Ornela Vorpsi, e cila e nis jetën e saj artistike si piktore, me Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve në Tiranë, për të vazhduar më pas studimet në të famshmen Brera të Milanos (Itali), përpos lëvrimit të gjinive letrare të tregimit dhe romanit, shfaqet për publikun shqiptar edhe përmes një trinomi tjetër artistik: pikturës, fotografisë dhe videos, duke krijuar kështu një larmi ndërmjetësish përmes të cilëve ajo ndërvepron me shoqërinë, tashmë në nivel ndërkombëtar.

...

Bëhet fjalë për ekspozitën personale titulluar “Providence”, e cila paraqitet për publikun në mjediset e COD (Center for Openess and Dialogue) / ADB (Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje) në Tiranë, nën kurimin e Gent Gjikolës,përgjatë harkut kohor 11.04.2018 – 30.06.2018. Çka bie parësisht në sy është se epiqendër e veprës së Vorpsit është gruaja dhe përjetimet e saj në të gjitha ulje-ngritjet shpirtërore dhe morale, të lidhura këto me tregues të brendshëm dhe të jashtëm. Krijimet e Vorpsit trajtojnë tematika shumë delikate, por njëkohësisht  të forta emocionalisht, të cilat përcillen filozofikisht dhe poetikisht. Ato përshkohen kryesisht nga fije brishtësie femërore dhe force të pamohueshme karakteri e qëndrojnë larg ndikimeve të ngjarjeve me karakter historiko-politik.

Figura femërore përbën thelbin e ciklit të autoportreteve titulluar: “E kuqe”, “Blu”, “Gri”; por edhe të cikleve të tjera fotografike. Cikli autoportret, i cili u përket krijimeve më të fuqishme të ekspozitës në fjalë, ngërthen në vetvete periudha të ndryshme, përjetime të ndryshme po ashtu. Ajo që nuk ndryshon nga njëri autoportret në tjetrin është forca artistike e realizimit.

Një tjetër cikël me interes për shikuesin është ai i emërtuar “Shëtitje”, i cili paraqet marrëdhënie brezash përmes gjendjesh e reagimesh përkatëse. Vetë artistja, shprehur në tekstin përshkrues të ekspozitës, thotë: “Krijimi im artistik ka nevojë të gërmojë në thellësitë e shpirtit njerëzor. Subjektet e mia të momentit janë fytyrat, trupat. Observoj nëpërmjet pikturës, si ato “ulen” në këtë ekzistencë “joevidente”. Fotografia është një tjetër rrugë e fuqishme artistike përmes së cilës Vorpsi kumton e i jep zë së brendshmes nëpërmjet disa cikleve, si për shembull, ai me titull “Nothing obvious”.

Përgjithësisht, është nudoja ajo që mbizotëron në shkrepjet fotografike të artistes. E veçanta e pasqyrimit të femrës apo gruas nga ky këndvështrim qëndron pikërisht në të parët e së vërtetës në sy, pa u nënshtruar, njëherazi “pa u burrëruar” (pa u denatyruar) për ta përballuar realitetin. Në çdo gjendje të ndodhshme, gruaja në fotografinë e Vorpsit është sa e fortë, po aq delikate. Gati-gati, edhe vetë autorja duket se bëhet kureshtare ndaj kësaj kundërshtie thurur përtej mundësive të së arsyeshmes.

Videoja me titull “Nevermore”, me metrazh të shkurtër prej 3 minutash e 3 sekondash, nga vetë titulli çon në përfundimin se rendja e kohës përafron dukurinë e vdekjes, apo ndryshe idenë e moskthimit pas. Videoja, e cila zgjon mjaft interes si për brendinë, por po aq edhe për elegancën shtrirë pothuaj në të gjitha elementet realizuese, paraqet një grua e cila vetëflijohet në emër të sakrifikimit për gjithçka apo gjithkënd që arrin të hyjë në zemrën e saj. Pothuaj çdo krijim i kësaj ekspozite zotëron aftësinë e shkaktimit të përshtypjes së thellë e për pasojë krijimin e mbresave që nuk shlyhen lehtë në kujtesë për lexuesin e vëmendshëm të artit.

Fotot: Kortezi e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) | Tiranë