Piktori i shumënjohur Sali Shijaku, i ftuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD, Tiranë), paraqiti në shtrirjen kohore 23 mars – 29 maj 2021 ekspozitën vetjake të emërtuar “88 dritëhije dhe ngjyra”, kuruar nga Eridana Çano. Ekspozita në fjalë risillte figura të cilat piktori i ka trajtuar shpesh gjatë veprimtarisë së tij artistike, veçse, risia e kësaj shpërfaqjeje ishin vizatimet në këndvështrime e kënde të ndryshme drite, të pavëzhguara më herët nga ndjekësit e artit. Përbënte tërheqje në vetvete gjithashtu përfshirja në ekspozitë e pikturës abstrakte nga një artist të cilin e njohim si realist në madhështinë e tij krijuese.

...

Nxënës i Abdurrahim Buzës, Nexhmedin Zajmit dhe Odise Paskalit përgjatë formimit të tij profesional e kulturor në Shqipëri, si dhe student i mjeshtrit rus Boris Vladimiroviç Joganson në Shën Petërburg, Sali Shijaku është artisti i cili ia ka kushtuar jetën e tij artit shqiptar. Gjithkush, brenda apo jashtë fushës së artit, ka të skalitur pashlyeshmërisht në kujtesë Vojo Kushin apo Mic Sokolin e Sali Shijakut. Identiteti shqiptar, aq shumë i pranishëm në tablotë e tij, bëhet i dukshëm përmes shumë tipareve që përshkojnë tejendanë veprimtarinë e tij artistike, rrjedhojë kjo, ndoshta, edhe e lidhjes së fortë të tij jetësore dhe shpirtërore me traditën popullore.

Ekspozita përmbante 112 punime të cilat i përkasin harkut kohor të viteve ’70 deri në ditët e sotme dhe erdhi e ndarë në cikle, përkatësisht: “Abstrakte” (16 vizatime, 2000-2009); “Kreshnikët” (10 vizatime dhe një qeramikë, 1985-2010); “Gjelat” (5 vizatime, 1985-2008); “Tringa”/“Trimja” (4 vizatime, 1980-1986); “Zadrimorja” (3 vizatime, 1990-2000); “I habituri”; “Zanat” (7 vizatime, 1980-2005); “Giti me çadër”, “Giti zemërake” (2015); “Nudo” (12 vizatime, 2000-2010); “Arlekinët”; autoportretet (1984, 1991, 2000, 2002, 2010); boceti i veprës “Monumenti i lirisë” (1985), peizazhe (1980-2000), si dhe disa tablo në vaj.

Në pjesën mbizotëruese, veprat në përbërje të ekspozitës nuk patën qenë krijuar si të tilla në vetvete më herët apo në kuadër të ekspozitës. Në të vërtetë, ato vizatime kanë qenë hapat e hedhur gjatë krijimit të një vepre (sprova apo studime për vepra të mëdha). Sali Shijaku është një piktor me një veprimtari artistike monumentale, pra, edhe mjaft të njohur tashmë. Pikërisht për këtë arsye, organizatorët patën vendosur të sillnin diçka më vetjake, më të fshehtë, të pacaktuar për t’iu shfaqur shikuesit të artit ndonjëherë.

Përmes ekspozitës në fjalë, shikuesi kishte mundësi të hynte në kthesat e fshehta të botës së artistit, në përsiatjet e brendshme të tij, për të gjetur formën dhe ngjyrën e duhur në përpjekje për të përcjellë sa më përpikërisht idenë qendrore: ndoshta njëherë figurën e kreshnikut, diku më tej heroin e popullit, aty tutje vashën shqiptare me veshje shqiptare, e pse jo edhe dorëzimin në shpërthime abstraksioni prej autorit.

Ajo çka bie në sy në periudhën e vonë të krijimtarisë së Shijakut është përzgjedhja teknike (vijat gjarpëruese, ritmi linear) më shumë sesa volumi i dikurshëm i tablove të mëdha, aq shumë të hasura në krijimtarinë e hershme të tij. Vihet re lehtësisht loja midis dritës dhe ngjyrës – dhe e gjithë kjo në kërkim të vazhdueshëm të gjallërimit të lëvizjes së brendshme, ndjenjave dhe ndjesive, duke pasur përherë parasysh se piktura, përgjithësisht, nuk nxit shqyrtimin (analizën), por ngacmimin/zhvillimin e ndjesisë brenda nesh.

