Artisti bashkëkohor Oltsen Gripshi hapi ekspozitën vetjake “Stinët e qenies apo himni i jetës” në pavijonin e artit në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, në hapësirën kohore 27 janar – 28 shkurt 2021. Rikujtojmë, projekti “Pavijoni – Art në Institucionet Publike” është nismë e Ministrisë së Kulturës.

...

Ekspozita, e përbërë nga piktura dhe instalacione, bazohej kryesisht mbi figurat e simbolit dhe paralelizmit. Metaforikisht, titulli “Stinët e qenies apo himni i jetës” na ndërmend përngjasimin midis stinëve natyrore dhe atyre jetësore të njeriut, nga lindja deri në vdekje; për rrjedhojë, edhe ne kërkojmë përmes tyre përfaqësimin tonë në art. Kështu, rrugëtimi artistik në ekspozitë niste me stinën e dimrit, e cila përfaqësohej nga një send vetjak familjar krejt i papërdorur, një nga të paktat sende të shpëtuara nga rrënimi i shtëpisë së vetë autorit, pas tronditjes sizmike të Shqipërisë më 26 nëntor 2019.

Ndonëse pikënisje e kësaj ekspozite është pikërisht një dukuri e rëndë natyrore (tërmeti), kundërveprimi artistik i autorit vjen si një nxitje për rimarrje të vetvetes. Ngjyrat e forta, të gjalla, përdorur në ekspozitë, përkatësisht për çdo stinë, dëshmonin se një tronditje e kësaj natyre, kaq gjithëpërfshirëse (fizike, shpirtërore, morale, ekonomike) nuk përbën një fund, një përmbysje të pakthyeshme; dhe as që duhet parë si e tillë. Ishte një tronditje, e cila duhet të pasohet nga ringritja, si një kundërvënie ndaj dramës sonë të përbashkët. Copëza të shpëtuara nga shembja, siç është një mbulojë e punuar me mjeshtëri dorazi, i shërbejnë artistit si shtysë për të “thurur” përmes artit pamor një rrugëtim stinor, i cili lidhet sa me udhëtimin vetjak njerëzor, po aq edhe me atë mbarëshoqëror; pra, me krisje, thyerje, drama, por po aq me frymëzim dhe forcë për të rigjetur gjallërinë, në këtë rast, përmes ngjyrave e shenjimeve (simboleve).

Kur pak sende ngelen pas tronditjes sizmike, trashëguar këto nga marrëdhënie me lidhje gjaku, atëherë objekte të tilla nuk janë më thjesht sende; janë copëza nga e kaluara, ngacmuese kujtimesh me ngarkesë të lartë shpirtërore për sa i përket lidhjes së fortë të gjakut, të truallit ku njeriu është lindur, rritur dhe ka punuar/krijuar; pra, në rastin në fjalë, një send kaq i thjeshtë shndërrohet në një katalizator midis njeriut dhe rrënjëve të veta, kaq të rëndësishme për trashëgimin cilësor dhe kuptimplotë të jetës. Tashmë, mbuloja e atllastë blu mbart shijen e ëmbël e të hidhur të së kaluarës së dashur dhe të asaj të kaluare dramatike, tërmetit.

Kronologjikisht, stinët renditen njëra pas tjetrës, duke vijuar pas dimrit me pranverën dhe verën të cilat vijnë përmes gjinisë së pikturës. Tabloja e pranverës (ose ringjallja shpirtërore dhe jo vetëm shpirtërore), përpos gjallërisë së ngjyrave, ka në përbërje lajmëtaren besnike të stinës, dallëndyshen, në këtë rast e shkompozuar në tablo, kurse tabloja e verës vezullon nga e verdha e fortë dhe në përmbajtje të saj qëndrojnë përfaqësueset tipike shtazore të kësaj stine (gjarpri dhe miza). Ashtu si dimri, edhe vjeshta vijnë në ekspozitë përmes instalacionit; mbuloja blu e dimrit përngjet edhe si tablo; ndërsa tabloja e vjeshtës është formësuar me gjethe të cilat e përmbushin atë dhe shpërhapen anekënd rreth saj. Veçantia në stinën e vjeshtës qëndron në atë se vizitori, në ikje, mund të marrë me vete një pjesëz prej saj.

Ka një kundërvënie të përgjithshme ndaj së keqes në këtë ekspozitë. Kështu, krijimet e ekspozitës i kundërvihen sfondit të errët (në ngjyrë të zezë) në të cilin janë vendosur dhe janë krijuar në atë mënyrë që ndërveprimi mes tyre dhe shikuesit të jetë sa më i afërt, sa më i fortë. Asnjë nga elementet e përdorura, përpos sfondit, nuk duket se vjen me ngjyresa negative. Nuk ka një përcaktim përmbyllës se korbi, gjarpri dhe miza (elemente të përdorura në ekspozitë me qëllim simbolik) vijnë me ngjyresa negative, përkatësisht: ndjellakeq, tinëzar apo bezdisëse. Fare mirë ata mund të ndërmendin: çastin vetmitar (përmes korbit), mbrojtjen e hapësirës në zotërim apo elasticitetin dhe forcën në përballje me gjendje të vështira (përmes gjarprit), pse jo edhe këmbënguljen “për të qenë”, “për të bërë ballë”, duke dalë përmbi aftësitë e kufizuara dhe përmasat tejet të vogla (përmes mizës).

E gjithë ekspozita është në vetvete një instalacion i madh që përfshin instalacione më të vogla, ndër të cilat bërthama është trinomi instalativ përbërë nga: tulipani – shënjim i jetës, i së bukurës, i brishtësisë dhe i përkohshmërisë; kafka – shënjim i vdekjes, për pasojë, i frikës, i së shëmtuarës, i së ankthshmes; dhe matësi i kohës prej rëre (matësi ynë, sepse koha është e pafundme), i cili na çon te mendimi i pambarimësisë së kohës. Dhe në qendër, përmbi gjithçka, qëndron një vezë, si shenjëz e prejardhjes së qenies. Ekspozita, në të cilën ana estetike dhe ajo përmbajtësore ndërthuren ngushtësisht dhe vihen në shërbim të njëra-tjetrës, është një pasqyrim i përvojave vetënjohëse, një ftesë ndaj shikuesit për proces vetënjohjeje po ashtu. Është e pranishme kaq dukshëm në të lidhja e fortë e qenies njerëzore me gjallesat shtazore, me dukuritë natyrore, pra, me natyrën në përgjithësi.

Ekspozita, bazuar mbi ndjenjën e rikujtimit/ripërjetimit të dhimbjes nga njëra anë dhe zgjimit të shpresës nga ana tjetër, e mbarsur në shenja (simbole) – secila prej të cilave përbën një nxitës drejt mendimit të vijueshmërisë së jetës, duke kapërcyer pengesat natyrore dhe ato shoqërore – synonte t’i ngrinte një himn jetës, pavarësisht vështirësisë së çdo stine, pikërisht falë lidhjes që përpiqet të krijojë qenia njerëzore me vendin dhe kohën nëpër të cilët rrugëton dhe lë gjurmën e vet.