Bazament Art Space hap më 10 shtator deri më 15 tetor ekspozitën vetjake “Macja sipër dhe Miu poshtë” të artistit Olson Lamaj, kuruar nga Markus Waitschacher. Larmia e urave lidhëse midis vizitorit dhe ekspozitës përfshin: regjistrimin zanor, skicat, filmin vizatimor, instalacionin dhe videon, ku çdonjëra prej tyre gëzon pavarësinë e vet teksa ndërlidhet logjikisht me të tërën.

...

Kthina e parë paraqitëse na çon përmes dëgjimit në mjedisin e zhurmshëm shumëgjuhësh, ku shitësit e biletave të koncerteve të muzikës klasike, të veshur si Wolfgang Amadeus Moxarti, shpesh emigrantë shqiptarë, përpiqen të tërheqin turistët. Njëri prej këtyre shitësve i dëshmon artistit Lamaj, përgjatë qëndrimit të këtij të fundit në Vjenë, se është njohur me Moxartin falë vizatimorit “Tomi dhe Xherri”. Ironikisht, tingujt e përdorur në filmat e dëshiruar përgjatë fëmijërisë, në vendin e prejardhjes, shndërrohen në shtyllën mbajtëse në vendin pritës.

Përgjatë galerisë, tri skicat me laps së bashku me videon shembëllejnë praninë e dy forcave kundërshtare, ndër të cilat njëra prej tyre gëzon epërsi përmasore, ndërkohë që pala tjetër është përherë në rrezik. Sidoqoftë, përtej përparësive të “grabitqarit”, në fund të filmit vizatimor, është miu ai që “rrëmben” dritat e skenës dhe duartrokitjet e sallës njëkohësisht. E gjithë kjo përplasje kundërshtuese rritet në përmasa simbolike në pjesën qendrore të galerisë; aty ku ftojnë për shqyrtim dhe zhytje në kohë punimet të cilat ngërthejnë ngjarjet politiko-shoqërore në Shqipërinë e para-passocializmit, si një shteg për të kuptuar thelbin e mënyrës së veprimit të kësaj shoqërie, po ashtu për të njohur pasojat e përplasjeve të ashpra midis shtresave të saj.

Instalacioni, dy unaza drite të varura, ndërmend një mjedis sportiv gjimnastikor dhe, në të vërtetë, vepra në fjalë zë fill pikërisht prej këtej: nga një fotografi e vjetër, e cila paraqiste një sportiste që stërvitej në pallatin e sportit në Shkodër, pallat sporti i shndërruar në të tillë pas shpërbërjes së institucionit fetar të atjeshëm, të një ndërtese që dikur pati qenë kishë. Shkrepja, në një mjedis kulti si sfond rrethues, në një prej çasteve përgjatë ushtrimit lëkundës, teksa kërkohet fort drejtpeshimi trupor, nuk dëshmon veçse humbjen e drejtpeshimit logjik të mbarë një shoqërie.

Është pikërisht instalacioni ai që mundëson lidhjen me punën qendrore të ekspozitës, videon e cila paraqet, ndërthurur nga koha në kohë, plan pas plani, të njëjtin mjedis, pra, vetë kishën-pallat sporti. Përmbajtja videore paraqet një ndeshje sportive, çastet parapërgatitëse të saj po ashtu dhe nuk lë pa vëzhgim të imtësishëm mjedisin ku zhvillohet kjo ndeshje, duke pranëvënë planet (pamjet) përngjasuese midis tavanit kishtar dhe dyshemesë sportive.

Fund e krye, kjo ekspozitë e ka marrë nxitjen prej hapësirave kulturore dhe sportive, mjediseve të ndryshme të formimit të njeriut (përfshirë këtu atë të latimit shpirtëror, kishën). Në thelb, ekspozita mbart veprimin njohës në kohë dhe hapësirë; ajo rikujton qëndrimin politik (ndalimin e besimit fetar); nënshtrimin shoqëror dhe përshtatjen deri në çorodi identitare në vijim; pasojën e kësaj çorodie, kundërveprimin shoqëror (migrimin dhe emigrimin).

* Olson Lamaj (lindur më 1985) është artist shqiptar i cili jeton dhe punon në Tiranë. Puna e tij heton çështjet shoqërore dhe politike që lidhen me jetën bashkëkohore në Shqipëri dhe me një sërë sistemesh universale dhe të pakohshme të kuptimit që shtrihen përtej kushteve të menjëhershme. Si një nga bashkëthemeluesit e galerisë “Miza” në Tiranë, përvoja e tij ka qenë e lidhur me krijimin e hapësirave dhe institucioneve artistike në Tiranë. Projektet e artistit Lamaj theksojnë mbivlerësimin semiotik – dhe cilësitë misterioze, gati mistike – të objekteve dhe pamjeve që lidhen me ideologjitë politike të llojeve të ndryshme. Punimet e tij artistike mbarëveprojnë si një mitografi e përbashkët e së tashmes, duke hedhur bazat e parashikimit dhe krijimin e miteve të reja.