Qendra MAD pranë Universitetit Polis është mbushur me vepra të shumëllojshme të artistes Irena Buzi. Në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur gjatë periudhës 10 qershor – 10 korrik 2021, artistja ka përzgjedhur 80 vepra arti të realizuara nga ajo vetë gjatë periudhës 1990 – 2000. Nën kurimin e Dr. Joana Dhiamandi, Irena Buzi sjell për herë të parë një ekspozitë në Shqipëri.

...

Veprat e ekspozuara i përkasin të gjitha artit pamor, megjithatë janë krijuar në mediume të ndryshme. Të tilla janë pikturat e vajit e akrilikut, vizatimet me karbon e skulptura të derdhura në bronz. Ekspozita tejet personale përmban përjetimet e artistes ndaj zhvillimeve të panumërta shoqërore që mbartën vitet 2000 në Shqipëri. Në qendër të punimeve të Irena Buzit qëndron përjetimi që ajo ka pasur për ndryshimet politike në Shqipëri dhe Kosovë. Trajta të mjegullta dhe herë pas here të shpërfytyruara, penelata të shpejta dhe të shkurtra që mbajnë njëfarë ankthi përbëjnë një grup të pikturave. Të tjera piktura shfaqin forma gjeometrike në ngjyra që kontrastojnë. Të tjera akoma janë akromatike, surrealiste dhe të thjeshta, pa shpjegime mbi objektin dhe në stil fëminor. Skulpturat e vogla në përmasë, gjithashtu kanë forma që rrjedhin pa shpallur asnjë përkatësi identitare, por vetëm ndjesi.

Shtrirja në kohë e krijimeve është një arsye për ndryshimet në stil dhe natyrë mes punimeve të zgjedhura. Ato janë organizuar në grupe të ndryshme, ku elementi i përbashkët i të gjithave, në fjalët e artistes, është shmangia e subjekteve njerëzore të qarta. Portretet janë shpesh abstrakte dhe synojnë të përçojnë njeriun në fazën përpara se të flasë, i angazhuar vetëm në dëgjim apo vështrime. Në shumicën e pikturave subjektet ose janë pothuaj njerëzorë ose aspak të tillë; pak portrete mund të dallohen. Ngjyrat janë shpesh të forta dhe të errëta. Disa piktura shoqërohen me poezi, ndërsa titujt dhe përmasat e veprave janë shkruar me dorë.

*Irena Buzi ka lindur në Fier më 1975. Ka studiuar Biznes pranë Fakultetit Ekonomik përpara se të studionte dhe diplomohej për Skulpturë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Specializuar për dizenjim grafik dhe doktorante në shkenca arkeologjike për skulptura të lashta, Irena Buzi ia ka dedikuar karrierën artit pamor. E angazhuar kryesisht në pikturë dhe skulpturë, ajo ka qenë pjesë e ekspozitave ndërkombëtare dhe ka publikuar disa shkrime eseistike mbi artin.