Galeria “Zeta” paraqet ekspozitën “Arkivi i hapur” që prej 15 dhjetorit 2020 deri në fund të shkurtit 2021. Kjo ekspozitë është e para e këtij lloji në këtë galeri dhe vjen e tillë në ndjekje të programit të institucionit qendror të artit në Shqipëri, Galerisë Kombëtare të Arteve. Ekspozita vjen si një mundësi për publikun artdashës, për të ri/parë nga afër vepra të artistëve të cilët kanë ekspozuar në hapësirën “Zeta” ndër vite dhe kanë dhuruar një vepër në shenjë bujarie.
Përfaqësohen në këtë ekspozitë breza të ndryshëm krijuesish pamorë, duke nisur nga artistët: Lekë Tasi e Lumturi Blloshmi; Për të vijuar me artistët: Anila Shapalaku, Merita Selimi, Shpëtim Kërçova, Ali Oseku; Më tej me artistët e mëvonshëm: Ilir Kaso, Stefano Romano, Ledia Kostandini, Edison Çeraj, Leonard Qylafi, Matilda Odobashi, Albana Shoshi, Dritan Hyska, Gentian Shkurti, Remijon Pronja, Blerina Muça, Blerta Hoçia, Alketa Ramaj, Enkelejd Zonja, Fani Zguro, Aldi Zgjani; E për të mbërritur te brezi më i fundmë, i cili përfaqësohet në këtë hapësirë nga Eros Dibra.
Nëse mund të bëjmë një përcaktim tematik të veprave që janë përzgjedhur për t’u shfaqur, të parën do të përmendnim temën e fëmijërisë, por nuk mungojnë as tema që shtjellojnë shqetësime politike, urbane e pse jo edhe tema mbi pikëpyetje të brendshme filozofike njerëzore rreth marrëdhënieve me veten, me tjetrin, me kohën.
Pavarësisht kësaj përpjekjeje klasifikuese, personazhet e veçanta të Lekë Tasit duken larg së zakonshmes; ato gjenden brenda një autobusi, dhe janë njëherazi kaq të kufizuara (fizikisht) e kaq të lira falë ndryshueshmërisë së tyre. Janë pikërisht udhëtarët e përditshëm të një autobusi, me portrete/karaktere të ndryshme e që shohin në drejtime të ndryshme.
Një kënd i plotë i kushtohet artistes Lumturi Blloshmi, si shenjë nderimi për ndarjen e saj nga jeta pak kohë më parë. Veprat e Lumturi Blloshmit janë tashmë pjesë e pamohueshme e trashëgimisë së artit shqiptar dhe në këtë ekspozitë ajo përfaqësohet me veprën “It’s a wonderful life”, vepër në të cilën shqetësimi i artistes përqendrohet te sh/përdorimi i kohës. Ajo vendos kavanoza të mbushur me cigare të mbaruara në një bufe tipike të periudhës komuniste. Çdo raft, i ngarkuar me hi dhe bishta cigaresh të ruajtura në qelq. Pushime të shkurtra për të tymosur një cigare apo vite të tëra të rrëmbyera vetëm nga efektet anësore të këtij përdorimi? Cigaret nuk janë veçse një send, por çdokush i trembet përballjes me rafte të tëra shpërdorimi kohe.
Tema e fëmijërisë është një temë e shtjelluar/pasqyruar gjerësisht në art; për rrjedhojë, ajo vjen në forma të ndryshme pasqyrimi, mirëpo në krijimet e artistes Albana Shoshi, si një artiste përfaqësuese e foto-realizmit, përparësi merr emocioni që përcjellin çastet e përditshmërisë rreth kësaj teme.
Ngjyrat dhe format fillestare, veçori të krijimeve fëminore, i gjejmë edhe te vepra e artistit Edison Çeraj. Vizatimi në forma fare të thjeshta, i shtëpisë dhe natyrës, është një formë prehjeje dhe hulumtimi brenda vetvetes, duke mos harruar qëllimin parësor për të ruajtur të freskët ndjesinë e parë për botën, edhe pas ndikimit të pashmangshëm jetësor e profesional, i cili shtyn/nxit përherë për ndryshim botëkuptimi.
Dhe ja ku vihemi përballë një fotografie të një vajze të vogël nga artistja Yllka Gjollesha. Ajo qëndron me pallton veshur mirë, poshtë së cilës duket jaka e bardhë, me këmbët mbledhur, dhe mban një lodër plastike në dorë, një dinosaur, si të jetë duke e paraqitur lodrën e saj të parapëlqyer përballë klasës. Çfarë spikat në tërë këtë, s’është veçse pafajësia e fëmijës.