Në ndryshim nga rrugëtimi gjithëkohor i artistit ku zënë vend e bardha, e kuqja dhe e zeza (ngjyra marrë nga etnografia shqiptare), ajo që bie në sy në këtë ekspozitë është ndërthurja mes vijëzimeve të pjerrëta dhe ngjyrimeve të befta, duke arritur kështu shprehi të veçanta e duke nxitur përfytyrime dhe ndjesi gjithfarësoj shkaktuar nga tema e subjekte të larmishme ndër të cilat nuk mund të mungonin figurat themelore përdorur gjerësisht prej piktorit: gjelat; orët, zanat, trimat, figurat homerike si subjekte të parapërzgjedhura e fort të dashura, tematikë kjo e cila e ka ndihmuar autorin t’u shpëtonte ndërhyrjeve ideologjike, pse jo edhe t’i bishtnonte ndëshkimit të mundshëm me inteligjencë, humor e elegancë, njëherazi edhe me qëllimin për t’ia lënë vendin një frymëmarrjeje ndryshe në pikturë.

Kështu, vjen figura mashkullore shqiptare, kreshniku, figurë e cila pasqyrohet e fortë, plot vetëbesim, gati-gati si një copëz shkëmbi. Nga ana tjetër, vijnë figurat femërore (nudot, sidomos) të cilat përcjellin kryesisht femrën e çliruar nga vargonjtë e moralit të hekurt dhe, në mos të rremë, të jashtënatyrshëm. Në to femra shpaloset me guximin e bukurisë së një nimfe a driade. Në këto vizatime, ajo s’ka pse të jetë më një zanë mali për të qenë e lirë, e bukur dhe joshëse. Në paqe me veten dhe botën, ajo është shumë pranë identitetit të vet. Në kundërshti me bukurinë e ashpër dhe jo pak të zymtë në tablotë “Zadrimorja” dhe “Tringa”, në tablotë e tjera: “Giti me çadër”, “Giti zemërake” dhe “Vajza me lule”, personazhet janë edhe më të guximshme se nudot. Ato të qeshin në sy teksa shfaqin “zhveshur” tërë forcën e tyre joshëse, ndonëse në dy kohë të ndryshme jete: “Vajza me lule” në nisje të jetës dhe “Giti me çadër”, e vetëdijshme për fuqinë e vet femërore.

Së fundmi, autoportretet e Sali Shijakut. Ato vijnë në skicë, në vizatim, në vaj dhe spikatin për nga thellësia dhe trishtimi, diku-diku edhe për nga ngjyresa demoniake ku: vetullat e kërleshura dhe floknaja e përpjetë ngjyrëbardhë tashmë, si dhe kuqëlimi abstrakt (shalli) në gushë krijojnë përshtypjen e përvëlimit dantesk përzier me turfullimin e Poseidonit.

Sali Shijaku, i shumëpërmenduri për patosin në penelatë, për ritmin dhe koloritin e pasur, bëri të dukshme nëpërmjet kësaj ekspozite mënyrën se si ndërron në kohë mendësia, cilët janë hapat nëpër të cilët ecën karakteri njerëzor dhe vrrulli i tij krijues, vendi që zë në shoqëri njeriu dhe artisti; e së fundmi, si shndërrohet mbarë shoqëria falë shndërrimit dhe ndikimit të individit.

*Sali Shijaku ka lindur në Tiranë më 12.03.1933.
Një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili edhe brenda kanoneve të rrepta të RS, arriti të krijonte vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980.Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve një figurëshe në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX. Djali i një tregtari të vogël, Shijaku, pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë për pikturë në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg,  ish BRSS (1956-1961) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç  Joganson (piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë “Tretjakov” në Moskë).

Photo courtesy : The Center for Opennes and Dialogue (COD) | Tirana