Galeri Zeta sjell në ambientet e saj projektin vetjak të artistit Leonard Qylafi. Në muret e galerisë ekspozohet një seri prej katërmbëdhjetë pikturash në vaj të titulluara: Variacione Morfologjike. Kjo ekspozitë do të mbahet e hapur për vizitorët nga data 9 maj – 11 qershor, 2022, Tiranë.

...

Variacione Morfologjike është një cikël i vazhdueshëm i artistit që prej vitit 2017 deri në vitin 2021, në të cilin artisti përqendrohet tek natyra strukturore e imazheve digjitale, duke u thelluar më tej tek mënyra se si ato shfaqen, interpretohen, aktualizohen apo transmetohen. Subjekti i kësaj serie pikturash vjen prej termit “Morfologji”; disiplinë e cila merret me studimin e formës, strukturës dhe veçorive specifike në organizmat e gjallë. Në vijueshmëri të saj, artisti përdor ekranin si informacion mbështetës për të shkëputur disa pjesë prej  imazheve që shfaqen në to dhe duke i veçuar prej formave dhe strukturave që ato mbartin.

Tablotë shumëngjyrëshe të artistit janë ekspozuar në të gjithë hapësirën e galerisë, ku edhe pse janë aq të ngjashme me njëra – tjetrën, ato ndahen në tre grupime: Pikturat #2; #5; #10; #11; #12, janë të realizuara në tonalitetet e ngjyrave primare me strukturë të thjeshtëzuar dhe të spikatura prej ngjyrës dhe dritës ato transformojnë subjektin në një vizion krejtësisht abstrakt. Ndërsa në tablotë #1; #3; #4; #6; #7; #8, artisti vë në pah format e ndritshme duke pikturuar sfondin e zi përreth tyre. Gjithashtu shpërthimi i ngjyrës është manifestimi i analizës së tij, dhe këtë e vërejmë në tablotë #13 dhe #14.

Përmes krijimtarisë së tij, Leonard Qylafi integrohet midis reales dhe virtuales dhe ngre pyetje mbi ekzistencën e këtyre imazheve të cilat shfaqin forma të paidentifikueshme. Ato lundrojnë përmes ritmit përsëritës nëpërmjet natyrës së përcaktuar të – digjitales – duke u zhvendosur më pas në hapësirën e telajove me dimensione të ndryshme.

*Leonard Qylafi (l. 1980) është një artist pamor shqiptar i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Praktika e tij eksploron disa mediume si: piktura, video, fotografia dhe muzika.

Të lidhura thellësisht me përvojën personale, veprat artistike të Leonardit janë një proces kërkimi dhe ndërmjetësimi midis subjekteve dhe mediumeve. Duke përdorur njohuritë dhe aftësitë, artisti prodhon rrëfime të reja nëpërmjet përpunimit si të estetikës ashtu edhe të përmbajtjes së subjekteve që ai përdor si material bazë për projektet e tij.

Leonardi ka qenë aktivisht i pranishëm në skenën e artit vendas dhe ndërkombëtar që nga diplomimi i tij. Ai përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias (2017) dhe gjatë viteve të fundit veprat e tij u ekspozuan në: NiMAC Museum Qipro (2018), MuCEM, Marsejë, Izolyatsia, Kiev (2016); Salloni October 55, Beograd (2014); Künstlerhaus Bethanien, Berlin (2012); Qendra MODEM për Art Modern dhe Bashkëkohor, Debrecen, Hungari (2011); dhe Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor TICAB-Tiranë (2009) ndër të tjera. Ai ka qenë pjesë e disa programeve rezidenciale si: NIFCA-Nordic Institute of Contemporary Art, Helsinki, Finlandë; ISCP Nju Jork, SHBA; KKA-KulturKontakt, Austri dhe Instituti për Artin Bashkëkohor T.I.C.A-Tirana. Është fitues i Çmimit Ardhje për Artistët e Rinj Shqiptarë në vitin 2008. Jeton dhe punon në Tiranë, Shqipëri.