Fotografi francez Michel Setboun sjell në hapësirat e qendrës COD një dokumentim fotografik të dhjetëvjeçarit më të spikatur ndoshta në historinë zhvilluese të shoqërisë shqiptare: kalimit nga sistemi diktatorial në atë demokratik.

...

Nën emërtimin “Fundi. Fillimi. Shqipëria 1981-1991” gjithsej 99 fotografi në përmasa të mesme dhe të mëdha paraqesin Shqipërinë e viteve 1981-1991 gati-gati në mënyrë shumëplanëshe, duke shpërfaqur çaste: të varfërisë së skajshme, të largimit masiv përtej kufijve, të shpresës naive për liri dhe ndryshim, të rijetësimit të vendeve të kultit, pa lënë jashtë çaste përjetimi të tri ngjarjeve më të rëndësishme në jetën njerëzore: lindjes, martesës dhe vdekjes.

Por edhe këto tri dukuri jetësore vijnë në përputhje me tematikën gjithëpërfshirëse të ekspozitës: jetesës brenda një shoqërie në vështirësi zhvillimi.

Cikli që risjell në kujtesë pamjet e varfërisë së skajshme përcjell po ashtu gjendje të nënshtrimit të plotë dhe besimit të detyruar ndaj ideologjive, paracaktuar nga forca politike në drejtim.

Cikli kushtuar ikjes masive të shqiptarëve në vitet ’90 përtej kufijve përmban në vetvete ndjenjën e fortë të mbijetesës dhe nevojës për mirëqenie, nxitur më shumë se prej urisë instinktive nga uria për liri mendimi, shprehjeje dhe veprimi.

Në ciklin e fotografive të pasviteve ’90 mund të veçohen ato shkrepje që pasqyrojnë martirët e demokracisë (Besnik Ceka); të burgosurit prej sistemit (At Zef Pllumi) dhe të papranuarit prej tij (Nënë Tereza – sot Shën Tereza), duke u lutur në rrënojat e një kishe. Pas tyre qëndron turma; ndoshta, pak a shumë, me të njëjtin zell të asaj turme që pati ngritur kazmën ndaj kishave, të cilat u shndërruan më pas në depo, kinema, teatro apo vende ku ushtroheshin veprimtari fizike (palestra).

Nuk mungojnë në ekspozitë: fotografitë që shpërfaqin kërkesën e brendshme alogjike për shkatërrim të gjithçkaje rrethuese, si një kundërvënie dëshpëruese dhe primitive ndaj shtypjes prej sistemit të mëparshëm; fotografitë që paraqesin kushtet mjerane të qendrave për fëmijë me probleme mendore shkaktuar nga “përvetësimi i të ardhurave prej administratorëve vendorë” (pjesa në thonjëza sipas tekstit kuratorial); fotografitë që përçojnë rikthimin te ritet fetare sipas besimit përkatës; fotografitë me shprehje festive nga shpërbërja e kooperativave shtetërore; fotografitë e mjediseve të ndërtesave industriale, para dhe pas shkatërrimit të tyre. (Fabrika e shkatërruar e qymyrit në Vallias.)

Në ekspozitë nuk mungon pasqyrimi i përditshmërisë së mjediseve qytetare apo rurale, ku vendin e muraleve kishtare e kanë zënë muralet me parrulla ideologjike (para ’90-ës); nuk mungojnë as çastet e fushatave zgjedhore (pas’90-ës).

Nuk mungon ironia apo grotesku: në fotografitë e shkrepura në mjediset e atelieve; gjatë shijimit të diellit mes bunkerit dhe detit; mes gjallërisë jetësore në marshimet e “1 Majit”; në kompozimin e fotografisë ku shfaqet një shitës shëtitës akulloresh në sfondin e fotografisë së madhe të Enver Hoxhës në Pallatin e Kulturës; në fotografimin e një bariu dhe tufës së tij në sfondin e një pikture murale kishtare; në organizimin e një dasme në rrënojat e një kishe. E gjithë kjo si një formë e bashkëjetesës me të keqen dhe kujtimin e saj.

Janë të pranishme në ekspozitë edhe pamje nga muzeu “Enver Hoxha”, një muze në përpjekje për t’i përngjarë varrit faraonian, që në ndryshim nga taktika faraoniane nuk u ndërtua nga vetë diktatori, por nga pasardhësit e tij.

Grimcat e gëzimit në këtë ekspozitë vijnë në fotografitë: e vullnetarëve të ndërtimit të një vije hekurudhore; e rinisë së stërvitjeve ushtarake; e hapësirave të paprekura natyrore të Shqipërisë; e tifozëve të një ndeshjeje futbolli; e fëmijëve instrumentistë; e fëmijëve të kopshtit që ecin teksa statuja e Enver Hoxhës u qëndron përmbì.

Pamjet përzgjedhur prej fotografit Michel Setboun në ekspozitë, sot, 37-27 vjet më vonë, u përngjasin prodhimeve kinematografike çka nuk është e vërtetë. Ato janë pamje që i përkasin realitetit shqiptar 1981-1991.

Ekspozita qëndron e hapur në mjediset e qendrës COD që prej 6 korrikut deri më 2 shtator 2018.