Bulevard Art and Media Institute çel ekspozitën e përbashkët të artistëve: Alketa Ramaj, Driton Selmani, Lori Lako, Ledia Kostandini, Olson Lamaj, Remijon Pronja dhe Stefano Romano, të titulluar The Revolution of the City around its Dream. Ekspozita e kuruar nga Stefano Romano në bashkëpunim me Remijon Pronja do të mbahet e hapur për vizitorët gjatë periudhës 24 mars – 12 prill, 2022.
Ekspozita The Revolution of the City around its Dream bën bashkë artistët të cilët përmes artit të tyre janë gjithnjë në ndjekje dhe nevojë të vazhdueshme për të rinjohur zhvillimet e vendeve dhe hapësirave urbanistike. Artistët në këtë ekspozitë vijnë me punë të realizuar në mediume të ndryshme si: fotografi, skulpturë, video – instalacion, instalacion dhe film me metrazh të shkurtër, ku nëpërmjet tyre vënë në pikëpyetje mundësi të ndryshme utopike duke i trajtuar ato në këndvështrimin simbolik që kryqëzon artin në raport me imazhin përfaqësues të qytetit.
*Olson Lamaj (lindur më 1985) jeton dhe punon në Tiranë. Puna e tij heton çështjet shoqërore dhe politike që lidhen me jetën bashkëkohore në Shqipëri dhe me një sërë sistemesh universale dhe të pakohshme të kuptimit që shtrihen përtej kushteve të menjëhershme. Në këtë ekspozitë Olson Lamaj sjell një film të titulluar The Goldfinch.
The Goldfinch dokumenton ambiente të vilës së diktatorit Enver Hoxha, teksa objektivi i kamerës udhëhiqet përmes një zogu. The Goldfinch, është një zog i cili shpeshherë mbahet në kafaz dhe dallon nga speciet e tjera të shpendëve për nga zëri i tij i bukur. Ndërsa shtëpia në këtë video përkufizohet si kafazi i shpendëve, ku zogjtë kërkojnë të lirohen prej tij, duke qenë të aftë të mbijetojnë dhe pa të zotin. Gjithashtu në këtë film shqyrtohet lidhja që kanë kontekstet e brendshme me regjimet diktatoriale.
*Lori Lako (lindur më 1991) jeton e punon në Itali. Veprat e saj janë ekspozuar në shumë hapësira galerish si brenda dhe jashtë vendit.
Ndërsa në ekspozitën The Revolution of the City around its Dream, Lori Lako sjell një video instalacion me titull: On fog, blur and other uncertainties, ku shfaqen imazhe disi metafizike të qytetit, të paqarta dhe të paidentifikueshme. Drejt përfundimit të videos shfaqen dy individë që mbajnë në duar një copë të bardhë transparente që krijonte një lloj filtri disi të paqartë tek imazhet e mëparshme, derisa objektivi zgjerohet dhe vë në pah këtë akt performativ.
*Remijon Pronja (lindur më 1984). Realizues i tre ekspozitave personale, si dhe pjesëmarrës në një sërë ekspozitash të përbashkëta brenda dhe jashtë Shqipërisë, vjen në këtë ekspozitë të përbashkët me një video instalacion.
Home është një video instalacion në të cilin shfaqet një imazh interieri ku ndërhyrja e artistit është prezente në ambientin e filmuar. Krijimi i tij konsiston te fjala “home” (shtëpi), e cila është e formuar me një dritë led dhe e vendosur në mur; tipike e ditëve festive. Por Home, gjithashtu, përdoret në një formë ironie që një ambient shtëpiak mund të bëhet i tillë në çdo hapësirë tjetër që është ekzistuese për nevojat tona, mjafton të zhvendosësh tabelën (në këtë rast fjalën “home”). Artisti vë në krahasim këtë situatë paradoksale në një paralele me shkëlqimin e fjalës së përdorur.
*Driton Selmani i qaset idesë së realitetit të perceptuar duke zbërthyer formacione të temave sociale, politike dhe kulturore që janë mishëruar rreth tij. Driton Selmani vjen në këtë ekspozitë me një video instalacion: These Stories.
Në These Stories shfaqen pamjet e misionit Apollo 11 kur Neil A. Armstrong shkeli për herë të parë në hënë dhe këto imazhe bashkëshoqërohen me një rrëfim audio të Sadik Cenës (një anëtar i familjes së artistit). Përmes kësaj videoje artisti përdor gjuhën e narrativës për të rrëfyer që në kohën kur Neil A. Armstrong shkeli për herë të parë në hënë, rrjeti i energjisë elektrike mbërriti në fshatin e tij në Kosovë. These Stories lidhet me kujtesën e dy ngjarjeve të veçanta për artistin duke vënë në dyshim jo vetëm misionin Hënor të NASA-s por duke i dhënë rëndësi dhe një hapësire kohore të përjetuar në po të njëjtën periudhë.
*Ledia Kostandini (lindur më 1983, Pogradec). Në krijimet e saj përfshin media të ndryshme, duke përmendur: fotografinë, pikturën, instalacionin, ndërhyrjet publike dhe ilustrimin.
Në këtë ekspozitë artistja vjen me tre instalacione: I look at them they look back at me (2019); Bath Tube (2019); Untitled (the cage balcony) (2019). Këto instalacione janë të realizuara në teknika të përziera dhe në to shfaqen imazhe dhe metafora të qytetit dhe jetesës në të. Një pjesë e tyre sjellin përmes videos situata të jetës së përditshme dhe zakone të banorëve përreth, të instaluara në disa kuti prej druri. Gjithashtu Bath Tube (2019) është një tub brenda të cilit është instaluar një video që i përmbahet të njëjtit kontekst. Koncepti i këtyre instalacioneve përqendrohet midis kufirit të privatësisë dhe publikes të cilat ndërthuren dhe rikonceptohen gjithmonë.
*Alketa Ramaj është diplomuar në vitin 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Puna e saj përveçohet nga një kureshtje e pashtershme dhe studim i vazhdueshëm i formave të reja të shprehjes që zbulojnë një pavarësi në përdorimin e metodave të saj vetjake dhe kritike të punës.
Rritëset – Rritësja 1 është një skulpturë në allçi, në formën e një strukture mbajtëse e cila e kryen funksion e saj vetëm në raport me pemën, e nesë ajo mungon, ky objekt mbetet një trup jofunksional. Në këtë mënyrë artistja e rrëzon këtë praktikë duke u përpiqur t’i japë kësaj strukture vlerën estetike dhe komunikuese e cila nuk ishte vënë re më parë.
*Stefano Romano operon në mediumet artistike pamore të performancës, instalacionit, videos dhe fotografisë. Puna e tij drejtohet nga synimi për të paraqitur ngjarje të papritura dhe kontradiktat e realitetit shoqëror të përditshëm.
Në vijueshmëri të kësaj artisti sjell në këtë ekspozitë, Unfinished Archive (Arkiv i papërfunduar), një projekt fotografik të vazhdueshëm. Ky arkiv përbëhet nga fotografi që pasqyrojnë ndërhyrje të vogla në hapësirën publike nga situata të rastësishme, prej një lloj kërkimi të vazhdueshëm që bën artisti. Këto fotografi janë realizuar në vende dhe kohë të ndryshme që prej vitit 2016 dhe ende vazhdon cikli i tyre. Imazhet e fotografuara marrin një tjetër vlerë dhe koncept përmes ndërhyrjeve të vogla që bën artisti, qoftë me vizatim, tekst apo me një printim.