave” të mrekullueshme të La Fontenit pasqyron botën më ëndërrimtare të mitit dhe legjendës së lashtë, të treguar e të ritreguar, duke ndryshuar kohë pas kohe dhe vend pas vendi, duke gjetur vetveten kaq mirë në gdhendjen artistike të Shagallit. Cikli i plotë prej 50 ilustrimesh, i cili paraqet veprën “Stuhia” të Shekspirit pasqyron këndvështrimin shagallian mbi magjiken shekspiriane. “Sipas interpretimeve kritike më të fundit, Shagalli pa te “Stuhia” e Shekspirit simbolin e stuhisë që përfshiu vetë jetën e tij, si dhe një pasqyrim të përvojave tronditëse të hebrenjve europianë në gjysmën e parë të shekullit XX.” (teksti kuratorial)

Në hyrje të ekspozitës qëndron një cikël me 13 litografi, një pasqyrë plot ngjyra, jetë, dritë dhe shpresë e botës shagalliane. Të gjitha ciklet (bardhezi dhe në ngjyra), vijnë me një gjuhë tërësisht origjinale, të ngrohtë dhe të mprehtë njëherazi.

* Marc Chagall ka lindur në vitin 1887 në Vitebsk, Bjellorusi dhe ka vdekur më 1985 në Francë (Saint-Paul-de-Vence). Përtej origjinës hebreje, Shagalli pati shtetësi të dyfishtë: bjelloruse dhe franceze. Ai është ndikuar nga disa rryma si kubizmi, ekspresionizmi abstrakt dhe surealizmi, por diti të krijojë individualitetin e vet, duke u bërë një nga artistët më të mëdhenj të shekullit XX. Duke qenë të vështirë për të ndërveprimi shoqëror dhe marrëdhënia institucionale, Shagalli zgjedh përfundimisht Parisin përballë Rusisë, me shpresë që një ditë edhe ajo do të mësonte ta donte.