Galeria e Bregdetit në Radhimë (Vlorë) sjell në ambientet e Boulevard Art and Media Institute (Tiranë) projektin rezidencial përmes së cilit bëri bashkë artistët bashkëkohorë, të cilët jetuan dhe punuan përgjatë një viti në bregdetin e Jonit. Artistët rimenduan fenomenin turistik dhe krijuan vepra që ngrenë pyetje rreth narrativës dominante që përshkruan bregdetin. Ky projekt u përmbyll me një ekspozitë që do të jetë e hapur për vizitorët nga data 15 tetor deri në 7 nëntor 2021.
Në këtë ekspozitë morën pjesë pesë artistë ndërkombëtarë, të cilët janë: Brigita Antoni; Anna Baranowski; Valentina Bonizzi; Vlad Brateanu dhe Ioana Vreme Moser. Ata punuan në mediume të ndryshme, si: instalacion, fotografi, videoart, film me metrazh të shkurtër. Veprat e artistëve janë të realizuara përgjatë një viti, si rezultat i punës kërkimore të tyre në Shqipëri për projektin e Off Season Tourism Agency.
Brigita Antoni (lindur në Mal të Zi, 1987) shqyrton marrëdhëniet midis shkencës dhe transformimeve globale të dala nga zbulimet shkencore, veçanërisht në fushat e astronomisë dhe optikës. Brigita Antoni sjell për ekspozitën Off Season një video-instalacion me titull Prisni për të.
Në këtë vepër shfaqet imazhi standard i agjencive turistike; një moment meditues i perëndimit të diellit. Procesi i pritjes që krijohet gjatë muajve të punës për t’u finalizuar më pas me një çast pushimi, është pikërisht fragmenti që ka shkëputur artistja. Ndërsa dielli është duke perënduar dëgjohen tinguj kërcënues të motit që bëhen më kumbues drejt përfundimit të videos, duke shfaqur kështu një pamje të përhumbur nga realiteti i krizave klimatike në të gjithë botën.
Anna Baranowski (lindur në Poloni, 1983) punon aktualisht mbi çështjet e gjithëpranishme ekzistenciale të qenies njerëzore. Në këtë projekt artistja paraqet një film me metrazh të shkurtër, titulluar: Trashëgimia.
Përmbajtja e kësaj videoje përqendrohet te trashëgimia e epokës komuniste në Shqipëri, teksa shfaqet me një pamje mikroskopike. Përmes këtyre imazheve kinematografike, paraqiten sipërfaqe të mëdha betoni të bunkerëve, duke demonstruar pushtetin dhe duke i shfaqur ato si monumente të pathyeshme nga epokat e reja politike. Këto mbetje ushtarake në këtë film paralelizohen me statujat e ish-sundimtarëve dhe gërmimet arkeologjike të antikitetit. Pjesë e këtyre imazheve bëhen dhe disa fragmente të shkëputura nga filmat edukativë të epokës komuniste që kanë në qendër përgatitjen e popullatës për emergjencë ndaj sulmit të armikut, të marra nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit Shqiptar.
Valentina Bonizzi (lindur në Milano, 1982) aktualisht jeton në Tiranë dhe punon me një sërë mediumesh si: filmi, fotografia, letërsia, zëri dhe aksionet në hapësira publike. Artistja sjell Kapitulli 0, një projekt që vjen me dy instalacione dhe një cikël fotografish dokumentuese të një ngjarjeje, e cila është pjesë e procesit të krijimit të një filmi.
28 kuba prej betoni janë të vendosur mbi njëri – tjetrin në një kënd të ekspozitës, ku elementë përbërës janë vizatimet e zemrave të bashkëshoqëruara me emra dhe data, të gjetura në rrënojat e shkollës së braktisur në ishullin e Sazanit. 28 është numri që u jep ritëm këtyre elementëve dhe përkon me ciklin e hënës si dhe me përgatitjen e masës së ujit dhe çimentos që të bëhen beton.
Në vargun e fotografive shfaqen imazhe të një udhëtimi kërkimor që bëhet me anë të një anijeje, teksa artistja është duke ndjekur nocionin e Giuliana Brunos për enën (EN: vessel) si një imazh të dyfishtë: atë të anijes dhe të arteries (si në enën e gjakut).
Pjesë e Kapitulli 0 është dhe një skicë e ndërtuar duke ndërthurur kartografinë me kinematografinë. Në një sfond blu janë të skicuara zemrat, emrat dhe datat si një plan për një skenar filmi.
Vlad Brateanu (lindur në Rumani, 1986) në veprat e tij tregon një interes për procesin e fotografisë si një gjest intuitiv, një shkrepje e çastit, një skicë figurative, të gjitha këto në këndvështrimin e një dokumentari. Në Off Season vjen me tre instalacione me tituj: Vezullo o yll i vogël; Sizmogramet; I Dedikuari.
Vezullo o yll i vogël është një shtyp arkivor në letër, i cili ndryshon ngjyrën një monumenti të harruar të një ylli socialist të ndërtuar prej betoni, i gjetur në ishullin e Sazanit. Ylli bën kalimin nga origjinali me ngjyrë të kuqe, në atë të verdhë ari të neoliberalizmit europian duke vënë kështu në pikëpyetje këtë gjest paradoksal.
Frymëzuar nga një monument ekzistues kushtuar mirëseardhjes së refugjatëve nga populli shqiptar në zonën e Radhimës, artisti krijon një lapidar të ri të titulluar I Dedikuar. Kjo vepër është një pllakë graniti e gdhendur që zgjeron temën e mikpritjes dhe industrisë së saj duke komentuar në formë poetike marrëdhënien mes vizitorëve dhe mikpritësve.
Sizmogramet është një sëri vizatimesh të bëra nga artisti gjatë qëndrimit të tij në rezidencë. Vizatimet hartojnë peizazhin duke riprodhuar lëvizjen horizontale të një sizmografie, të realizuara në formën e një ditari.
Ioana Vreme Moser (lindur në 1994 Rumani) në punimet artistike të saj mbizotërojnë artefakte teknologjike, mbetje, instalime, skulptura, instrumente të bëra me dorë ose struktura të performancës së zërit. Në këtë ekspozitë paraqet dy punë të cilat i përkasin mediumit të videos dhe instalacionit.
Amuletat e Fundosura është një video dokumentuese që shfaq disa bunker të ndodhur në ishullin e Sazanit, kryesisht në zonën e braktisur ushtarake në kufirin e Detit Adriatik dhe Jon. Në video shfaqet gjithashtu për një ndërhyrje zanore specifike për vendin, ku tre tuba metalikë janë vendosur brenda bunkerëve në pozicionin ku supozohej të montoheshin armët dhe ti drejtoheshin armikut. Në këtë rast ata hetojnë hapësirën e brendshme duke krijuar tinguj përmes fërkimit mekanik. Në vend që gypat të lëshojnë plumba ato projektojnë gërvishtje me goditje, zhurma të buta dhe dridhje. Gypat janë të vendosura pranë njëra – tjetrës dhe ato projektojnë një sonatë me një zhvillim të ngadaltë e që më pas do të zhduket së bashku me artefaktet. Pranë videos qëndron si instalacion më vete një prej këtyre tubave metalik si artefakt i punës së artistes.