Në serinë e tablove të artistes Blerina Muça, tablo në të cilat mbizotëron e kuqja, paraqitet një djalë i vogël. Mënyra se si fëmija mbulon fytyrën e tij me këtë copë të kuqe na çon te mendimi i trishtë i çdo frike gjatë jetës sonë, ndonëse për fëmijën në fjalë kjo s’mund të ketë qenë veçse një lojë.
Ndërkohë, artisti Gentian Shkurti u jep nxënësve të një shkolle fillore disa ushtrime të thjeshta. Vija apo katrorë të vegjël, numra dhe nënvizime, siç dinë të shkruajnë fëmijët, sipas perceptimit të tyre, jashtë kornizave të vendosura nga të rriturit. Gentian Shkurti ndjek fëmijët, duke krijuar vijëzime pas punës së tyre; ashtu si një shoqëri duhet të ndjekë botëkuptimin individual të gjithsecilit. Mësuesi dhe nxënësi bëhen një, për të njëjtin qëllim, porse mesazhi vjen i shumëfishtë.
Ndonëse duke iu larguar tashmë temës dhe lidhjeve me fëmijërinë, i njëjti qëllim pason edhe te vepra e artistit Idlir Koka, ku spektatori bëhet një me shfaqjen. Regjisori përfshin çdo poltronë të audiencës në një skenë të vetme e të stërmadhe, dhe të gjithë përfshihen në një rol, në magjinë e spektaklit.
Në serinë “Çfarë ke qenë duke bërë kur diktatori vdiq?”, artisti Ilir Kaso krijon një grafikë të thatë, me anë të riciklimit të posterave elektoralë, ku paraqiten dy duar – njëra mat pulsin e dorës tjetër, duke simbolizuar mbarimin e një jete, por mesazhi i vazhdimësisë së jetës ndiqet nga një shenjë rrote, në ecje, si një vijimësi e dorës që nuk pulson më.
Në punën e Stefano Romanos shfaqet aftësia që ka vepra në vetvete për t’iu përgjigjur dëshirës dhe punës së autorit. Ai shënon mbi pambuk me stilolaps, me ngjyrë blu, të zezë, jeshile dhe të kuqe, por kjo sjell shkëputje të pambukut për shkak të presionit të ushtruar. Kështu, puna e përfunduar është një dëshirë e shprehur dhe një përgjigje nga tabloja, çka rezulton në fund në një vepër arti.
Një tjetër artiste, Blerta Hoçia, na sjell fillimin e botës përmes dy fotografive, të cilat nuk e kanë përfunduar procesin, por janë lënë përgjysmë. Në to dallojmë format apo hijet e para drejt krijimit të një pamjeje, pra, hapat e parë të krijimit, ku çdo gjë është një koncept, një ide e përafërt dhe ende jo e konsoliduar, një fillim.
Çasti i shkatërrimit të kullave të larta, të cilat mbyten në pluhur betoni gjatë rënies, vjen përmes krijimit të Dritan Hyskës, si një formë sheshimi e hierarkisë nga majat më të larta te rrënojat. Në vijim të tematikës urbane vjen vepra e Matilda Odobashit në të cilën fijet e telave elektrikë zvarriten e grumbullohen nga çdo ballkon shtëpie dhe vazhdojnë të zgjaten duke prekur çdo mur të hapësirës qytetëse, ku ato mund të kapen, duke krijuar një lloj loje të pambarimtë. Kurse në fotografinë e artistes Ledia Kostandini, pllakat e trotuarit janë kthyer në zarfe. Artistja kompozon disa foto, duke dokumentuar një ndërhyrje të sajën në hapësirën urbane, me forma të njohura për syrin.
Skena politike përfaqësohet në ekspozitë nga një tablo e artistit Enkelejd Zonja në qendër të së cilës ndodhet politikani. Një tapet i kuq, një kamera në anë. Politikani qëndron me duar të fshehura nën tryezë, me kokë të anuar, ndërkohë që regjistrohet lajmi që ai i përcjell popullit të tij.
Çdo vepër e shfaqur në ekspozitë, e madje edhe çdo pjesë e arkivit ende e pashfaqur, është një rikthim në të shkuarën; secila prej tyre përmban një kujtim dhe vazhdon të rikrijojë kujtime për artistin, artdashësit dhe përbën gjithashtu dëshmi artistike për historinë e artit shqiptar. E gjithë kjo, një mënyrë për të na kujtuar vlerën e kohës dhe rolin e njeriut/artistit në përdorimin e drejtë të saj.