“Fotonet nga qielli drejt detit”, është një ekspozitë e kuruar nga Donika Çina me mbështetjen e Swedish Art Grants Committee dhe e shfaqur për publikun pranë ambienteve të Galerisë së Bregdetit, në Radhimë, Vlorë. E bazuar kryesisht në fotografi, qoftë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, ekspozita u ndërtua si një udhëtim mes përjetimeve të artistëve të ftuar ndaj dritës, pak dhe ndaj detit.
Ambientet e brendshme të Galerisë së Bregdetit përkojnë, rastësisht ose jo, me temën e ekspozitës. Dhoma e parë, plotësisht e ndriçuar me dritë të fortë të bardhë shfaq punët e Johan Österholm, Lotta Tornroth dhe Niklas Holmgren. Pas perdeve irideshente, një dhomë e dytë në gjysmerrësirë na prezanton edhe me Ylva Carlgren, Mikaela Steby Stenfalk dhe Sjoerd ter Borg. Veprat nuk janë të ndërlidhura, por as të ndara plotësisht nga njëra-tjetra. Donika Çina udhëheq vizitorët drejt veprave duke ofruar informacion mbi to dhe procesin krijues.
Dritë
Johan Österholm (1/2) – Untitled lantern Pieces (Copa Fenerash Pa Titull) – Objekt
Katër objekte shfaqen në hyrje të ekspozitës. Ato konsistojnë në copëza të qiellit, të fotografuara nga Johan Österholm me metodën që Donika Çina e quan “arkaike”, duke i sjellë në xhama fenerash të lyer me xhelatinë argjendi. Ai ka theksuar kontrastin mes errësirës dhe ndotjes nga drita. Në metropolet e mëdha dhe teknologjikisht të avancuara, ku drita mbizotëron, netët e yjëzuara nuk duken në errësirë.
Lotta Törnroth (1/2) – I Wait as a Lighthouse (Pres si një Far) – Fotografi
Errësira ku shtrihet bregdeti skandinav shoqërohet nga tragjedia dhe Lotta Törnroth në fotografitë e saj pozicionohet në vendet ku ka ndodhur një fatalitet. Në secilën fotografi mban një dritë në dorë. Ashtu si fari që ofron shpresë dhe guidë, ajo hedh dritë mbi dhimbjen e familjarëve, të cilët mbeten përherë në pritje që dikush të kthehet nga errësira e detit, të gjejë rrugën. Në një vend të errët, drita mund të jetë vetë Zoti. Nuk është e qartë nëse Lotta Törnroth dëshiron të japë shpresë apo të hedhë dritë mbi ngjarjet tragjike, për të mos i lënë në harresë ata që u larguan në errësirë. Sido të jetë, fotografia e saj lë vend për imagjinatën e secilit, por përçon një ndjesi acari që ka shanse t’i përshkojë të gjithë vizitorët.
Niklas Holmgren – YL I & II – Pikturë
Një pikturë e madhe hiperrealiste nga Niklas Holmgren dhe një version i vogël i saj, qëndrojnë krah njëra-tjetrës. “YL I” duket lehtë si një fotografi nga larg, por është një pikturë tejet e detajuar vaji, e tillë që për Holmgren kërkon rreth 6 muaj punë. Duke e vërejtur pikturën dhe sfumaturat në sfondin e saj, duket se Niklas Holmgren nuk synon që të përçojë një imazh të parë me sy të lirë, por nëpërmjet aparatit fotografik dhe fokusit manual që aparati mundëson. Ai ka manipuluar këndin në të cilin bie drita, në mënyrë që të ndajë më vizitorët dëshpërimin, angështinë e subjektit primar dhe subjektit në sfond. Një dritë e zbardhur, e ftohtë dhe e athët përshkon trupin e subjektit në pikturën e parë dhe një dritë e kuqe e pavijëzuar qartë e mbulon kopjen e saj në pikturën ngjitur.
