Galeria Zeta sjell artistin Sead Kazanxhiu me ekspozitën vetjake “Në oxhakun tim” në datat 30 tetor – 12 nëntor 2018, ekspozitë kuruar nga Marko Stamenkovic. E gjithë hapësira përmban një histori pamore për nderimin e shpirtrave stërgjyshorë dhe qenien e tyre të vazhdueshme në kujtesën e një shtëpie që nuk është më.

...

Gjashtë punime e përbëjnë krejt ekspozitën ndër të cilat vendin qendror e zë vepra “Në oxhakun tim”, një video e cila paraqet çastet e shkatërrimit të oxhakut të shtëpisë së vjetër, shtëpi e trashëguar nga gjyshërit, në vend të së cilës do të ndërtohet një e re dhe më e qëndrueshme tashmë. I gjithë ky veprim, kryer prej vëllait trashëgues të shtëpisë, nuk mund të kalojë pa u përjetuar dhe pa u dokumentuar prej vëllait tjetër, artistit Sead Kazanxhiu. E gjithë ekspozita ka karakter autobiografik dhe shumëçka vërtitet rreth figurës së paraardhësve (në këtë rast gjyshërit) e më së shumti rreth figurës së gjyshes e cila vjen përmes kujtimit dhe përkuptimit të artistit si personazhi i një burrneshe, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në vendimmarrjet familjare, duke i dhënë përparësi oxhakut, pra, në kuptimin shqiptar, qëndrueshmërisë së familjes.

Fotografia emërtuar “Badushe dhe Nebi Kazanxhiu” është vendosur në zemër të projektimit filmik mbi shkatërrimin e oxhakut, kurse në njëfarë lidhjeje diagonale me materialin filmik qëndron vepra “Mao Ce Duni”, e cila është në vetvete një lloj kundërvënieje ndaj njohjes së paplotë që jo vetëm shoqëria ka ndaj bashkësisë rome, por madje edhe kineastët, të cilët Sead Kazanxhiu i sheh si burim kryesor të kësaj mosnjohjeje. Ky krijim i Kazanxhiut, “Mao Ce Duni”, është gjithashtu edhe një ngacmim për publikun në lidhje me një kërkim të cilin artisti synon ta thellojë, pra, trajtimi i bashkësisë rome në kinematografinë shqiptare.

“Gjyshërit e mi” është një vepër ku përzihen teknika: në sipërfaqe druri, vendosur në kënd muri, janë vënë sendet personale të tyre, sende të cilat paraqesin dyjëzimin e tyre si qenie njerëzore, të qenët pjesë e shoqërisë, por së pari pjesë e familjes, duke luajtur një rol të rëndësishëm si në mbarëvajtjen e njërës, si në të tjetrës, duke qenë hallka të shëndetshme të zinxhirit shoqëror.

Oxhaku, si shenjim marrëveshjësor në shoqërinë shqiptare, përfaqëson shtëpinë, familjen, farefisin. “Shtëpia me dy oxhaqe” (vizatim në letër), pamja e pashkëputur nga kujtesa e artistit, dikur fëmijë, së bashku me instalacionin “Shpirtrat” (instalacion në dysheme – instalacion që dëshmon moshën e shtëpisë përmes copëzave të përftuara nga shkatërrimi i oxhakut dhe shtëpisë) tregojnë lidhjen e pashkëputshme të kujtimeve me sendet dhe ndërtesat. Kundrimi i moshës së shtëpisë nëpërmjet shtresave të murit pas çdo lyerjeje nuk mund ta lërë vizitorin shpërfillës ndaj shtytjes thellësisht njerëzore të artistit i cili synon ta zgjatë rrezen e përjetimit personal dhe t’i japë të tjera përmasa.

* Sead Kazanxhiu ka lindur më 1987 në Fier; i përket bashkësisë rome; dhe është vendosur në Tiranë që prej 2012-s. Ai është diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006 – 2010). Pas studimeve, Kazanxhiu vazhdoi të punonte kryesisht në pikturë, porse me kohë praktika e tij u zgjerua në skulptura, instalime, video, si dhe ndërhyrje në hapësirën publike. Ai ka hapur tetë ekspozita vetjake që prej 2012-s në Tiranë, Budapest dhe Bruksel (Brussels). Po ashtu, ka marrë pjesë në ekspozita të shumta të përbashkëta në Tiranë, Pragë (Prague), Brno, Gotenburg, Berlin, Drezden, Krakov (Krakow), Bukuresht (Bucharest) dhe Nju-Orlins (New Orleans), përfshirë këtu edhe “(Re)conceptualizing Roma Resistance”, organizuar në verën e vitit 2016 në institutin “Gëte” në Pragë, në kuadër të “International Roma Festival Khamoro”.