Pranë zonës që njihet si Lagjia Historike në Vlorë, zyrtarisht Rruga Justin Godard, Galeri ALPHA shfaq për publikun ekspozitën “Punto di Rugiada”, që në shqip do të thotë pikë vese. Ekspozita përmban piktura të artistit Stefano Romano dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 10 shtator 2021.

...

Ekspozita është rezultat i ndërgjegjësimit që Instituti Italian i Kulturës do të shpërndajë mbi kujtesën e eventit të 6 – 9 Gushtit 1991, ku mbi 20,000 shqiptarë zbarkuan në qytetin e Barit me anijen Vlora, një ngjarje që ndikoi tek një brez i tërë italianësh. IIC synon ta rikujtojë këtë ngjarje në 30-vjetorin e saj, duke trajtuar të kundërtën e saj, ardhjen e italianëve në Shqipëri. Këto rrugëtime me mjete të ndryshme, ngjasojnë në pritshmëri dhe shpresa.

Kuratori Francesco Scasciamacchia dhe kerkuesi historiko-dokumentar Davide de Notarpietro, bashkëthemelues të Shoqatës Kulturore Cijaru (Otranto), kanë drejtuar artistin Stefano Romano në realizimin e veprave. Artisti, që jeton në Shqipëri prej vitit 2003, është frymëzuar nga përvoja personale e emigrimit dhe nga studimi i rrymave ujore pranë Kanalit të Otrantos. Rezultati artistik motivohet nga fenomeni termo-dinamik i cili lejon që në sipërfaqen e detit, të manifestohet gjendja e ekuilibrit midis ujit dhe avullit, andaj vjen titulli pikë vese. Kjo dyqenësi shërben si një metaforë për lëvizjen e emigrantëve nga një vend në tjetrin, pozicionimin e tyre mes asaj çka lanë pas dhe asaj që presin të gjejnë, me synimin që të mbërrijnë ekuilibrin e sipërfaqes detare.

Tre grupe veprash formojnë përvojën e plotë të ekspozitës pranë Galerisë ALPHA:

“Punto di Rugiada” (Pikë Vese, 2021), e pozicionuar në qendër të hapësirës, është një instalacion që synon t’i ofrojë vizitorëve përjetimin estetik dhe emocional të udhëtimit. Realizuar me anë të letrave kalk, vepra shfaq disa vela të vëna në lëvizje nga ventilatorë, tingujt e të cilëve amplifikohen nga disa tuba druri dhe rikrijojnë zhurmën e motorrit të një trageti. I zhytur në një dritë e cila ndryshon përgjatë 10 orëve (koha që i duhet tragetit të mbërrijë nga Durrësi në Bari), vizitorët do të shohin se si drita përshkon 12 nuanca të blusë, duke imituar udhëtimin nga mesnata në agim.

“Dei viaggi e di cio che resta” (Mbi udhëtimet dhe mbi atë çka mbetet, 2021) përmban 6 vizatime me rapidograf mbi letër kalku, të qepur më tej mbi një kuadrat pëlhure izotermike, i njëjti material që përdoret për të mbrojtur emigrantët nga i ftohti. Subjektet e vizatuar ekzistojnë në një gjendje midis njeriut dhe objekteve të tjera. Përkatësisht vizatimet titullohen Njeri-Abazhur, Njeri-Parabolë, Njeri-Pemë, Njeri-Karrige, Njeri-Bufe dhe Njeri-Lavaman. Anatomia e subjekteve përkon me titujt. Ata shfaqen si njerëz-objekte, gjymtyrët, koka ose trupi i të cilëve nuk vijon natyrshëm, por si objekti i cili shoqëron fjalën njeri në secilën nga veprat. Ata njësohen me objektet e përditshmërisë në mënyrë të pavetëdijshme. Secili nga vizatimet shoqërohet me nga një “shënim udhëtimi”, fraza të nxjerra nga libra që i dedikohen idesë së udhëtimit dhe transformimit identitar që pason, çka në vizatimet e Stefano Romanos ka rezultuar në transformim fizik.

“Note a Margine” (Shënime në Skaje, 2021) konsiston në përpunimin digjital të revistave dhe gazetave të ndryshme italiane, projektuar si dispozitiva. Autori ka përzgjedhur gazeta të cilat trajtuan dikur ngjarjen e zbarkimit të anijes Vlora në Bari, por ka ndërhyrë në to duke shtuar apo hequr elemente pamorë, të cilët patën ndikuar këndvështrimin e lexuesve mbi ngjarjen. Ai hedh një dritë krejt estetike mbi çështjen e migrimit, një fenomen thelbësisht politik, por i zhveshur këtu nga narrativa mediatike dhe nga shënimet origjinale.

*Stefano Romano operon në mediumet artistike pamore të performancës, instalacionit, videos dhe fotografisë. Puna e tij drejtohet nga synimi pë të paraqitur ngjarje të papritura dhe kontradiktat e realitetit shoqëror të përditshëm. Artisti ka emigruar drejt Shqipërisë në vitin 2003, falë një programi të shkëmbimit kulturor të Akademisë së Carraras në Bergamo. Ai i është dedikuar artit performues. Prej kohësh angazhohet në interes të artit bashkëkohor, shpesh pamor dhe publik, si artist i lirë dhe si themelues i T.I.C.A (Tirana Institute of Contemporary Art), DZT (Dy Zero Tre) dhe MAPS (Mobile Archive of Public Space). Veprat e tij janë ekspozuar në shumë galeri dhe muzeume ndërkombëtare.