Falë bashkëveprimit me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, ekspozita “Modellare l’acqua”/ “T’i japësh formë ujit” e artistit Mario Airò, kuruar nga Simone Ciglia (Simone Çilia), ekspozohet për herë të parë në hapësirën Bazament, në datat 27 shkurt – 22 mars 2020. Vepra “Modellare l’acqua”/“T’i japësh formë ujit” është një projekt i ideuar dhe i promovuar nga fondacioni Malvina Menegaz në Castelbasso/Kastelbaso dhe i realizuar falë mbështetjes së Këshillit Italian të Drejtorisë së Përgjithshme për Krijimtarinë Bashkëkohore në Ministrinë për Trashëgimi, Veprimtari Kulturore dhe Turizëm.

...

Vepra në fjalë përbën kapitullin e dytë të një hulumtimi mbi mundësitë bashkëkohore të traditës artizanale, çka mishëron një prej linjave të programit të fondacionit Malvina Menegaz në Castelbasso/Kastelbaso. Projekti lindi gjatë një rezidence të artistit Mario Airò në Castelli/Kasteli (TE), qendër historike e prodhimit të procelanit në Itali.

Në thelb të këtij formësimi ujor qëndron mahnitja prej botës natyrore dhe dukurive që lidhen me ujin. Nën frymimin bashkëkohor, artisti ka krijuar një instalacion që ripërpunon temën e burimit, duke formësuar, përmes frymëzimit poetik, shtratin e lumit. Instalacioni ndërmend formën e shtratit të lumit, të zbërthyer në elemente individuale, të përbërë nga arketipa qeramike nga Castelli (pllaka, gota, kana), në një kompozim të pezullt dhe akrobatik që lidhet poetikisht me temën e burimit. Format e qeramikës, si një lloj instalacioni mjedisor, shërbejnë për të krijuar rrjedhën natyrore të ujit në formën e një shatërvani.

Paradigma ujore përdoret simbolikisht në punën e Mario Airò-s. Ajo synon risjelljen e një hapësire/gjendjeje, e cila ngacmon soditjen aktive. Ndërhyrjet e artistit shkaktohen kryesisht me qëllimin për të nxitur ndjesi të forta emocionale te shikuesi. Ato nxitin/joshin me delikatesë shndërrimin e ekspozitës në mjedis gjithëpërfshirës, në hapësirë ku mendimi përpiqet të prekë përsosmërinë e vazhdueshme.

Vepra do të jetë pjesë e koleksionit të Muzeut Ndërkombëtar të Qeramikës së Faencës (Faenza), institucioni më i madh italian në këtë sektor.

* Mario Airò ka lindur në Pavia në vitin 1961. Ka studiuar në Milano me Luciano Fabro dhe në mesin e viteve ’90 hapi, me artistë të tjerë, një hapësirë të vetëmenaxhuar në rrugën “Lazzaro Palazzi”. Në vitin 1997 mori pjesë në Bienalen e 47-të të Venecias, në Bienalen e Artit Bashkëkohor në Moskë dhe në vitin 2005 në Bienalen Guanxhu (Gwangju). Ka hapur shumë ekspozita vetjake dhe ka marrë pjesë në ekspozita të përbashkëta në institucione të shumta në të gjithë botën, përfshirë: GAM (Torino); KunsthalleLophem; Pallati i Trienales (Milano); Galeria Kombëtare e Parmës, Pallati Pilotta; Muzeu i Artit Bashkëkohor “Villa Croce” (Xhenova/Genova). Punimet e tij janë shfaqur, ndër të tjera, në Kështjellën Rivoli, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Tokio dhe në S.M.A.K. Ghent. Gjithashtu, punimet e tij janë pjesë e koleksioneve të shumë institucioneve, përfshirë: MAXXI (Romë), Kështjella RivoliGNAM (Romë), MAMbo (Bolonjë/Bologna), Muzeu Bolzano. Mario Airò jeton dhe punon në Milano.