Errësirë
Johan Österholm (2/2) – Night into Day (Nata në Ditë) – Fotografi
Në brendi të ambientit të errët gjendemi pranë veprës së dytë nga Johan Österholm. Një aparat projekton në mur fotografi, të cilat paraqesin fenerët e qyteteve të ndryshme të Gjermanisë. Dikur këta fenerë bënin dritë, por tashmë janë jashtë funksionit. Ata qëndrojnë në qytet si memorabilia, si suvenire nga e shkuara dhe shpesh shërbejnë si vendstrehim për zogjtë.
Ylva Carlgreen – Spatial Line (Vija Hapësinore) – Akuarel
Në shikim të parë, pikturat e Ylva Carlgren ngjasojnë fotografi dyersh ose dritaresh të mjegullta. Mbetet e paqartë nga buron drita në to dhe ku ndodhet subjekti. Çfokusimi është mënyra se si ajo ka realizuar pesë pikturat që luajnë me perceptimin e errësirës, dritës dhe ndërlidhjes mes tyre.
Lotta Törnroth (2/2) – Imaginary Islands (ishuj Imagjinarë) – Objekt
Pjesa e dytë e veprës së Lotta Tornroth risjell detin në një formë të re. Në praktikën e saj, Lotta Törnroth përzgjedh copëza ajsbergësh nga detet e botës, të cilët i lë të shkrijnë mbi një fletë të bardhë, duke lënë gjurmë mbi të. Këta janë Ishujt Imagjinarë. Kësaj rradhe ajo mblodhi ujin e Detit Adriatik, e ngriu dhe e përsëriti procesin. Duke i shtuar pak pigment blu, Ishujt Imagjinarë shënjojnë fletët e bardha, të ekspozuar në pllaka të varura me fije nga tavani.
Mikaela Steby Stenfalk (1/2) – Collective Collection (Koleksion Kolektiv) – Instalacion 3D
Në kënd të dhomës varet një objekt i cili duhet parë duke qëndruar nën të, me kokën lart. Mikaela Steby Stenfalk, duke përdorur një printer 3D, ka krijuar një formë drejtkëndore që përmbledh fotografitë e Kupolës së Vatikanit, të shkrepura nga turistët. Pasi i ka vendosur pranë njëra-tjetrës si një puzzle, ajo ka rikrijuar kupolën plastike me këto fotografi. Koleksioni Kolektiv është kujtesa kolektive e digjitale e vizitorëve të Vatikanit.
Mikaela Steby Stenfalk (2/2) dhe Sjoerd ter Borg – Three Wise men from East (Tre Burra të Mençur nga Lindja) – Instalacion Audiovizual
Në një ekran në fund të ekspozitës, Donika Çina tregon se si Mikaela Steby Stenfalk, në bashkëpunim me Sjoerd ter Borg, kanë realizuar një rrugëtim digjital 3-dimensional me fotografi të shkrepura nga njerëzit nëpër lagjet e ndryshme të Amsterdamit. Amsterdami është një qytet i zhurmshëm, i shpejtë dhe tejet modern. Dita-ditës tendenca të reja lindin në rrugët e tij dhe qyteti ndërron formë teksa njerëzit shpejtojnë të kapin hapin e tij. Sjoerd ter Borg ka ndërtuar një instalacion virtual, në të cilin ka bashkangjitur fotografi të hedhura në rrjete sociale dhe që paraqesin bare të Amsterdamit. Në sfond dëgjohet një zë që shpjegon se si pamja specifike që kanë këto vende nuk është rastësore, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar urbanizimi, e cila në rastin konkret synon transformimin e një zone nga normale në shik. Pamja e bareve tërheq njerëz që përshtaten me to, të cilët në epokën digjitale investohen në ndarjen e përshtypjeve në internet dhe si pasojë, sjellin vizitorë të ngjashëm. Në përpjekje për të ushqyer nevojat e këtyre konsumatorëve të rinj, bizneset përreth ose do të përshtaten, ose do të largohen. Largimi i tyre sjell dhe ndryshimin e identitetit të zonës.