“Histori të Munguara: Puna e detyruar nën regjimin nazist. Një qasje artistike.” është çelur pranë Muzeut Historik Kombëtar më 8 gusht dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 20 gusht 2021. Pesë kuratorë janë kujdesur për përzgjedhjen e veprave pjesëmarrëse. Ata janë: Adela Demetja (Tirana Art Lab), Natalija Vujoseviç (Instituti i Artit Bashkëkohor – Cetinje), Sanja Kojić Mladenov (Muzeu i Artit bashkëkohor – Vojvodinë), Thomas Elsen (Qendra e Artit Bashkëkohor – Augsburg) dhe Una Popoviç (Muzeu i Artit Bashkëkohor – Beograd). Ekspozita përmban vepra të realizuara gjatë vitit 2019 nga një grup artistësh nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Gjermania. Nismëtar i këtij projekti ishte Instituti Goethe në Serbi, mbështetur nga Fondacioni EVZ (promotor gjerman i të drejtave të njeriut, në kujtim të viktimave të padrejtësisë socialiste). Gjatë vizitës së tij në Serbi, drejtori i Institutit Goethe, Frank Baumann, u përmend për vakuumin informativ mbi këtë pjesë të historisë dhe pa si të nevojshëm zgjerimin e narrativës mbi luftën e dytë botërore edhe me përjetimet e popujve të Ballkanit. Pas Tiranës, veprat do të ekspozohen në Augsburg dhe Berlin.

...

Punimet janë të mediumeve të ndryshme, nga piktura në instalacione, video dhe skupturë. Roli i tyre është informues dhe ndërgjegjësues, rezultat i një pune kërkimore të gjatë nga artistët dhe kuratorët, të cilët kanë shfytëzuar pasuritë arkivore të shteteve përkatëse. Materialet e shumta që kanë ndihmuar realizimin e projektit gjenden në faqen e internetit dedikuar projektit dhe në katalogun e ekspozitës.

Ekspozita është personale, përcjell shpesh histori të familjarëve të artistëve dhe përjetimet e tyre. Hulumtimet e artistëve i dedikohen ndikimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropën Juglindore dhe punës së detyruar në kampet naziste përreth Ballkanit.

“Kartolina nga Bor“ (vizatime) nga Aleksandar Zograf (Serbi), janë një seri prej 14 vizatimesh me ngjyra në stil librash komikë, dedikuar jetës dhe vdekjes së poetit hebreo-hungarez Miklós Radnóti. Poeti u ndëshkua me punë të detyruar në kampet naziste në Bor (Serbi Lindore), ku edhe vdiq mizorisht. Pas vdekjes, blloku i tij me poezi u gjend në varrin masiv ku dergjej trupi i poetit.

Burkhard Schittny (Gjermani) ia ka dedikuar veprën e tij të titulluar “Dinjitet“ (video instalacion dhe vizatime) artistes hebreo-hungareze Agnes Lukacs. Ajo u persekutua në një kamp pranë Hamburgut, por mbijetoi dhe pas luftës publikoi një seri vizatimesh të një grupi grash që tentojnë t’i largohen ambientit armiqësor që i rrethon. Elementi i përsëritur në to, solidariteti femëror dhe mbështetja tek njëra-tjetra, i ka bërë thellësisht përshtypje Schittnyt, i cili i ka shndërruar vizatimet e Lucaks në video me ngjyra të ftohta, ku gratë lëvizin ngadalë dhe pa zë. Gratë ngjanë njëherazi si të burgosura ose njerëz të së ardhmes, me kokat e tyre të rruara dhe pamjet e thata. Pranë videove, një orë rëre e mbiquajtur “Uri” përbën veprën e dytë të artistit.

“Ëndrra e Selmanit” (instalacion) është realizuar nga Christian Hörl (Gjermani), sipas tregimeve të artistit serb Selman Trtovac për fshatin Gestratz, ku nuk diskutohej pushteti i Hitlerit dhe ngjarjet përkatëse. Fshati nuk mbart gjurmë të nazizmit dhe paqja që sundonte marrëdhëniet e fqinjësisë nuk u cënua, të paktën sipërfaqësisht, falë harresës dhe injorimit kolektiv. Vepra përmban 74 fotografi në pllaka bakri që përfaqësojnë periudhën 1945 – 2019, nga një për secilin vit, kushtuar kujtesës së mizorive naziste.

diSTRUKTURA, dyshja artistike serbe, ka paraqitur “Të mbetesh njerëzor“ (video) që konsiston në regjistrime të ndryshme, filmuar në kampet e përqendrimit Mathausen, Mjdanpek e të tjera buzë Danubit. “Të mbetesh njerëzor” është mbishkrimi që shoqëron një furçë rroje të ekspozuar në Mathausen, që i përkiste gjyshit të Milan Bosnić, njërit nga anëtarët e diSTRUKTURA (anëtarja e dytë është Milica Milićević). Vepra e tyre e dytë, titulluar  “186 frymëmarrje” (audio-instalim dhe vizatime) përbëhet nga një skedar audio, ku dëgjohen tingujt e frymëmarrjes së rënduar të të burgosurve që ngjisnin të mbiquajturat “Shkallët e Vdekjes“, përsëri nga kampi Mathausen. Vepra konsiston në 186 vizatime në teknikën e frotazhit, të vendosura në mur në mënyrë të atillë që të imitojnë vizualisht ecjen në shkallë.

