On Reading (Mbi leximin) mban titullin ekspozita e artistit Steve McCurry, e hapur në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), e kuruar nga Biba Bottazzi dhe instaluar nga Peter Bottazzi. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur gjatë periudhës 3 qershor deri më 31 korrik 2022.
Ekspozita On Reading (Mbi leximin), realizohet në homazh të fotografit Andre Kertesz, duke ekspozuar 71 fotografi të vendosura në të gjithë hapësirën e COD. Fotografitë e shkrepura në: Indi, Afganistan, Afrikë, Kubë, Turqi, Itali dhe SHBA, pasqyrojnë realitete dhe kultura të ndryshme me subjekt të përbashkët librin dhe leximin. Këto fotografi janë të realizuara që prej vitit 1978 deri në vitin 2019.
Përgjatë hollit të COD dhe sallës “Tako artistin” janë të instaluara 65 fotografi në një skelet gjeometrik prej alumini. Fotografitë e ekspozuara në të, pasqyrojnë momente teksa të rinj e të moshuar janë të përfshirë në lexim, duke u shkëputur prej realitetit që i rrethon dhe të përhumbur në një situatë krejtësisht vetjake. Libri gjendet gjithnjë në duart e tyre. Edhe pse shpesh ndodhen në vende të pazakonta, ata arrijnë të përqendrohen edhe nëse janë në ambiente shkollash të hapura e të bombarduara, të rrethuar prej zhurmave të makinave apo nga prezenca e kafshëve përreth.
Një audio bëhet bashkëshoqëruese e imazheve të shfaqura duke lëshuar një tingull të lehtë pëshpërimash të vazhdueshme e herë të tjera këndimin e Kuranit. Kjo audio bëhet gjithëpërfshirëse, si rrëfimtare e situatave të dokumentuara me imazhe.
Ndërsa në korridorin majtas qëndrojnë pesë fotografi portretesh, ndër më të njohurat e McCurry-t të realizuara në: Peshawar, Pakistan (1984); Srinagar, Kashmir (1998); Xigaze, Tibet (2001); Peshawar, Pakistan (2002); Afghanistan (2007).
*Steve McCurry lindur më 23 prill 1950, në periferi të Filadelfias, Pensilvani. McCurry është fotograf dhe fotoreporter amerikan. Studioi film në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë dhe u bë ndër emrat më të lakuar të fotografisë bashkëkohore. Fotografitë e tij janë shfaqur në shumë revista, libra dhe ekspozita në mbarë botën.
Fotografitë e McCurry-t pasqyrojnë ngjarje të larmishme të ndodhura në vende e kultura të ndryshme, megjithatë ato ruajnë gjithmonë elementin njerëzor. Tërësia e imazheve të tij ka në qendër njeriun dhe McCurry beson se ka gjithmonë një të përbashkët midis njërëzve dhe në këtë mënyrë ai fokusohet në gjendjen shpirtërore të tyre. Një shembull për këtë është dhe vajza afgane e cila u bë disa herë pjesë e kopertinës së National Geographic.
McCurry është vlerësuar me çmime të ndryshme, ndër të cilat: Medaljen e Artë Robert Capa; Çmimin Kombëtar të Fotografisë të Shtypit; Medaljen e Njëqindvjeçarit për Arritjet e Jetës, nga Shoqëria Mbretërore e Fotografisë, Londër; fitues i katër çmimeve të para nga konkursi Wold Press Photo. Ministri i Kulturës Franceze e ka emëruar gjithashtu McCurry-n Kalorës të Urdhrit të Arteve dhe të Letrave. Në vitin 2015 u punësua nga Microsoft për të bërë fotografi në zona të Zelandës së Re, të cilat u përdorën më pas si sfonde në Windows 10. Ka botuar disa libra me fotografi të titulluara: Stories & Dreams: Portraits of Childhood; In Search of Elsewhere; Steve McCurry, Animals; A life in Picture, të botuara në gjuhë të ndryshme.