Në dy muret e Gallery70-ës varen 6 piktura vaji të realizuara nga Shpëtim Kërçova. Në një shikim të shpejtë, pikturat përsërisin imazhet dhe thuajse shkaktojnë një déjà vu, çka nuk është rastësore. Shpëtim Kërçova sjell në “The Project” (Projekti) një grup tablosh me peizazhe urbane që paraqesin lëvizje, gra dhe qen që enden rrugëve të qytetit së bashku. Subjektet shihen nga lart dhe perspektiva është e deformuar. Detaje në sfond nuk ka, përveç trotuareve, rrugëve dhe vijëzimeve të tyre. Qyteti duket të jetë Tirana, ku vijëzimet nuk janë korrekte dhe sipas perceptimit të artistit, në ndryshim të vazhdueshëm. Vetë rrugët shpesh rikonstruktohen, hapen e mbyllen. Mbeten në punë e sipër, përherë në ripërpunim, si vetë pikturat.

...

Në një ekspozitë të shkuar, të quajtur “Street Story” (Histori Rrugësh), Shpëtim Kërçova ka pikturuar grupe qensh endacakë, të cilët banorët e Tiranës i ndjejnë menjëherë të afërt sepse i shohin shpesh. Alban Hajdini, në një përshkrim përmbledhës të ekspozitës, i drejtohet qenve si prezencë organike në një ambient të kontrolluar nga njeriu. Qentë janë të natyrshëm, të lirë dhe enden gjithandej, duke u shoqëruar me njëri-tjetrin dhe me vajzat që popullojnë rrugët krah tyre. Vajzat ndërthuren me qentë dhe qarkullojnë së bashku.

Pikturat janë instaluar në hapësirë dhe shikimi i subjekteve shoqëron vizitorët nga e djathta në të majtë. Kur mbërrin tek piktura e gjashtë majtas, subjekti vështron me kokën e kthyer, sikur sheh tablotë e tjera e kështu rikujton vizitorin t’i kthehet dhe njëherë ekspozitës. Vajzat janë disi të ngjashme me njëra-tjetrën, me trup të formuar dhe me veshje gjithashtu të ngjashme. Ato mbajnë pantallona të ngushta dhe disa prej tyre gëzof, që kombinon me gëzofin e kafshëve shoqëruese. Të gjitha vajzat bien në sy, herë nga veshja e herë nga qëndrimet e tyre ekzibicioniste. Nuk ndahet qartësisht nëse subjektet femërore vetëm ngjajnë, apo ndonjëra nga to përsëritet në disa prej pikturave.

*Shpëtim Kërçova (lindur më 1968) studioi pikturë dhe tekstil në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku më pas u diplomua në 1991. Shumë aktiv në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit, Kërçova në fillimet e tij eksperimentoi në mediume të ndryshme si instalimi dhe mixed media, por më pas ai u përqendrua në pikturat në vaj, zakonisht në seri. Nga viti 2000 ai është një nga artistët e njohur bashkëkohorë të vendit dhe pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë. Punimet e tij zakonisht analizojnë gjendjen njerëzore në hapësirën urbane, marrëdhëniet e tyre me natyrën dhe temat e globalizimit. Disa nga ekspozitat e tij të zgjedhura janë: “A landscape without horizon”, ekspozitë personale, Zeta Gallery, Tirana (2015); “Zeta Art Center & Gallery at SUPERMARKET 2014”, Stockholm Independent Art Fair (2014); Ekspozitë -personale, Zeta Gallery, Tirana (2010); “Cosi vicina cosi lontana”, Villa Croce Genova, Italy (2009); “My space”, Hause am Lutzoplawtz, Berlin, Germany (2008); “Virtualbania”, Pavel Haus, Austria (2007); ’03-’11 “Onufri” International Competition, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2002).