Donika Çina (Shqipëri) ka sjellë në “Historitë e Munguara“ veprën “Faqja B” (video me zë), një dokumentim eksperimental të historisë familjare, vijimi i veprës së saj “Pa Titull (Pema e Familjes)“. “Faqja B” përfshin një numër monitorësh të lidhur me kufje, ku vizitorët mund të dëgjojnë këndvështrimet subjektive të familjarëve të artistes mbi vrasjen e stërgjyshit të saj, Kosta Çinës.

Dragan Vojvodić (Serbi) është frymëzuar si nga ngjarjet historike (luftërat në Europë dhe Ballkan), ashtu dhe nga traumat familjare në krijimin e “Historia përsëritet” (instalacion). Boshlliqet identitare dhe kujtimore në historinë e tij familjare qëndrojnë në themel të instalacionit të ftohtë prej çeliku, rafte të boshatisura të ndriçuara nga dritë neoni, që sugjerojnë veç mungesë të lëndës. Instalimi nuk sugjeron në asnjë moment se çfarë është, por i lejon vizitorët të vëzhgojnë veprën e hapur artistike (në fjalët e Umberto Eco-s) dhe ta interpretojnë lirisht natyrën apo rolin e saj.

Artisti Ivan Salatić (Mal i Zi) u njoh rastësisht me faktin se gjyshit i tij i ishte nënshtruar punës së detyruar në Gjermaninë naziste, një bisedë tabu deri atëherë në familje. Disa momente të rrëfyera nga gjyshja dhe pak fotografi frymëzuan krijimin e “Donim të harronim” (video me zë), me të cilën prezantohet në “Historitë e Munguara”. Pajisur me informacion mbi këtë fragment të historisë familjare, artisti mori rolin e ndreqësit të asaj çka ka humbur, duke reflektuar vulnerabilitetin e kujtimeve.

Lenka Đorojević (Mal i Zi) ka realizuar “Exit”(instalim audio-vizual) bazuar në kujtimet dhe përvojën e Hasena Sulojdzic – Terzic gjatë burgimit 7-mujor në kampin Ludwigsfelde, ku punoi në një fabrikë nëntokësore avionësh. Rrëfimet dhe objektet e veprës përçojnë përvojën e subjektit, por edhe idenë se vitaliteti nuk mund të shtypet plotësisht, diçka e pathyeshme mbetet jashtë kontrollit edhe të sistemeve më të rrepta.

“I ndaloj ushtarët e tu të hyjnë në vreshtin tim” (piktura në akrilik) janë dy vepra të realizuara nga Milorad Mladenović (Serbi). Fraza e titullit supozohet t’i jetë thënë një oficeri gjerman nga gjyshja e tij, pasi një ushtar këputi rrushin e saj pa pyetur. Një nga pikturat paraqet pikërisht këtë çast nga vreshtat e gjyshes së tij Živanës në Danub, ndërsa piktura tjetër paraqet imazhin e gjyshes siç artisti e ka ndërtuar nga fotografitë e gjetura, me një foshnje në djep. Vepra e dytë e Mladenović titullohet “Kërkimi” dhe përmban 12 fotografi portretesh të disa grave të mbivendosura përmes Photoshop, në eksplorim të karakterit dhe identitetit të një gruaje gjermane.

Remijon Pronja (Shqipëri) ka realizuar veprën “Gjatësi Valësh” (video-instalim me zë) duke mbajtur parasysh zhvillimet shoqërore dhe politike në Shqipëri gjatë pushtimit nazi-fashist. Gjatë kësaj periudhe, disa kampe përqendrimi u ndërtuan në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku dërgoheshin kundërshtarët e qeverisë. Të njëjtat kampe u përdorën më vonë për qëllimet e regjimit komunist. Abedin Beqir Destani, një elektriçist nga Shqipëria, përjetoi persekutimin në një kamp Austriak dhe pas përfundimit të luftës, përndjekjen nga regjimi komunist si kriminel lufte, por në të dyja rastet profesioni i tij si elektriçist e shpëtoi. Video-instalimi paraqet një dritë neoni dhe një njeri që përpiqet të konvertojë vizualisht historinë e Destanit, rrëfyer nga djali dhe nipi i tij, në valë drite.