Pranë Galerisë së Bregdetit në Radhimë, Vlorë, u çel gjatë gushtit 2021 ekspozita “Where the roads are paved with gold” (Ku rrugët janë shtruar me flori), e cila do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator, 2021. Ekspozita përbën seancën e dytë të South by the Sea (Jug pranë Detit), një shfaqje e përvitshme e artit bashkëkohor nëpërmjet zërave të artistëve jugorë. Tre syresh marrin pjesë në këtë radhë të dytë, të dedikuar ndaj lëvizjes shoqërore të shqiptarëve 30 vite më parë dhe gjurmëve të padukshme të saj.

...

Ngjarja që frymëzoi prurjet artistike të tre artistëve Roland Runaj, Niku Alex Muçaj dhe Vangjush Vellahu, është emigrimi i mëse 20,000 shqiptarëve drejt brigjeve të Italisë më 8 gusht, 1991. Nga Durrësi në Bari, anija e quajtur Vlora mbarti përtej kapaciteteve të saj pasagjerët dhe shpresën për kushte më të mira, ose minimalisht të ndryshme jetese, për rrugë të shtruara në flori, sipas imagjinatës së Shqipërisë dhe Ballkanit postkomunist. Tronditja e publikut italian të kohës, gjatë transmetimit televiziv të mbërritjes së anijes, ngjasonte me shokun e shkaktuar nga imazhe fiksioni, pasi hendeku mes asaj që përçohej në television dhe jetës së vërtetë u bë i ndjeshëm për shumë prej tyre. Çka pasoi anijen Vlora ishte një numër shumë i lartë i mjeteve më të vogla, të cilat përshkonin Adriatikun me pasagjerë ilegalë, që mund të përmblidhet në rreth 700, 000 shqiptarë të larguar drejt Italisë gjatë viteve ‘90.

Ekspozita është realizuar si një narrativë shumëfaqëshe e përvojave personale të tre artistëve që e kanë provuar emigrimin.

*Piktori Roland Runaj, i cili punon dhe jeton në Vlorë, ka paraqitur pranë Galerisë së Bregdetit 7 vizatime me laps. Ndër to, më e madhja paraqet rreth 300 portrete të pasagjerëve të anijes Vlora, vizatuar nga artisti përgjatë një muaji. 6 të tjera paraqesin pamje të cilat lidhen me emigrimin dhe në këndvështrim më teknik, me largimin. Disa nga vizatimet shfaqin objekte që lidhen pashmangshmërisht me udhëtimin detar: një varkë letre buzë detit, një djalë duke u lëkundur mbi një spirancë në vend të kolovajzës dhe një filxhan që noton në det, sipër pjatës shoqëruese. Vizatimet e tjera e trajtojnë aktin e largimit në dimension tërësisht praktik: nga peizazhet e plazhit pranë qytetit të Vlorës, njerëzit që kanë emigruar kanë lënë pas asgjënë. Hapësira që ata zinin më parë është fshirë, e boshatisur nga materia, një mosqenie e cila dëshmon se si mungesa, mund të jetë prania më e fortë.

*Niku Alex Muçaj, artisti shqiptar i bazuar në Basel, është autor i veprës “Lonely Tools” (Mjete të Vetmuara). Krijimet e tij qëndrojnë të shpërndara në të gjithë hapësirën ekspozuese të Galerisë së Bregdetit dhe konsistojnë në mjete pune bujqësore (lopatë, kosë, sqepar, etj), të pozicionuara ngultas dhe vertikalisht në tokë, me ndihmën e një blloku betoni. Këto janë mjete tashmë pa rol, janë braktisur nga emigrantët. Puna që do të realizonin, në mungesë të forcës njerëzore, do të mbetet pezull. Vetmia dhe palëvizshmëria e tyre përmend humbjen e potencialit njerëzor që pason emigrimin.

*Artisti vizual i bazuar në Berlin, Vangjush Vellahu, ka realizuar instalacionin “A piece to remember” (Një pjesë për t’u mbajtur mend) si një grumbull sendesh të hapërdara mbi tavolinë. Ato janë sende të mbledhura nga artisti gjatë udhëtimeve të tij, nga të cilat disa i përkasin dhe të tjera janë të gjetura. Gjithçka gjendet mbi tavolinë, nga biletat e udhëtimit, në libra informues, syze, dokumenta identifikues, karta bankare, etj. Të siguruara brenda qeskave plastike, objektet mbartin histori që vizitorët do të mund t’i imagjinojnë, por pa u konfirmuar nga askush.