Fotografi dhe antropologu Robert Pichler sjell më 24 janar 2019, në Tiranë, ekspozitën fotografike “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve ’90”, e cila mundësohet nga Ambasada Austriake, Bashkia e Tiranës dhe Muzeu Historik Kombëtar. Ekspozita vjen e kuruar nga Edit Pula(j). Dëshmohen prej shkrepjeve të artistit austriak çaste të ndryshme nga jeta shqiptare e viteve të para pas ndryshimit të sistemeve politike. Lirisht mund të themi se kjo ekspozitë është një pasqyrim i ndërdijes sonë, të cilën autori ka vendosur ta zgjojë. Ekspozita dallohet për tiparin e lëvizshmërisë, jo vetëm nga njëri qytet shqiptar në tjetrin, por edhe nga mjedisi i galerisë në faqet e jashtme të autobusëve.
I gjithë mozaiku që sjell Pichler-i është një tablo gjithëpërfshirëse. Përfshihen në të peizazhe ku spikatin rrënoja; portrete të çdo moshe, gjinie dhe shtrese shoqërore; pamje nga jeta e përditshme pranë mjediseve jetësore; ngjarje festive që nuk përngjasin aspak të tilla, për trishtimin dhe përhumbjen që mbartin. Mjerimi në ekspozitë është shumëplanësh: në dukje është ekonomik. Mirëpo, më së shumti, portretet vuajnë nga zhgënjimi dhe dërrmimi moral e shpirtëror. I vetmi përjashtim në gjithë këtë është pasuria e vyer etnografike, trashëguar nga tjetër kohë: veshjet popullore dhe arkitektura (ai ka përzgjedhur Gjirokastrën, të cilën nuk mund ta lërë jashtë shqetësimit të rrënimit gjithëpërfshirës, përkundër pranisë së mbetjeve të arkitekturës pa kurrfarë vlere estetiko-artistike të realizmit socialist).
E megjithatë edhe në zymtësinë shpërfaqëse të Pichler-it ka jetë. Ajo vjen nëpërmjet një vajze të re, mbështetur në hyrje të shtëpisë së saj të varfër; përmes rendjes shkallëve të kullës të një siluete tjetër femërore; madje, edhe në mjedisin mësimor plot lagështi, ku fëmijët janë ulur në bankat e vjetra, me rroba po aq të vjetra. Falë autopsisë artistike të Pichler-it zbulohen dramat shqiptare, aq shumë të zakonta për shqiptarët vetë, të cilët duket se janë pajtuar me nënshtrimin.
Zymtësia maskiliste, dëshpërimi femëror, pamjet groteske të organizimit shoqëror, veshjet gati të çuditshme si shenjë e fitores mbi autoritetin e sistemit të kaluar politik, thërrmimi deri në skaj i estetikes në ndërtesat dhe mjediset pas ’90-ës janë tregues të vetëshkatërrimit të një shoqërie, gjë që shkakton dhimbje dhe habi. Kukullat (lodrat fëminore) në vitrinat gjysmë bosh janë ato sende të cilat u shtojnë këtyre ndjenjave ëmbëlsinë (e kohës së fëmijërisë) dhe hidhësinë (e një fëmijërie të cunguar) në një shoqëri ku edhe mendimi ishte mpirë.
* Robert Pichler është historian, antropolog dhe fotograf. Fushat kryesore të kërkimit të tij janë familja dhe marrëdhëniet farefisnore, migrimi dhe transnacionalizmi, si edhe historia politike e shekullit të 19-të dhe 20-të në Europën Juglindore. Ai është studiues në departamentin e studimeve ballkanike në Akademinë e Shkencave në Vienë dhe pedagog në Qendrën e Studimeve të Europës Juglindore në Graz.
* Edit Pula(j) është artiste/kuratore nga Tirana. Puna e saj kuratoriale është kryesisht e përqendruar te trashëgimia shqiptare dhe mënyrat se si ajo mund të paraqitet në formë bashkëkohore. Krahas krijimit të lirë, Edit Pula punon si këshilltare kulturore e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.